Ftohtë e më ftohtë: skadon edhe afati shtesë për Elektroseverin, "topi" te ZRrE-ja për t'ia licencën - NACIONALE

Ftohtë e më ftohtë: skadon edhe afati shtesë për Elektroseverin, "topi" te ZRrE-ja për t'ia licencën

3 vjet më parë

nga Anita Nikaj

Udhërrëfyesi për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë, i nënshkruar në muajin qershor, kishte bërë shumë bujë. Por, në heshtje, tashmë ky udhërrëfyes mund t'i rrezikojë jo vetëm Marrëveshjen e Energjisë, por edhe gjithë procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Operatorit serb, "Elektrosever" i ka kaluar tashmë edhe afati shtesë.

21 qershori ishte një ditë e mirë, sipas Qeverisë Kurti, por jo edhe sipas opozitarit Kurti. "Elektrosever"-i – një operator serb që kishte për pronare një kompani shtetërore të Serbisë – ishte licensuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE).

Megjithatë, përkundër që u licensua nga ZRrE-ja, ky operator serb nuk i ka plotësuar kushtet që parashiheshin në udhërrëfyesin e nënshkruar nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

100 ditë afat

Udhërrëfyesi ia rrëfeu udhën kryeministrit Kurti, por jo edhe shtetit serb, që nuk e përfilli marrëveshjen.

"Elektrosever"-i kishte pasur fillimisht një afat prej 100 ditësh për t'i plotësuar kushtet e parapara, por nuk e kishte përfillur këtë afat. ZRrE-ja ia kishte dhënë ndërkohë një afat shtesë.

“Po, afati ka kaluar të dielen (2 tetor). (Megjithatë) Duhet të kalojë afati prej 15 ditësh nga data e 100-ditëshit. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me Elektroseverin. Por ata po përdorin arsye të zakonshme politike (për mospërmbushje të kritereve)”, – thuhej në përgjigjen e tyre.

Por tashmë ka kaluar edhe afati shtesë prej 15 ditësh dhe nuk ka asnjë informacion të ri. Nacionale ka provuar të kontaktojë me ZRrE-në, por ky organ nuk është përgjigjur në thirrjet e përsëritura të redaksisë.

15 ditë shtesë

Pikërisht gjatë ditës së djeshme, kur ky afat po skadonte, emisari special i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, është takuar në Beograd me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, dhe njëra prej temave që u tha se ishin folur, ishte pikërisht ajo e energjisë.

Lajçaku ndërkohë e kishte vizituar në mënyrë të papritur edhe Prishtinën dhe kishte zhvilluar takim me kryeministrin Albin Kurti.

Ai kishte pranuar se kishte rrezik që t’i hiqej licensa operatorit serb për mosplotësim të kushteve, ndërkohë kishte treguar edhe për një takim të zhvilluar në Bruksel të hënën e kaluar për çështjen e kaluar mes palëve.

“Për energji, jemi në proces të konsultimit, ka rrezik t’i tërhiqet licenca Elektroserverit e nuk duam të ndodhë kjo. Për këtë i ftuam në Bruksel të gjithë aksionarët, si KEDS e Elekstroserver të hënën, ku kemi e kaluar ditën duke e diskutuar situatën,” – ishte shprehur ai.

Tetë ditë pas atij takimi dhe 116 ditë pas licensimit të operatorit "Elektrosever", askush nuk i është përgjigjur Nacionales në lidhje me atë që po ndodh në këtë proces.

Drejtori menaxhues i "Elektrosever"-it, Boban Novakoviq, i kishte thënë Nacionales se “çështja ishte politike” dhe se ai ishte vetëm punëtor i kompanisë në fjalë.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka pranuar se kjo kompani ka qenë në takim me Lajçakun, por nuk ka dhënë detaje shtesë.

Qeveria Kurti II kishte shpresuar që duke e nënshkruar Udhëzuesin për Zbatim të Marrëveshjeve për Energjinë, do të arrinte ta zgjidhte problemin e mosfaturimit të qytetarëve serbë në veri të vendit.

Nuk dihet se cilat do të jenë pasojat e mundshme të veprimit apo edhe mosveprimit nga ana e Zyres së Rregullatorit të Energjisë për Elektroseverin. Ajo që dihet është se ditë të nxehta priten në vazhdim me afrimin e një afati tjetër, atij për regjistrimin e targave në RKS nga serbët që jetojnë në Kosovë. Ky afat është 31 tetori.

Lajme të ngjashme