"Bashkimi Kombëtar më shqetëson"
Rron Gjinovci ka qenë i ftuari i radhës te Intervista e Buzhalës, prodhim i Gazetës Nacionale.
Aktivisti, siç preferon ta quajnë, ka komentuar shumëçka nga jeta e tij, qoftë ajo prej aktivizmi shoqëror, qoftë private.
Për ata që s'e përcollën gjatë premierës mbrëmë, po ua zgjerojmë këtu njërën prej pjesëve më interesante. Atë kur flet për Bashkimin Kombëtar.
Gjinovci, të paktën tani për tani u shpreh hapur kundër këtij "projekti". Shkak për këtë është gjendja poshtë kufirit shqiptaro-shqiptar.
Madje, ai mori shkas edhe ngjarjet e fundit në Shqipëri me rastin e zhdukjes së Ervis Martinajt.
Këto diskutime, drejtori i ORCA-s i filloi teksa u përgjigj në pyetjen e autorit lidhur me atë se si i sheh raportet mes Kosovës e Shqipërisë.
“Mua më pëlqen që raportet mes Kosovës e Shqipërisë janë kaq keq. Sepse kur thuhet, Bashkimi Kombëtar, mua më shqetëson, sepse...me kë po doni m’u bashku a po kupton? Aty zhduket njeriu edhe nuk e din askush pse u zhduk! Dmth, flitet për një person që është i involvuar që është në mafi.
Edi Rama s’ka as agjenci të sigurisë as kurgjo. Pse ndodh kjo? Njerëzit po thonë që vrasjet e fundit mes mafisë kanë të bëjnë me faktin që ShBA-ja ka me nxjerr lista të reja të zeza, që kanë me hy njerëz të caktuar, ndodh që kryeministra e presidentë të vendeve të Ballkanit Perëndimor janë të lidhur me ta”.
Jo vetëm kaq. Ai komentoi edhe ministrat dhe menaxhimin e deritanishëm të kryeministrit. Këtë të fundit ai e lavdëroi jashtëzakonisht shumë në çështjen e dialogut, duke thënë se beson në çdo gjë.
"I besoj Albinit sa i përket dialogut. Çfarëdo vendimi që merr, e mbështes", tha ndër të tjerash ai.
Por, nuk ndante të njëjtin mendim edhe për qasjen e shefit të ekzekutivit në shëndetësi.
Madje, ai me shaka tha se do ta rrihte shpulla, në veçanti pas angazhimit të atij komisioni.
"A qe, për shëndetësi për shembull. Shpulla e kisha rreh. Ani me atë komision", vazhdoi Gjinovci.
Në një nga pjesët e fundit të kësaj paraqitje, ai foli edhe argumenteve të qeverisë.
Sipas opinionistit të dikurshëm të Pressing'ut, qeveria ka argumente që nuk di t'i përdor.
Ndërkaq, rreth asaj se pse zyrtarët e kësaj qeverie nuk po dalin në televizione për t'u përballur me gazetarët, Rroni shtoi:
"Albini për shembull është nëna e retorikës. Ai është pasionant i diskutimeve. Po mendoj që frikësohet se tani mundet me thënë diçka që s'duhet me thënë si kryeministër".
Më poshtë edhe njëra prej pjesëve të zgjedhura, ndërsa siç edhe mund ta shihni, në pjesën e epërme është episodi i plotë.

