"Krijimi i Asociacionit, hap kritik": Çfarë porosi çuan amerikanja Power e evropiani Lajçak? - NACIONALE

"Krijimi i Asociacionit, hap kritik": Çfarë porosi çuan amerikanja Power e evropiani Lajçak?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Miroslav Lajçak, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, dje ka qëndruar në Prishtinë, ku ka takuar kryeministrin Albin Kurti. Të njëjtën ditë, pra të enjten, në Kosovë ka qëndruar edhe Samantha Power, administratorja e USAID, e cila sot do të takohet me kryeministrin Kurti dhe ministren Artane Rizvanolli. Megjithatë, edhe para takimit ajo ka dërguar disa mesazhe politike, gjë të cilën e bëri edhe Lajçak pas takimit. Çka thanë këta dy ndërkombëtarë?

Kryefjala e të dy deklarimeve ishte nevoja për të vazhduar dialogun dhe theksi u vu te normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Lajçak e vlerësoi se në takimin me Kurtin pati një diskutim të rëndësishëm.

“Është e rëndësishme që ne kemi kuptuar qartë sekuencat e hapave dhe ne kishim një diskutim të rëndësishëm në të gjitha aspektet. Të njëjtin diskutim do ta kem nesër edhe në Beograd. Është vërtetë e rëndësishme që të kemi një kuptim të qartë për hapat e ardhshëm. Ne mund të kemi vetëm normalizim apo konfrontim. Dhe ne duhet patjetër të fokusohemi plotësisht te normalizimi.” – deklaroi Lajçak.

Ndërsa, amerikanja Power, që gjatë kohës së administratës Obama ishte ambasadore e ShBA-së në OKB, e vlerësoi si të rëndësishme marrëveshjen për përsonat e zhdukur.

“Është e qartë se vendime shumë të rëndësishme duhet të merren ende, por ju e dini për shembull, marrëveshja që tashmë është arritur për personat e zhdukur, ju keni më shumë se 1600 njerëz, eshtrat e të cilëve nuk janë gjetur, dhe familjet e të cilëve janë ende në zi për ta, duke mos ditur se çfarë u ndodhi atyre. Edhe kjo marrëveshje, mendoj se është vetëm një hap dhe sigurisht që duhet të zbatohet, është një marrëveshje e rëndësishme dhe nuk është diçka që kishte ndodhur më pare.” - vlerësoi ajo për Kosovapress.

Sigurisht, Poëer e përmendi edhe Asociacionin, duke theksuar se krijimi i tij është një hap absolutisht kritik. Tutje, ajo theksoi se diskutimi rreth përmbajtjes së Asociacionit është një zhvillim i mirë në dialog.

“Është e qartë se krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është një hap absolutisht kritik që duhet të ndërmerret, për të siguruar që normalizimi të mund të vazhdojë. Dhe sigurisht kjo është diçka që zyrtarët në Serbi e ngritën dhe e konsiderojnë shumë të rëndësishme, ashtu si edhe njerëzit në këtu. Kështu që unë mendoj se për ne është më pak se a jemi optimistë e gjëra të tilla, dhe më shumë për angazhimin e të gjitha palëve të shohin se cilat do të jenë përfitimet, nëse mund të ndërmerren këto hapa të vështirë. Përsëri, marrëveshja është aty, ka urgjencë, për shembull, për të krijuar Asociacionin. Dhe, ne shpresojmë që tani që më në fund ka ndodhur dialogu për atë se si mund të duket, edhe nëse palët ende nuk janë dakorduar për një vizion, se cilat do të jenë modalitetet, madje kjo është hera e parë që ka ndodhur ky lloj angazhimi përmbajtjesor. Është e rëndësishme që idetë të shkëmbehen dhe të arrihet kompromisi, në mënyrë që normalizimi të mund të vazhdojë që do të rezultojë përfundimisht, me njohjen reciproke.” – deklaroi ajo.

Ndërsa për Asociacionin, Lajçak theksoi se çdo gjë e bazuar në vlerat evropiane është e pranueshme për BE-në.

“Roli ynë si ndërmjetësues është që të gjejmë një mes dhe kjo është pikërisht çfarë ne jemi duke tentuar të bëjmë. Ajo çfarë është e pranueshme për BE-në, është e bazuar në parimet dhe vlerat evropiane të cilat janë në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.” - shtoi ai.

Lajme të ngjashme