BE thotë se KOSTT dhe Elektrosever kanë arritur marrëveshje për energjinë elektrike në veri - NACIONALE

BE thotë se KOSTT dhe Elektrosever kanë arritur marrëveshje për energjinë elektrike në veri

3 vjet më parë

nga NACIONALE

BE-ja njoftoi se KOSTT-i dhe kompania serbe Elektrosever nga Mitrovica e Veriut, kanë arritur një marrëveshje teknike për zbatimin e Udhërrëfyesit për Marrëveshjen për Energjinë më 18 tetor, raporton REL.

Sipas BE-së, Elektrosever ka dorëzuar të dhënat e konsumatorëve në veri pas nënshkrimit të marrëveshjes.

“BE-ja ishte njoftuar nga ana e Kosovës për inicimin e fazës 15-ditore të konsultimeve sipas nenit 8 të Udhërrëfyesit të ndërmjetësuar nga BE-ja. Si rezultat i ndërmjetësimit të BE-së, më 18 tetor KOSTT dhe Elektrosever kanë finalizuar dhe nënshkruar marrëveshjen e standardeve teknike, sipas nenit 3 të Udhërrëfyesit. Të njëjtën ditë, Elektroseveri ka dorëzuar të dhënat e konsumatorëve, sipas nenit 2 të Udhërrëfyesit”, ka thënë zëdhënësi i BE-së për REL.

Bashkimi Evropian u ka kërkuar palëve që të përmbushin sa më shpejt të gjitha kërkesat e Udhërrëfyesit, me argumentin se me afrimin e sezonit të dimrit, nuk ka kohë për të humbur.

“Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve të rëndësishëm që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të zbatojnë pa vonesa të reja obligimet e tyre që kanë mbetur nga Udhërrëfyesi”, ka thënë zëdhënësi i BE-së për REL.

Kujtojmë që kompania serbe, Elektrosever, kishte shkelur afatet e përcaktuara në Udhërrëfyesi për Zbatimin e Marrëveshjes së vitit 2013 për Energjinë, për të cilin Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord më 21 qershor.

Përkundër që u licensua nga ZRrE-ja, ky operator serb nuk i ka plotësuar kushtet që parashiheshin në udhërrëfyesin e nënshkruar nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

"Elektrosever"-i kishte pasur fillimisht një afat prej 100 ditësh për t'i plotësuar kushtet e parapara, por nuk e kishte përfillur këtë afat. ZRrE-ja ia kishte dhënë ndërkohë një afat shtesë.

“Po, afati ka kaluar të dielen (2 tetor). (Megjithatë) Duhet të kalojë afati prej 15 ditësh nga data e 100-ditëshit. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me Elektroseverin. Por ata po përdorin arsye të zakonshme politike (për mospërmbushje të kritereve)”, – thuhej në përgjigjen e tyre.

Drejtori menaxhues i "Elektrosever"-it, Boban Novakoviq, i kishte thënë Nacionales se “çështja ishte politike” dhe se ai ishte vetëm punëtor i kompanisë në fjalë.

Lajme të ngjashme