Incidenti me Aida Dërgutin, Policia suspendon zyrtarin e trafikut
Policia e Kosovës ka suspenduar një zyrtar policor të trafikut, i cili ishte përfshirë në një incident para nisjes së protestës së organizuar sot nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) në Prishtinë.
Incidenti ndodhi gjatë tentativës së policisë për ta ndaluar ish-deputeten Aida Dërguti, nën dyshimin se kishte shkelur rregullat e komunikacionit teksa po kalonte rrugën në drejtim të protestës.
Ndalimi i Dërgutit shkaktoi reagimin e protestuesve, të cilët kundërshtuan veprimin e zyrtarëve policorë. Situata më pas eskaloi në një përplasje mes protestuesve dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Lidhur me rastin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka konfirmuar për Klan Kosova se një zyrtar policor i trafikut është suspenduar.
“Referuar kërkesës suaj ju konfirmojmë se, Policia e Kosovës, bazuar në udhëzimet dhe procedurat e parapara, ka suspenduar një zyrtar policor të trafikut, i cili ka qenë i përfshirë në një rast para fillimit të protestës së sotme në kryeqytet”, ka deklaruar Kelani.