Takimi i 31 janarit në Dragodan për Asociacionin: Osmani, Kurti dhe Konjufca dërgojnë përfaqësuesit e tyre - NACIONALE

Takimi i 31 janarit në Dragodan për Asociacionin: Osmani, Kurti dhe Konjufca dërgojnë përfaqësuesit e tyre

1 vit më parë

nga NACIONALE

Nesër (31 janar) do të mbahet një takim për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ditë më parë kryeministri la të kuptohet se nuk është ftuar fare, sipas fjalëve të tij. Në anën tjetër, drejtuesit e institucioneve të tjera kyçe kanë vendosur të dërgojnë përfaqësuesit e tyre në takim.

Para pak dite u njoftua se në takimin që do të mbajë Ambasada Amerikane në Prishtinë për të biseduar mbi specifikat e themelimit të Asociacionit do të jetë e përfaqësuar edhe presidentja Vjosa Osmani.

“Presidentja Osmani do ta dërgojë një përfaqësues të kabintetit të saj në këtë takim,” – kishte thënë këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina.

Sipas informacioneve të siguruara nga Nacionale gjatë ditës së sotme, një përfaqësues në këtë takim do të dërgojë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Glauk Konjufca, ku përfaqësues do të jetë shefi i Kabinetit të Konjufcës, Ilir Kërçeli.

Megjithatë, një ditë para se të realizohej ky takim, edhe Qeveria e Kosovës njoftoi se nesër sdo të marrë pjesë në takimin për Asociacionin në Ambasadën Amerikane në Prishtinë.

Sipas Kryeziut ftesë për takim nuk ka marrë Kryeministri, Albin Kurti, por Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi.

Në takime, diskutime e ngjarje të ndryshme në të cilat merr pjesë Kryeministri, zakonisht atyre ju paraprijnë edhe ftesa e dedikuar dhe e personalizuar për Kryeministrin. Një ftesë të tillë nuk ka pasur në këtë rast. Për takimin në fjalë, ftesë ka pranuar Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, i cili do të marrë pjesë nesër”, ka thënë Kryeziu për Teve1.

Takimi i 31 janarit në Dragodan

Takimi i 31 janarit, 2023 në Dragodan për Asociacionin (të quajtur edhe Zajednica) do të bashkojë njerëz të ndryshëm të cilët gjithashtu shihen si "partnerë alternativë" nga ShBA-ja.

Nuk dihet nëse Draft-Statut i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe i prezantuar sot dhe i vënë në dispozicion të publikut nga Friedrich-Ebert-Stiftung dhe Instituti Evropian për Paqe, do të jetë pjesë e diskutimeve të tubimit për 31 janar, as nuk dihet nëse këto dy tubime janë shkak-pasojë e njëra tjetrës.

Rreth 40 personalitete të larta të jetës publike në Kosovë janë ftuar në këtë takim. E përveç tyre, ftesë kanë marrë edhe në Asociacionin e Komunave të Kosovës dhe partitë politike të pakicave etnike.

Përveç të lartpërmendurve, do të marrin pjesë edhe figura të shoqërisë civile si Naim Rashiti, Blerim Shala, Ismet Kryeziu dhe Agon Maliqi. Megjithatë, të pranishëm do të jenë pjesëmarrës nga Lista Serbe dhe pakicat tjera, si dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Përveç tyre, Nacionale ka konfirmuar se mes pjesëmarrësve do të jetë edhe Rene Schlee – përfaqësues rezident i Friedrich-Ebbert-Stifftung (FES) në Kosovë.

Lajme të ngjashme