Akademia e Shkencave e Kosovës thotë se shqiptarët e krishterë u konvertuan me dhunë në myslimanë - NACIONALE

Akademia e Shkencave e Kosovës thotë se shqiptarët e krishterë u konvertuan me dhunë në myslimanë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Akademia e Shkencave dhe Arteve, ka publikuar një raport 39-faqësh rreth historisë dhe politikës mes Serbisë dhe Kosovës, duke synuar të tregojë edhe përpjekjet destabilizuese të Serbisë përgjatë historisë.

Në analizën e saj, AShAK përçudnon edhe historinë rreth islamit dhe konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë. Në një pasazh hyrës tek nëntitulli “Manipulimet me fundamentalizmin islamik”, AShAK-u shkruan se shqiptarët e krishterë u konvertuan në myslimanë me dhunë sistematike nga ana e Perandorisë Osmane.

Madje, në analizën e AShAK-it ka edhe gabime faktike, duke shkruar se kosovarët dhe shqiptarët në përgjithësi “përqafuan bektashizmin”, ndonëse ky sekt nuk është dominant për nga numri në trojet shqiptare. Në përgjithësi, myslimanët shqiptarë janë sunit dhe një pjesë e tyre edhe anëtarë të tarikateve të ndryshme.

“Të paktë janë ata nga bashkësia ndërkombëtare që arrijnë të kuptojnë se rreth 98% e kosovarëve janë popullsi myslimane, jo pse ata e zgjodhën myslimanizmin si besim dhe bindje fetare të kohëve moderne, por nga një trashëgimi e kohëve të errëta të historisë. Konvertimi i kosovarëve nga të krishterë në myslimanë ka qenë një proces i gjatë i pushtimit, i detyrimit dhe i dhunës sistematike të Perandorisë Otomane, në njërën anë, kurse më anë tjetër ka ardhur si rezultat i luftës së gjatë mes kishës të Lindjes dhe të Perëndimit, të cilat shpesh i lanë besimtarët e tyre pa udhëheqës shpirtëror. Konvertimi i vonë dhe i paqëndrueshëm mund të ketë qenë një arsye, pse kosovarët dhe shqiptarët në përgjithësi përqafuan bektashizmin, si varianti më liberal i myslimanizmit.” – vlerësohet në analizë.

Tutje, vlerësohet se Serbia ka synuar të ofrojë një imazh aspak pozitiv të shqiptarëve në Perëndim, duke i shpërfaqur si fundamentalistë islamikë.

“Por edhe përkundër kësaj, që pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, Serbia filloi një propagandë intensive, duke afishuar para bashkësisë ndërkombëtare në të gjitha rastet, se popullsia e Kosovës përbëhej nga një popullsi myslimane e prapambetur dhe nga një shoqëri patriarkale e paarsimuar. Pamjet e Kosovës në televizionet jugosllave, por edhe në ato të huaja, veçmas ne "Euroneës", shoqëroheshin rregullisht me minaret e xhamive dhe me ezanin e hoxhallarëve në sfond. Kosova nuk kishte qenë kurrë aq fetare sa ç'donte ta paraqiste Serbia dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare. Me një insistim këmbëngulës dhe me një propagandë intensive shumëvjeçare, nga viti 1981 dhe më pas Serbia arriti që çështjet fetare në Kosovë t'i deformojë ndjeshëm, duke e instrumentalizuar fenë dhe besimin fetar në funksion të problemeve e pazgjidhura politike.” – theksohet aty.

Sipas AShAK-ut, Serbia ka tentuar ta paraqet veten si “mbrojtëse e domosdoshme” e Evropës së krishterë nga fundamentalizmit islamik i Kosovës, Bosnjes dhe Sanxhakut.

“Por, në të vërtetë, Serbia nuk shërbeu asnjëherë si “mur mbrojtës" i Europës kundër fundamentalizmit islamik, por ajo e keqpërdori këtë paranojë të Europës së krishterë, duke futur në veprim shërbimet e saj sekrete, për të nxitur rrymat radikale islamike në Bosnjë dhe në Kosovë, në mënyrë që më pas ta përdorë veprimtarinë e tyre për të tërhequr mbështetjen e SHBA-së dhe të BE-së. Marrëveshja e Dejtonit për Bosnjën dhe "Pakoja e Ahtisarit" për Kosovën janë hartuar në atë mënyrë që nuk lejojnë funksionim normal të këtyre dy shteteve, teksa në prapavijë i japin Serbisë rolin e kujdestarit dhe të mbikëqyrësit, për të monitoruar islamizmin radikal, në një kohë që vetë Serbia këto prerogativa i keqpërdor për t'i bërë obstruksion dhe për të defunksionalizuar në çdo rrethanë jetën normale të vendeve të rajonit.” – shkruhet në analizën e botuar më 23 nëntor të këtij viti.

Lajme të ngjashme