Anti-korrupsioni ngre kallëzim penal ndaj zëvendëses së Donika Gërvallës në MPJD
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, APK ka ngritur aktakuzë ndaj zëvendës-ministres Liza Gashi.
Kjo është konfirmuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit. Në një përgjigje dhënë Betimit për Drejtësi, nga kjo zyre thuhet se tashmë kallëzimi penal veçse është pranuar.
“Iu njoftoj se Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit me datë 09 shkurt 2022, ka pranuar kallzimin penal kundër Liza Agim Gashi zv. Ministre në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës”.
Tutje bëhet e ditur se prokurori kompetent rastin në fjalë e ka dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
“Prokurori kompetent nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, rastin në fjalë më datë 10 shkurt 2022, e ka derguar për trajtim të mëtutjeshëm në Prokurorinë Themelore në Prishtinë”, përfundon përgjigja e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Në anën tjetër, njohësi i Drejtësisë, Ehat Miftaraj ka pandehur se ky kallëzim penal ka të bëjë me mosdeklarim të pasurisë.
Madje, ai kujton faktin se lufta kundër korrupsionit ka qenë kryefjala e qeverisë Kurti, kurse për ironi, një numër i madh i ministrave dhe zëvendës-ministrave nuk e kanë marrë seriozisht deklarimin e pasurisë.
