Lajçaku po kërkon "mesin" mes Republika Srpskas e draft-vizionit të Kurtit për Asociacionin - NACIONALE

Lajçaku po kërkon "mesin" mes Republika Srpskas e draft-vizionit të Kurtit për Asociacionin

11 muaj më parë

nga NACIONALE

I dërguari special i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak ka dhënë disa mesazhe të forta gjatë ditës së sotme pas takimit me kryeministrin Kurti.

Gjithçka ishte e pazakontë në këtë takim. Ai ishte caktuar shumë herët, në orën 7:30 të mëngjesit, dhe emisari Lajçak për habi mbërriti i pari. Kryeministri mbërriti i dyti, pesë minuta me vonesë.

Po ashtu, takimi po mbahej pas disa përplasjeve serioze në distancë në lidhje me ekipin menaxhues dhe draft-statutin e prezantuar më 2 maj nga ky ekip menaxhues.

“Është vërtet e rëndësishme që ta kemi krejt të qartë sekuencën e hapave dhe prandaj kishim diskutim shumë të rëndësishëm...” – u shpreh z. Lajçak.

Emisari më tej u shpreh se takimi me Kurtin, diskutimi me Kurtin, kishte qenë “intenziv”.

““E kemi marrëveshjen. E kemi aneksin. Tash, duhet ta kuptojmë qartë hapin e parë, hapin e dytë dhe hapin e tretë.” – shtoi tutje Lajçaku.

Dhe hapi i parë, besohet të jetë pikërisht draftimi i statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Por, lexojeni me vëmendje edhe fjalinë e radhës që e tha z. Lajçak:

“E kemi diskutuar në detaje se si BE-ja e sheh procesin e draftimit të statutit. Dhe mendoj se e kuptojmë mirë procesin.”

MESI

Megjithatë, pjesa më “dërmuese” e prononcimit të Lajçakut para gazetarëve erdhi më vonë.

Ai u pyet për qëndrimet krejtësisht të kundërta të palëve – pra, Republika Srpskan që po kërkohet nga Serbia, siç u dëshmua përmes ekipit menaxhues dhe draft-vizionit të prezantuar nga Kurti – e për të cilat i pati këto fjalë:

“Roli ynë si lehtësues është gjithnjë të gjejmë mesin, dhe bash këtë gjë po provojmë ta bëjmë,”

Të gjendet mesi mes Republika Srpskas dhe modelit kroat?

Kujtojmë se z. Lajçak katër ditë më parë kishte thënë edhe këto fjalë të papranueshme:

“Megjithëse drafti i parë i prezantuar nga ekipi menaxhues nuk është përfundimtar, është pikënisje e rëndësishme për diskutimet e ardhshme në nivelin e kryenegociatorëve,”

Kjo e kishte nxitur një ‘piskamë’ të ashpër nga ana e kryeparlamentarit Glauk Konjufca, që i kishte thënë këto fjalë:

“Nëse BE-ja nuk mendon se zgjidhja duhet kërkuar brenda Kushtetutës së Kosovës, mendoj se Kosova nuk ka çfarë kërkon në atë dialog më,”

Kryeministri Kurti për takimin në fjalë ka shkruar në Twitter si vijon:

“Mirëprita Përfaqësuesin Special të BE-së, Mirosllav Lajçakun, në zyret tona qeveritare sot. Theksova nevojën që Marrëveshja Bazike të zbatohet në tërësi, dhe nevojën që BE-ja ta mbajë përgjegjëse Serbinë për shkeljet e vazhdueshme të Marrëveshjes.”

Sot Lajçak njoftoi edhe për takimin e radhës mes kryenegociatorëve në Bruksel. Por, a duhet të shkojë Besnik Bislimi në Bruksel për të kërkuar mesin bashkë me BE-në, ku poli negociues i palës tjetër është “Republika Srpska”?

Lajme të ngjashme