Presidenti i Shqipërisë nuk pranon ta takojë LDK-në në zyret e saj - NACIONALE

Presidenti i Shqipërisë nuk pranon ta takojë LDK-në në zyret e saj

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, po qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës. Por, edhe pse vizita e parë në vendin tonë, një telashe i ka ndodhur menjëherë. Më konkretisht, me LDK-në.

Shumë prej rrugëve të kryeqytetit janë bllokuar për t’i ofruar qarkullim të lirë eskortës së presidentit shqiptar të cilit gjysma e Kosovës ende nuk ia di as emrin. Megjithatë, rruga që të çon drejt zyreve të LDK-së, partisë më të vjetër parlamentare në vend, nuk do të përshkohet prej tij.

Burime të gazetës Nacionale kanë njoftuar se presidenti i Republikës së Shqipërisë ka ftuar në takim kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun (ashtu siç mund të ketë ftuar edhe krerët e partive tjera parlamentare) por ka shtruar një kërkesë specifike: takimi të mos ndodhte në zyret e Lidhjes Demokratike.

Burime të Nacionales kanë njoftuar se Abdixhiku ka refuzuar krejtësisht kërkesën e presidentit shqiptar.

“Kemi vendos mos me u taku pas asaj kërkese. Takimi me presidentin e mëparshëm Meta ka ndodh në zyret tona, e edhe me liderët e tjerë të Shqipërisë.” – na tha burimi.

Për më tepër, kërkesa e Begajt besohet se do të çojë edhe në një refuzim të plotë të takimit me presidentin Begaj.

Presidenti 55 vjeçar shqiptar do të zhvillojë vizitë dyditore në vendin tonë. Ai u zgjodh presidenti i nëntë i Shqipërisë më 24 korrik të vitit 2022 duke pasuar Ilir Metën. Më herët, ai ka shërbyer në ushtrinë e Republikës së Shqipërisë.

Ish presidenti Meta disa ditë para se të dorëzonte mandatin ishte po ashtu për vizitë zyrtare në Kosovë, ku përveç krerëve institucionalë u takua edhe me kryetarin e LDK-së, z. Lumir Abdixhiku, pikërisht në zyret e kësaj partie.

Kujtojmë se Lidhja Demokratike (LDK) është parti e qendrës së djathtë që funksionon që nga 23 dhjetori i vitit 1989 dhe ka pasur vazhdimisht raporte të mira me liderët e Shqipërisë.

Nuk dihet se për çfarë arsyesh presidenti shqiptar Begaj ka refuzuar që të takohet me krerët e LDK-së në zyret e kësaj partie politike.

Lajme të ngjashme