Çka thonë shoqëria civile dhe njohësit e politikës për vizitën e Kurtit në SHBA? - NACIONALE

Çka thonë shoqëria civile dhe njohësit e politikës për vizitën e Kurtit në SHBA?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri Albin Kurti, vizitën e tij të gjatë në SHBA e cilësoi si “mjaft të frytshme”. Ngjashëm, nëpërmjet argumentesh të ndryshme, vizita e kryeministrit u vlerësua pozitivisht ndër aktivistë dhe eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërsa në anën tjetër, nga partitë politike që gjenden në opozitë, mbizotëroi zëri kritik në lidhje me vizitën e Kurtit në SHBA. Ato potencuan fakte të ndryshme të cilat, vënë në dyshim suksesin e kësaj vizite. Qoftë gjatësia e saj, që shpesh e bënte të dukej si e panevojshme, qoftë mungesa e takimeve me figura të rëndësishme politike në SHBA, mbase i dha të drejtë këtij zëri kritik.

Mbase në kërkim të një opinioni më objektiv dhe të afërt me të vërtetën, duhet larguar nga opinionet e partive politike. Në këtë kontekst kundërshtimesh politike, opinionit të shoqërisë civile dhe profesionistëve, i takon një rëndësi e veçantë.

Një opinion gjithëpërfshirës për këtë temë jep studiuesi i politikës Dorajet Imeri.

"Vizita e Kryeministrit Kurti në SHBA duhet të shihet në disa aspekte, për të prodhuar një përfundim shumështresor. Fillimisht, kjo vizitë nga perspektiva e diskursit të politikës ditore kosovare, është parë si matje e raportit që Kurti ka me Shtetet e Bashkuara, saqë vonimi i realizimit të saj është parë edhe si një refuzim që shteti amerikan ka ndaj tij", ka thënë për Nacionalen politologu Imeri.

Në trajtimin e vizitës në terma suksesi, ai shprehet paksa skeptik. Në këtë dritë, në vlerësimin e tij, vizita e Kurtit nuk shenjon vetëm pafuqinë e Kurtit, por rrjedhshëm edhe mosfunksionim të përgjithshëm të diplomacisë kosovare në përgjithësi.

"Së dyti, këtë vizitë duhet ta shohim edhe nga një perspektivë tjetër, ajo e agjendës, ku vërehet se Kurti nuk ka arritur të imponohet në listën e funksionareve të lartë amerikanë, saqë kjo mund të jetë edhe njësia me e mirë matëse e kësaj vizite. Por, kjo është edhe një tregues tjetër, ku përfshihen disa struktura politike nga ato qeveritare deri te grupet lobuese që tregon se as një dhe as tjetra nuk janë duke funksionuar si duhet, ndërsa diplomacia pa to, mbetet e parealizueshme", pohon më tutje Imeri.

Imeri përfundon se, në pikëpamje politike, për aq kohë sa agjendës së kryeministrit vizitues i mungojnë takimet me përfaqësues të nivelit të lartë të politikës amerikane, menjëhershëm, vizita mbetet disi e mangët.

Si të matet politikisht kjo vizitë, në terma ekonomikë mund të cilësohet në rastin më të mirë investim, në terma filozofikë e didaktikë mundësi për të paraqitur potencialet shkollore të kryeministrit, ndërsa në aspektin politik, sa kohë që pavarësisht qëndrimit të gjatë, nuk takon asnjë nga bartësit kryesor të shtetit, tregon se Kosova nuk është në listën kryesore të agjendave emergjente, ose së paku jo për momentin, përfundoi Imeri, fjalën e tij për Nacionalen.

Më ashpër në lidhje me vizitën e kryeministrit Kurti, është shprehur studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Avdi Smajljaj. Në opinionin e tij, thuajse çdo gjë e kësaj vizite është jo e përshtatur në formën ideale.

“Vizita është paplanifikuar, pa agjendë, tepër e gjatë karshi shumë problemeve të brendshme dhe të jashtme me të cilat përballet vendi”, deklaroi Smajljaj.

Shoqëria civile

Përgjithshëm vizita e Kurtit në SHBA, nga folës të ndryshëm të shoqërisë civile është vështruar me sy kritik. Ata pahtësonin elementet të cilat mungonin, që në vështrimin e tyre ishin evidente.

Një nga folësit kritikë më të dalluar, ishte Petrit Zogaj, me këtë të fundit që vizitën e kreyminsitrit e quajti një “sorollatje të keqe”.

"Kryeministri i Kosovës po e lë Amerikën, nga vizita e tij 16-ditore pa e taku asnjë anëtar të kabinetit te presidentit Biden. Asnjë. Zero", shkroi ai, duke vënë në thumb të kritikës mungesën e dukshme të takimeve me figura të shquara të politikës.

Më tutje, ai listoi një numër institucionesh, mbase të dorës së dytë, takimi me të cilat mungoi po ashtu.

“Nuk e pritën as në departamentin e shtetit, ku ka të caktuar një të dërguar special për Ballkanin. Nuk e pritën as në departamentin e mbrojtjes, ku kanë trupa në Kosovë, e ku kemi një grup punues për anëtarësim në NATO dhe ku po kërkojmë që US të ketë një bazë të përhershme të trupave në Kosovë”, vazhdoi Zogaj.

Ndërsa nga organizata Germin, e cila angazhohet për lidhjet më të organizuara me diasporën, janë deklaruar për vizitën e Kurtit. Sipas Arbnor Mjekut, zyrtar brenda organizatës, “çdo vizitë jashtë vendit që ka si qëllim angazhimin e diasporës dhe më gjerë për të investuar në vendin tonë, është më tepër se e mirëpritur”.

Mirëpo ai theksoi edhe një herë se kjo vizitë paksa e re për nga forma për një kryeministër, kjo sipas tij për shkakun e rëndësisë që ai i kushtoi vizitave të natyrës ekonomike dhe lënies pas dore të takimeve të karakterit politik.

“Më parë nuk kanë qenë të zakonshme vizitat e kryeministrit në kompani. Për më tepër, me mostakimin e ndonjë zyrtari të lartë të Shtëpisë së Bardhë, brenda kësaj kohe, kjo vizitë dukej sikur të jetë paksa e papërgatitur”, shprehu Mjeku për Nacionalen.

Kështu, vizita e Kurtit në SHBA, brenda Kosovës është vlerësuar në forma e gjuhë të ndryshme. Kështu që, mund të përfundohet, se përgjithshëm, në një stil deduksionist: me atë përmbajtje të agjendës, me atë kohëzgjatje dhe në këto rrethana politike, vizita nuk është gjykuar si një veprim i suksesshëm diplomatik.

Përgatiti: Arbër Thaçi

Lajme të ngjashme