Begaj refuzoi takimin në zyrë të LDK-së, ndërsa Osmani i pat shkuar Bashës edhe me dhuratë - NACIONALE

Begaj refuzoi takimin në zyrë të LDK-së, ndërsa Osmani i pat shkuar Bashës edhe me dhuratë

1 vit më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj po vazhdon vizitën zyrtare në Kosovë.

Megjithatë, kjo vizitë nuk shkoi në mënyrën më të mirë të mundshme, ashtu siç kalojnë takimet e këtij niveli mes presidentëve të të dyja vendeve.

Kjo pasi, Begaj kishte refuzuar ta takonte Lidhjen Demokratike të Kosovës në zyret e kësaj të fundit.

Siç raporti dje Nacionale, i pari i shtetit shqiptar kërkoi që i njëjti takim të zhvillohej në Kuvend.

Por, kjo kërkesë ishte e papranueshme për LDK-në, gjegjësisht kreun e saj, dhe si rrjedhojë refuzuan takimin.

“Kemi vendos mos me u taku pas asaj kërkese. Takimi me presidentin e mëparshëm Meta ka ndodh në zyret tona, e edhe me liderët e tjerë të Shqipërisë”, i tha një burim gazetës tonë gjatë ditës së djeshme.

Konfirmimi

Vet LDK-ja e konfirmoi këtë lajm. Në një përgjigje dhënë Nacionales, Lidhja deklaroi se kjo kërkesë e presidentit ishte e pazakontë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh keqardhje për mosrealizimin e takimit zyrtar me Presidentin e ri të Shqipërisë, shkëlqësinë e tij Bajram Begaj; me rastin e vizitës së tij të parë në Kosovë. Për dallim nga krerët insitucionalë paraprakë të Shqipërisë, Presidentët e shkuar, Kryeminisrin e tanishëm, e të tjerë kryeministra paraprakë, Presidenti Begaj ka refuzuar të takojë LDK-në në selinë qendrore të saj”, u tha fillimisht në këtë përgjigje.

E refuzimin e Begajt ndaj takimit në zyrat e LDK-së, kjo parti e ka cilësuar si të pazakontë.

“Ndonëse nuk e kuptojmë refuzimin e tillë dhe shprehim njëkohësisht habinë për një qasje të pazakontë, konsiderojmë si mundësi të humbur takimin me Presidentin Begaj; të cilit i urojmë suksese në përfaqësimin më dinjitoz të Republikës së Shqipërisë. LDK ka selinë e vet dhe ajo mbetet e hapur për çdo zyrtar të shtetit shqiptar – siç ka qenë përherë”, deklaroi partia e Abdixhikut.

Por, jo të gjithë nga LDK-ja e mbështetën Abdixhikun. Ish-ministri Skënder Hyseni, përmes një shkrimi potencoi se ky refuzim shpërfaq një ego infantile politike të të parit të LDK-së.

“Në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në Kosovë, presidenti Bajram Begaj ka zhvilluar takime me krerët e partive politike, thuhet në njoftimet e medias.Ndërkohë që thuhet poashtu se “Kreu i Lëvizjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, paska refuzuar takimin me presidentin Bajram Begaj, duke mos respektuar ftesën e presidentit për t’u takuar në selinë e Kuvendit”.Pretendimi idhnak i Abdixhikut se Presidenti shqiptar duhej të shkonte në selinë e LDK-së për takim, shpërfaq një ego infantile politike të të parit të LDK-së.Pa dashur të futem në detajet e protokolit, me duhet të konstatoj se Abdixhiku me krekosjen e tij, paska shkaktuar një skandal politik e diplomatik tërsisht të panevojshëm në komunikimet aq të rëndësishme ndërshqiptare”, ka shkruar Hyseni.

PO-ja e opozitarëve tjerë

Partitë e tjera opozitare, PDK dhe AAK nuk e kishin shumë problem këtë gjë. Ato pranuan të takoheshin me Begajn edhe në jashtë zyreve të tyre.

Memli Krasniqi e Ramush Haradinaj, duke shfrytëzuar platformat sociale, konfirmuan takimin duke thënë se janë të kënaqur, ndërsa shtuan se shpresojnë që marrëdhëniet e mira të intensifikohen.

“Kënaqësi e veçantë të takoj Presidentin e sapozgjedhur të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në kuadër të vizitës së tij të parë zyrtare në Republikën e Kosovës, të cilin e urova për detyrën e re dhe i ofrova mbështetjen dhe bashkëpunimin e plotë të Partisë Demokratike të Kosovës, në ruajtjen dhe avancimin e marrëdhënieve vëllazërore mes Shqipërisë dhe Kosovës”, shkroi Krasniqi.

Kurse Haradinaj regjistroi një video-adresim.

Si veproi Vjosa Osmani?

Vjosa Osmani për vizitë në Shqipëri ishte së fundi në inaugurimin e Begajt.

Ndërkaq, në vizitën e parë zyrtare sa ishte ushtruese detyre e Presidentes, Osmani takoi gjithashtu krerë politikë.

Por, për dallim nga Begaj, Osmani, atëbotë nuk kishte kërkesa sikurse homologu i tij i tanishëm sot.

Pra, Osmani kishte pranuar të takohej me Lulzim Bashën, tashmë ish-kryetar i PD-së në selinën e kësaj të fundit.

“Si Kryetare e Kuvendit dhe ushtruese e detyrës së Presidentit të Kosovës është detyrë imja parësore që të kërkoj bashkëpunimin e sinqertë ndërmjet dy republikave, të Shqipërisë dhe Kosovës, një bashkëpunim të pa ekuivok që në asnjë moment nuk duhet të kishte barriera apo keqkuptime.Duhet të punojmë të gjithë bashkë, sepse mbi të gjithë jemi shqiptarë. Të punojmë bashkë që flamuri i Kosovës dhe Shqipërisë të valviten krah njëri-tjetrit në të gjitha organizatat ndërkombëtare. Vërtet i kemi dy flamuj, jemi dy shtete sovrane dhe të pavarura, por jemi një shpirt i pamposhtur. Kështu duhet të veprojmë mes njëri-tjetrit dhe përpara syve të botës”, deklaronte dy vite më parë Osmani.

Përveç kësaj, presidentja aktuale e vendit, edhe i kishte dërguar një dhuratë, saktësisht kristalin me tri kuptime, si simbol i trefishtë, i pasurive natyrore që Kosova ka, si simbol që Rugova gjithmonë ua dhuronte miqve, si dhe simbolizon hartën e Kosovës.’

Lajme të ngjashme