AShAK-u e akuzon Ali Ahmetin: E përkrahu ndarjen e Kosovës, shqiptarët s’janë më relevantë në Maqedoni të Veriut - NACIONALE

AShAK-u e akuzon Ali Ahmetin: E përkrahu ndarjen e Kosovës, shqiptarët s’janë më relevantë në Maqedoni të Veriut

1 vit më parë

nga Mirlind Behluli

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (AShAK) ka publikuar në muajin nëntor një analizë të gjatë me 39 faqe, me të cilën synon që ta tërheq vëmendjen e opinionit për politikat destabilizuese të Serbisë. Ndonëse pa autor të përveçëm, analiza merret me marrëdhëniet mes shqiptarëve e të serbëve, duke u përpjekur që të ofrojë një histori të përgjithshme, që nga koha e Betejës së Kosovës e deri te situata më e re në veriun e Kosovës.

I titulluar “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, AShAK-u i komenton edhe Serbinë, Kishën Ortodokse, BE-në, Planin e Ahtisarit, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Edi Ramën, Vetëvendosjen, Ali Ahmetin, BIK-un, Turqinë, fundamentalizmin islamik, Gjykatën Speciale e shumë çështje të tjera, transmeton Nacionale.

Madje, AShAK-u ka bërë një akuzë direkte për Ali Ahmetin, liderin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, i cili udhëhoqi UÇK-në në kryengritjen e 2001-shit. Gjersa shkruan për idenë e “ndarjes së Kosovës”, AShAK-u, që udhëhiqet nga akademiku Mehmet Kraja, shkruan se Ali Ahmeti i BDI-së i kishte dhënë përkrahje ish-presidentit Hashim Thaçi për ndarjen e Kosovës.

“Ai kishte arritur të dominonte disa medie proqeveritare, kishte arritur të krijonte një mbështetje të brendshme kryesisht përmes formave korruptive të pushtetit, por nuk kishte arritur të ndryshonte opinionin publik, i cili në një masë të madhe ishte kundër ndarjes së Kosovës. Më anë tjetër, mbështetja që mori nga disa liderë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut (Ali Ahmeti), se do ta pranonin në qetësi ndarjen e Kosovës, duke mos kërkuar që ata të bashkoheshin me Kosovën ose me Shqipërinë dhe duke mos e copëtuar këtë shtet, nuk kishte asnjë garanci se me një ndarje të Kosovës nuk do të rrënohej njëkohësisht edhe paqja e brishtë në këtë "kërthizë" të Ballkanit Perëndimor.” – shkruan ndër të tjera AShAK-u.

Tutje, AShAK-u e akuzon Ali Ahmetin edhe për defaktorizim të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut pas “Marrëveshjes së Prespës”. Në analizë theksohet se shqiptarët nuk janë më relevantë, posaçërisht në politikën e jashtme, ndonëse aktualisht ministër i Punëve të Jashtme është një politikan shqiptar me emrin Bujar Osmani.

“Pas "Marrëveshjes së Prespës" dhe tejkalimit të problemeve me Greqinë rreth emrit, përveç se kishte pritur një avancim më të shpejtë të integrimeve me BE-në, Maqedonia e Veriut, me këtë forcim të shpejtë të pozitës ndërkombëtare u gjet e inkurajuar të bëjë edhe disa ndryshime edhe në politikat e saj të brendshme dhe rajonale. Rëndësia e pjesëmarrjes së gjerë të shqiptarëve në jetën politike të Shkupit, që mund të konsiderohej si njëlloj katalizatori i stabilitetit, duke ruajtur balancat politike të brendshme dhe të jashtme të vendit, përnjëherësh u përmbys dhe u zhvlerësua. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë më faktor relevant, veçmas jo në politikat e jashtme të këtij shteti, sepse peshën e tyre politike qeveria e Shkupit e ka zëvendësuar, ose synon ta zëvnedësojë me një afrim të drejtpërdrejtë me Tiranën, duke e anashkaluar ose duke e bërë të parëndësishëm faktorin e brendshëm shqiptar. Pranimi në NATO i Maqedonisë e Veriut nuk u lexua në Shkup vetëm si forcim i sigurisë dhe i pozitës ndërkombëtare të këtij shtetit, por më shumë si mundësi për të bërë ndryshime strukturore në politikat e brendshme dhe të jashtme, siç është afrimi me Serbinë dhe anashkalimi i faktorit të brendshëm shqiptar, si përcaktues i konfigurimit politik të vendit. Në të vërtetë, që me largimin e Gruevskit nga Maqedonia përmes një marrëveshjeje Zajev-Ahmeti-Rama, u pa qartë se ky koalicion në të ardhmen do të forcohet edhe më shumë, duke e kthyer faktorin shqiptar të Maqedonsië së Veriut në shërbyes të tij.” – shkruhet në analizën e AShAK-ut.

Në fakt, Ali Ahmeti ishte deklaruar disi i rezervuar për idenë e korrigjimit të kufijve, që në vitin 2018 ishte aktualizuar nga Thaçi. Krejt këtë nismë të Thaçit, Ahmeti e kishte cilësuar si “debat mediatik”, duke theksuar se duhet “demarkacion” të kufirit me Serbinë.

“Sa i takon këtij debati, unë them se më tepër i ngjan një debati mediatik se sa një platforme që shtrohet për zgjidhje. Demarkacioni me Serbinë nuk do të jetë një çështje e lehtë, ashtu siç nuk ka qenë e lehtë as shënimi i linjave të demarkacionit me Main e Zi e me Republikën e Maqedonisë. Unë mendoj se shumë herë ky shënim do të jetë më i vështirë. Mendoj se akoma nuk është hapur një debat që do të mbështetej në faktografi, që do të mbështetej në platformat e palëve në negociata, por një gjë dihet se Kosova pas përfundimit të demarkacionit me dy vendet fqinje, si me Maqedoninë po ashtu dhe me Malin e Zi domosdo që të bëjë shënimin e vijave të kufirit edhe me Serbinë, sepse Kosova duhet pranuar në organizatat ndërkombëtare si në OKB dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë. Sigurisht që Serbia është një nga vendet që paraqet pengesa të mëdha në këtë drejtim, prandaj sa më parë që të mbyllet ky problem aq më mirë do të ishte për të dy vendet, edhe për Serbinë edhe për Kosovën, sepse nuk mund të kemi një rajon stabil duke patur konteste të tilla në mes shteteve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.” – theksonte Ahmeti në intervistën për Zërin e Amerikës.

Lajme të ngjashme