Pronari i autobusit të sulmuar në Serbi: Po t'u ndodhte serbëve, Vuçiqi do ta përmendte në OKB - NACIONALE

Pronari i autobusit të sulmuar në Serbi: Po t'u ndodhte serbëve, Vuçiqi do ta përmendte në OKB

3 vjet më parë

nga Eriola Cacaj

Një autobus, që po udhëtonte nga Zvicra Kosovë, u sulmua para saktësisht tri ditëve gjersa po kalonte nëpër Serbi. Dy persona të maskuar kanë goditur me gurë në drejtim të autobusit. Fatmirësisht, sipas rrëfimit të zyrtarëve të kompanisë transportuese, e tëra përfundoi vetëm me dëme materiale.

Për këtë çështje, ndonëse me tri ditë vonesë, ka folur edhe z. Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i Kosovës, i cili theksoi se e dënon këtë sulm.

Sulmi

Nuk është hera e parë që një autobus i Kosovës sulmohet me gurë apo me ndonjë mjet tjetër në Serbi.

Në fundjavën që shkoi, autobusi i kompanisë turistike, “Turist Kosova e Re”, i cili po udhëtonte nga Zvicra për në Kosovë, u sulmua me gurë në rrugën Nish – Leskovc.

Drejtori i kësaj kompanie, Agim Muqolli, ka treguar për gazetën Nacionale se ishin dy persona të maskuar që e kryer këtë vepër.

Ishim duke u kthyer nga Zvicra, dy persona të maskuar kanë gjuajtur më gurë drejt autobusit, ku është thyer njëri nga xhamat anësorë. Nuk është dëm i madh dhe lehtë riparohet. Fatmirësisht, nuk ka asnjë të lënduar”, ka treguar Muqolli.

Ndonëse me tri ditë vonesë, megjithatë Qeveria e Kosovës foli për këtë çështje.

Dyshi i Qeverisë Kurti, Besnik Bislimi, theksoi se për këtë rast janë njoftuar autoritetet serbe, por të njëjtat nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim.

Dënojmë ashpër sulmin e planifikuar ndaj autobusit nga Kosova, gjatë daljes nga autostrada në Serbi. Autoritetet serbe janë informuar për sulmin, por nuk është ndërmarrë asnjë veprim. Ky mosveprim mund të interpretohet lehtësisht si ftesë e nënkuptuar për akte të tilla të tmerrshme”, ka shkruar Bislimi.

Reagimin e Bislimit për sulmin me gurë ndaj autobusit e ka komentuar edhe pronari i kompanisë, duke thënë se nuk e di se çfarë të thotë.

E pashë që tek sot ka reaguar zavëndëskryeministri, tash unë nuk mund të vlerësoj se sa reagim i fortë është, por në qoftë se do t'u kishte ndodhur serbëve, Vuçiqi do ta kishte përmendur në OKB”, ka thënë ai.

Herë pas here ndodhin incidente në Serbi, duke u sulmuar autobusët që udhëtojnë nga dhe për në Kosovë.

E sa ishte në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje ishte shumë më e ashpër në reagime.

Në vitin 2019, një autobus me targa të Shqipërisë, por që ishte nga Kosova dhe i mbushur me kosovarë, po udhëtonte nga vendi ynë drejt perëndimit, saktësisht në Frankfurt, dhe i njëjti ishte sulmuar në Krushevc të Serbisë.

E në atë kohë VV-ja, që ishte opozitë, e kishte cilësuar sulmin si akt barbarie anti-shqiptare.

Edhe një akt barbarie anti-shqiptare në Serbi. Burracakëria shoviniste kësaj radhe u shfaq në sulmin me gurë e mjete të forta ndaj një autobusi me udhëtarë nga Kosova, që shkonin drejt vendeve të BE-së”, kishte thënë kjo parti në një reagim pas këtij sulmi.

Lajme të ngjashme