"Bashkëpunimi me partnerët kyç": Osmani tregon se çka foli me Scholzin e Macronin në Moldavi - NACIONALE

"Bashkëpunimi me partnerët kyç": Osmani tregon se çka foli me Scholzin e Macronin në Moldavi

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, e ka takuar në Moldavi dy krerët më të rëndësishëm të Evropës, më saktësisht kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz dhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron. Sigurisht, temë e diskutimit ishte pashmangshëm zhvillimet shqetësuese në veri të Kosovës.

Pas takimit me dy krerët evropianë, ku prezent ishte edhe shefi i diplomacisë së BE-së, Joseph Borrell, zonja Osmnai shkroi në profilin e saj në Facebook. Aty ajo theksoi se bashkëpunimi me partnerët tanë është kyç.

“Në këtë kohë përcaktuese për sigurinë në rajon e Evropë, bashkëpunimi me partnerët tanë është kyç. Së bashku me Presidentin Emmanuel Macron dhe Kancelarin Olaf Scholz, si dhe me përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme të BE-së, Josep Borrell, diskutuam zhvillimet e fundit në Kosovë dhe angazhimin e përbashkët për paqe, siguri dhe stabilitet.” – shkroi Osmani.

E një komunikatë për këtë takim e lëshoi edhe Presidenca e Kosovës, të cilën e udheheq vetë Osmani, duke dhënë pak më shumë detaje. Në takim, shkruhet në komunikatë, Osmani i ka njoftuar bashkëbiseduesit evropianë se vendosja e rendit dhe ligjit në veri po sfidohen nga strukturat ilegale serbe.

“Në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në Kosovë dhe rajon. Presidentja Osmani ka ritheksuar se Kosova është e përkushtuar për ta vazhduar koordinimin me partnerët ndërkombëtarë për proceset në nëpër të cilat po kalon vendi. Presidentja ka potencuar se përpjekjet e Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit në veriun e vendit po sfidohen nga struktura ilegale serbe të mbështetura nga Vuçiqi dhe të shndërruara në banda kriminale, të cilat kanë sulmuar Policinë e Kosovës, KFOR-in, teksa po vazhdojnë me sulme ndaj gazetarëve dhe qytetarëve. Tutje, Presidentja Osmani ka thënë se veprimet e tilla synojnë destabilizimin e Kosovës dhe rajonit, duke theksuar se duhet një qëndrim unik kundërshtues nga ana e shteteve të BE-së kundrejt tendencave që rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në rajon.” - theksohet në njoftimin e Presidencës.

Për këtë takim, ende nuk janë deklaruar pjesëmarrësit evropian.

Amerikanët…

Megjithatë, gjatë ditës kanë folur amerikanët. Antony Blinken, sekretar i shtetit, e mbajti një koferencë për medie në Oslo të Norvegjisë pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të NATO-së, Jens Stoltenberg, ku foli edhe për veriun. Ai e kishte një mesazh të qartë, duke theksuar se duhet të shtensionohet situate në veri. Në konferencën e tij, Blinken e shprehu shqetësimin për situatën në veri.

“Shumë aleatë shprehin shqetësimin për rritjen e tensioneve në veriun e Kosovës dhe i dënon fuqishëm sulmet e fundit ndaj KFOR-it, kolegët tanë italianë dhe hungarezë u lënduan në atë sulm. I ftojmë Qeverinë e Kosovës dhe të Serbisë të ndërmarrin hapa të shpejt për të de-eskaluar situatën dhe të rinisin përpjekjet për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit të udhëhequr nga BE-ja.” – tha ai.

Z. Blinken tregoi se një eskalim i tillë i situatës, e vështirëson rrugën e Kosovë (por edhe të Serbisë) drejt integrimit euro-atlantik.

“Ne e përkrahim procesin e integrimit euro-atlantik të Kosovës dhe Serbisë, por eskalimi aktual e pengon dhe s’e ndihmon lëvizjet në atë drejtim.” – shto ai.

Ndërsa ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, i përsëriti kërkesat kryeministrit Kurti që të gjendeshin zyra alternative për kryetarët, në mënyrë që të arrihej deeskalimi i situatës në veri.

“Sapo u takova me kryeministrin Kurti – si pjesë e takimeve tona të rregullta – siç mund ta merrni me mend, folëm për disa prej çështjeve më të rëndësishme, për situatën në veri. E përsërita qëndrimin e ShBA-ve, që më së fundi u shpreh nga Sekretari Blinken për nevojën për hapa urgjentë që të deeskalohet situata atje.” – tha ambasadori.

“Unë nuk jam në pozitë për të thënë se cilat janë, më duhet të them që SHBA është duke menduar se çfarë mjetesh të tjera kemi për të inkurajuar Qeverinë e Kosovës t’i bëjë gjërat që mendojmë se janë shumë të rëndësishme, e që është arritja e shtendosjes në veri” – shtoi z. Hovenier.

Lajme të ngjashme