Ambasada ShBA-së për Nacionalen: Diskutimi ka qëllim avancimin e integrimit të Kosovës në strukturat evropiane
Dita e 31 janarit 2023 pritet të jetë e ngarkuar për politikanë të Kosovës, por gjithashtu edhe për përfaqësues të Ambasadës së Amerikës në Kosovës.
Ambasada e Amerikës në Kosovë ka treguar qëllimin e pse janë duke e organizuar takimin e 31 janar 2023 për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Ambasada i ka thënë Gazetës Nacionale se qëllimi është të avancojnë mirëkuptimin e ndërsjellë për angazhimin e Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë.
“Qëllimi ynë është të avancojmë mirëkuptimin e ndërsjellë për angazhimin e Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë, në mbështetje të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.” – thuhet në përgjigjen e tyre.
Ambasada e ShBA-së në Kosovë ka treguar se janë duke e organizuar me qëllim për të avancuar integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike.
“Ne po e organizojmë këtë diskutim në përputhje me qëllimin tonë të qëndrueshëm për të avancuar integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike dhe si reflektim i miqësisë sonë të gjatë dhe mbështetjes për popullin e Kosovës.” – thuhet në përgjigjen e ambasadës për gazetën.
Krerët e shtetit dërgojnë përfaqësuesit e tyre
Para pak dite u njoftua se në takimin që do të mbajë Ambasada Amerikane në Prishtinë për të biseduar mbi specifikat e themelimit të Asociacionit do të jetë e përfaqësuar edhe presidentja Vjosa Osmani.
“Presidentja Osmani do ta dërgojë një përfaqësues të kabintetit të saj në këtë takim,” – kishte thënë këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina.
Sipas informacioneve të siguruara nga Nacionale gjatë ditës së sotme, një përfaqësues në këtë takim do të dërgojë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Glauk Konjufca, ku përfaqësues do të jetë shefi i Kabinetit të Konjufcës, Ilir Kërçeli.
Një ditë para se të realizohej ky takim, edhe Qeveria e Kosovës njoftoi se nesër sdo të marrë pjesë në takimin për Asociacionin në Ambasadën Amerikane në Prishtinë.
Sipas Kryeziut ftesë për takim nuk ka marrë Kryeministri, Albin Kurti, por Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi.
“Në takime, diskutime e ngjarje të ndryshme në të cilat merr pjesë Kryeministri, zakonisht atyre ju paraprijnë edhe ftesa e dedikuar dhe e personalizuar për Kryeministrin. Një ftesë të tillë nuk ka pasur në këtë rast. Për takimin në fjalë, ftesë ka pranuar Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, i cili do të marrë pjesë nesër”, ka thënë Kryeziu për Tëvë1.
Çka dihet tjetër?
Takimi i 31 janarit, 2023 në Dragodan për Asociacionin (të quajtur edhe Zajednica) do të bashkojë njerëz të ndryshëm të cilët gjithashtu shihen si "partnerë alternativë" nga ShBA-ja.
Rreth 40 personalitete të larta të jetës publike në Kosovë janë ftuar në këtë takim. E përveç tyre, ftesë kanë marrë edhe në Asociacionin e Komunave të Kosovës dhe partitë politike të pakicave etnike.
Përveç të lartpërmendurve, do të marrin pjesë edhe figura të shoqërisë civile si Naim Rashiti, Blerim Shala, Ismet Kryeziu dhe Agon Maliqi. Megjithatë, të pranishëm do të jenë pjesëmarrës nga Lista Serbe dhe pakicat tjera, si dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës.
Përveç tyre, Nacionale ka konfirmuar se mes pjesëmarrësve do të jetë edhe Rene Schlee – përfaqësues rezident i Friedrich-Ebbert-Stifftung (FES) në Kosovë.


