Komunat e PDK-së e LDK-së s'ia dorëzojnë grevistët Qeverisë, Gjilanit të VV-së as që ia kërkuan - NACIONALE

Komunat e PDK-së e LDK-së s'ia dorëzojnë grevistët Qeverisë, Gjilanit të VV-së as që ia kërkuan

1 vit më parë

nga Trina Zuka

Pas grevës që u shpall nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura më 25 gusht, Ministria e Financave dhe ajo e Arsimit, kërkuan nga komunat listën e punëtorëve grevistë, të cilët u “kërcënuan” me ndalje të pagës. Komunat nga LDK e PDK po kundërshtojnë një gjë të tillë, përderisa komuna e Gjilanit e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se nuk kanë pranuar kërkesë për një listë të tillë.

Përkundër qasjes së Qeverisë Kurti ndaj grevës së BSPK-së, të cilën partitë opozitare e kritikuan shumë, sindikatat janë të vendosura të mos ndalojnë grevën.

Komuna e Drenasit në krye me Ramiz Lladrovcin nga PDK, ka deklaruar se kanë pranuar kërkesë nga Thesari i Shtetit për përpilimin e listave të grevistëve në këtë komunë.

Por të njëjtit, nuk kanë ofruar asnjë informatë për Thesarin.

Pas kërkesës së Thesarit të Shtetit drejtuar Komunës së Drenasit për përpilimin e listave të nëpunësve që janë në grevë, ne si Komunë kemi drejtuar tek personat përgjegjës kërkesën e pranuar. Nga ta u informuam se përgjegjësit e programeve buxhetore, nuk mund të përpilojnë lista siç është kërkuar për nëpunësit grevistë, për arsye se të njëjtit janë në grevë dhe nuk kanë ofruar informata sipas kërkesës së Thesarit”, thuhet nga kjo komunë.

As LDK nuk do t’i dorëzojë listat

Ngjashëm sikurse Drenasi, do të veprojnë edhe nga komuna e Lipjanit, të cilëve po ashtu u është kërkuar të përpilojnë këtë listë. Por, një gjë të tillë nuk do ta bëjnë kjo komunë.

Nuk kemi bërë listë.Thesari i ka listat e të gjithë punëtorëve, ne nuk selektojmë punëtorë në grevistë dhe jogrevistë. Nëse i duhen thesarit, ata i kanë listat, le të veprojnë. Punëtrët tanë të gjithë janë në vend të punes dhe në grevë”, thonë nga komuna e Lipjanit për gazetën.

Komuna e Gjilanit, e cila ka kryetar Alban Hysenin nga Vetëvendosje, në një përgjigje për Nacionale deklaruan se nuk kanë marrë kërkesë për listë të tillë.

Nuk kemi pranuar kërkesë të tillë për listë”, tha shefja e kabinetit të kryetarit, Arbenita Sopi.

Ndërsa kryetarët e komunave nga AAK, nuk janë përgjigjur në thirrjet e Nacionales për të kuptuar nëse do t’i dorëzojnë këto lista siç ka kërkuar niveli qendror.

Nagavci nuk heq dorë

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit, Arbërie Nagavci, gjatë një konference për media të mërkurën, tha se komunat janë ankuar për listën e kërkuar të punëtorëve grevistë.

Por sipas saj ky nuk është presion, por detyrë e tyre sepse një gjë të tillë e bëjnë çdo muaj komunat.

‘’Nuk është presion, komunat dhe punëdhënësit janë të detyruar të kenë listën. Komunat janë ankuar dje, por ne do të vazhdojmë në vazhdimësi sepse si MAShT duhet të dijmë cilat shkolla punojnë e cilat jo. Si MASHT nuk ndërlidhemi me pagat, sepse komunat janë punëdhënësi, edhe komunat janë të obliguara t’i raportojnë Departamentit të Thesarit në MF, edhe nëse nuk i raportojnë atëherë sigurisht që MF duhet të respektojë legjislacionin në fuqi… Sa i përket asaj se si do të vazhdojë çështja e pagesave, ajo ishte edhe kërkesa ime konkrete specifike, unë i lus edhe njëherë mësimdhënësit që ta lexojnë legjislacionin në fuqi dhe ligjin për grevat dhe të vendosin vetë se si do të vazhdojnë punën tutje”, deklaroi Nagavci.

Asociacioni i Komunave akuzon Qeverinë Kurti

Bordi i AKK-së ka kërkuar që problemi i grevës në arsim dhe administratë, të zgjidhet në nivel nacional, sepse ky problem është nacional e jo lokal.

“Zgjidhja e këtij problemi nuk mund të bëhet nëpër komuna veç e veç. Bordi i AKK-së kërkon që sa më parë palët e involvuara në këtë çështje të fillojnë dilalogun në mënyrë që të mos pësojnë nxënësit dhe qytatarët duke mos pranuar shërbime nëpër komuna e në veçanti tash kur është urgjenete legalizimi I objekteve pa leje sepse afati përfundon më 04 shtator 2022 si dhe shërbimet urgjente ndaj diasporës tonë të nderuar e që iu nevoiten për udhëtim”, janë shprehur AKK-ja.

Ndryshe, Sindikata e Bashkuar ka filluar protestën që nga data 25 gusht si arsye e mospërmbushjes së kërkesave të tyre për ndarjen e 100 eurove çdo muaj, deri të fillojë zbatimi i Ligjit të Pagave.

Lajme të ngjashme