Në Kosovë fryn erë mjerimi - NACIONALE

Në Kosovë fryn erë mjerimi

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Enis Rushiti

Pas publikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, publicisti Veton Surroi pati publikuar një status në rrjetin social Facebook: “Në Kosovë fryn erë lirie”. Publicisti Surroi, si një përkrahës i opozitës së asaj kohe (LVV-LDK) dhe nën entuziazmin e rezultatit shkroi këto fjalë. E kuptueshme, sepse sikurse ai, ishin të entuziazmuar për rezultatin zgjedhor edhe shumë qytetarë si pasojë e keq-qeverisjes dhe abuzimit me paranë publike nga ana e PAN-it.

Mirëpo, në më pak se dy vjet kemi një situatë të kthyer përmbys: rrugëve të Kosovës dhe objekteve të (hiper)marketeve ‘fryn erë mjerimi’’. #KrejtDheDrejt na ka pllakosur rritja enorme e çmimeve të produkteve elementare. Raftet e boshatisura të marketeve, rrugët fantazmë që të ngjasojnë me një situatë lufte, shëndeti mental i rënduar, fytyra të dëshpëruara të njerëzve e depresioni ekonomik ka prekur pothuajse çdo ekonomi familjare.

Një situatë e përsosur që deputetja Tinka Kurti të bëjë një ‘’Reportazh nga furrat e bukës’’. Veçse për dallim nga koha kur pati publikuar shkrimin, reportazhin duhet ta zhvendos dhe tek ‘’raftet e boshatisura të marketeve’’, tanimë si një pushtetare! Si opozitare, ‘në reagim ndaj reagimeve’ rreth këtij shkrimi të publikuar më 2018, thoshte: ‘’Pos hajnive, Thaçi do të paguhet 2868 euro, Haradinaj 2390 euro, ministri 1800 euro…’’, duke reaguar ndaj vendimit për rritjen e pagave nga ana e ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj. E drejtë, mirëpo sipas draftit të projektligjit për paga që rrodhi së fundi në media, edhe krerët e tanishëm të shtetit do të kenë pagë të njëjtë.

“Pushtetarët po e shqyejnë mishin, ndërsa populli po vuan për bukë” shprehej Tinka opozitare. Siç thoshte poeti proletar, Migjeni në dilemën e tij: “Sokrat i vuejtun apo derr i kënaqun?” qytetari i rëndomtë po vazhdon të jetë “Sokrat i vuejtun”, znj. deputete; ndërsa secili establishment po e vazhdon salltanetin e “derrave të kënaqun”.

Vitin e kaluar si pushtetare, thoshte: “Buka është e drejte e secilit e secilës.”, ku premtonte “Bukë dhe trëndafila.”. Znj. deputete, dje ishte 8 marsi – dita ndërkombëtare e grave; për ata që kanë pak, e që përbëjnë shumicën e qytetarëve, kurrë më rrallë s’i kemi parë duke blerë trëndafila që t’jua dhuronin më të dashurave të tyre. Gjasme, për gratë e shumicës së familjeve mesatare, këtë vit trëndafilat shiheshin si luks dhe u lanë në plan të dytë. Ato e kishin hallin diku tjetër, të siguronin bukë!

“1 qershori i fëmijëve (të Migjenit): "A po na blen bukë?"

Nuk isha i sigurt çka dëgjova. Ndoshta pse s'e besova menjëherë. Fytyrën time e pashë te pyetja që m’u përsërit: "A po na blen bukë?".

Një bukë, kos, tri domate, gjashtë karrota, dhjetë salsiçe. Gjithsej: 3 euro e 40 centë.

Nuk ka dhunë më të rëndë sesa varfëria te fëmijët. Papunësia është individuale, varfëria është familjare. Fëmijët e familjeve të varfra e bartin PANhajninë mbi supet e tyre të njoma.

Aq shumë fëmijë e ndajnë varfërinë e familjeve të tyre, të privuar nga rritja, që mbijetojnë në skamje.

Shumë sy të mëdhenj nën balluke të djersitura e mbi këpucë që nuk u shihet ngjyra nga pluhuri do ta hanë botën.

Asgjë nuk është normale’’ – kështu shkruante kryeministri aktual më 1 qershor 2019, me rastin e ditës së fëmijëve.

Një situatë e tillë migjeniane po na përsëritet. Ajo po na përplaset në fytyrë, veçse më ashpër e me pasoja shumëfish më të rënda. Kafshatë që s'kapërdihet asht, or ‘kryeministër’, mjerimi, kafshatë që të mbetë në fyt edhe të ze trishtimi’’ - “Poema e Mjerimit” e përshkruan më së miri gjendjen alarmante të inflacionit, që e sheh ‘kado që do ecësh e kado që të shkosh’.

I nderuar kryeministër, më 26 gusht 2013 në sheshin ‘’Zahir Pajaziti’’, keni prezantuar ‘’ALTERNATIVËN QEVERISËSE’’ – e cila përbënte një standard të ri në politikbërjën kosovare. #TashMeLëvizjen në pushtet, është koha që këtë “Alternativë Qeverisëse” ta jetësoni si qeveri duke ofruar alternativa për dalje nga ky “Dimër i VARFËRISË së madhe!”

Lajme të ngjashme