Auditimi nga Ministria e Financave, shantazh e kërcënim sipas komunave të opozitës
Ministria e Financave këtë të hëne ka lëshuar pagat për muajin qershor, përkundër që nuk mori lista të grevistëve siç i kërkoi për ditë me radhë. Por, Ministria e udhëhequr nga Hekuran Murati, dha deklarata të ashpra për komunat që nuk iu bindën rreth listave të grevistëve, duke theksuar se do të realizojë auditim për këtë çështje.
Të gjitha komunat e PDK-së, LDK-së, AAK-së e Nismës Socialdemokrate, të cilat nuk i kanë dorëzuar listat me grevistët, do të përballen me një auditim të veçantë.
Ministria e Financave, në njoftimin e tyre, deklaroi se përgjegjësia e çfarëdo shkeljeje ligjore bie mbi zyrtarët kryesorë të administratës.
“Për organizatat buxhetore që nuk kanë bërë përditësimin e listave dhe ku ka indikacione që ka pasur greva, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve do të bëjë konstatim të shkeljes së dispozitave ligjore të menaxhimit të financave publike, lidhur me shpenzimin e parasë publike dhe Ligjit për Greva. Për këtë, Ministria do të njoftojë organet përkatëse, përfshirë edhe Zyrën Kombëtare të Auditimit që të kryejë një auditim të veçantë për këtë çështje, ku përgjegjësia e çdo shkeljeje ligjore bie mbi Zyrtarët Kryesor Administrativ të organizatave buxhetore dhe stafin përkatës”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.
“Auditimi si kërcënim e shantazh”
Komuna e Ferizajt e cila udhëhiqet nga Agim Aliu i PDK-së, në një përgjigje për gazetën thonë se auditimi i paralajmëruar është një mjet shantazhi për grevistët.
Ferizaji se janë kundër shantazheve dhe kërcënimve, duke theksuar nevojën e dialogut.
“Kjo shihet si mjet shantazhi për grevistët, e që ne jemi kundër shantazheve dhe kërcënimve, sepse në vend të tyre mendojm që do të duhej të ishte dialogu në mes paleve, e që nxënësit të iu kthehen sa më parë mësimit e gjithashtu edhe normalizimi edhe në administratë sepse edhe këtu po pësojn qytetarët. Më shumë se hakmarrja, është dami që po shkakton kjo krizë”, thuhet në përgjigjen e kësaj komune.
Tutje, kjo komunë thotë se sipas ligjeve dhe procedurave për çdo muaj me datë 10, dorëzon listën si zakonisht tek Ministria e Financave. Për lista tjera nuk kanë çfarë të dorëzojnë.
Ndërsa komuna e Vitisë, e udhëhequr nga Sokol Haliti i LDK-së thotë se qëndrimin e ministrit të Financave, e konsiderojnë kërcënim direkt.
“Çdo komunë për çdo vit i nënshtrohet dy llojeve të auditimit, auditimit të brendshëm dhe auditimit të jashtëm. Kur punët e komunës shkojnë në përputhje me procedurat ligjore, që janë obligative për ushtrimin e pushtetit lokal, çdo auditim jashtë këtyre procedurave ka emërtim tjetër. Këtë qëndrim të ministrit të financave, e konsiderojmë si lloj kërcënimi direkt, për zyrtarin kryesorë financiar të komunës”, thonë nga kjo komunë.
AKK kundër auditimit nga Ministria e Financave
Drejtori i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi ka thënë se komunat mund ta konsiderojnë si kërcënim auditimin e veçantë, për të cilin paralajmëroi ministria e Financave.
Sipas Ibrahimit Zyra e Auditorit të Përgjithshëm i jep përgjegjësi parlamentit të Kosovës, e jo ministrisë së Financave.
“Komunat mund ta konsiderojnë si shqetesuese këtë fakt dhe mund ta marrin si kërcenim ndaj zyrtarëve kryesor financiar ne nivel lokal, kur dihet që Zyra e Auditorit të Përgjithshëm i jep përgjegjësi parlamentit të KOsovës e jo ministrisë së Financave. ZAP e auditon edhe ministrinë e Financave”, tha Ibrahimi.

Komunat e VV-së kundër grevës
Gjatë ditës së dielë, kryetari i Shtimes Qemajl Aliu ka pasur takim me drejtorët e shkollave në këtë komunë.
Një burim në këtë komunë, i tha gazetës Nacionale se kryetari ka kërkuar që të fillohet mësimi të hënen, por drejtorët e shkollave janë deklaruar se nuk mund t’i detyrojnë mësimdhënësit ta ndalin grevën.
“Me drejtora të shkollave kanë pas takim kryetari, Qemajl Aliu, nënkryetari Faruk Beqa, drejtori i Arsimit, Lulzim Sahiti dhe ju kanë kërku që me fillu nesër mësimi. Përgjigjja e drejtorave të shkollave ka qenë që nuk munden me ju ndërhy mësimdhënësve dhe nuk mundem me i detyru me ja fillu”, thotë burimi në këtë komunë.
Për këtë çështje, Nacionale ka tentuar të marrë një qëndrim nga Aliu për këtë çështje, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pasur përgjigje.
Por, kryetari i Sindikatës në Shtime tregon se nuk ka qenë i ftuar në këtë takim, duke theksuar se komuna u ka bërë presion drejtorëve të shkollës për të ndërprerë grevën.
“Sindikata nuk ka marrë pjesë në këtë takim, sepse s’na kanë thirrë. Komuna iu ka thanë me gjetë një gjuhë të përbashkët. Nuk iu kanë ba kurfarë presioni. Greva po vazhdon, si në të gjitha komunat e tjera”, tha Xhavit Rexhaj, kryetar i Sindikatës në Shtime.
Ndryshe gjatë ditës së djeshme 4 kryetarët e komunave nga Vetëvendosje, Shtimja, Podujeva, Gjilani e Kamenica, dolën në një konferencë për media, ku kërkuan që të ndalet greva.


