“Allahu ekbar; muslimana”: Pretendimet e dyshimta të Kishës Ortodokse Serbe për grafitet në Pejë
Gjatë viteve të 90-a të shekullit të kaluar, siç shkruan historiani Milorad Tomaniq, Kisha Ortodokse Serbe i kishte shërbyer Sllobodan Millosheviqit, i njohur si “Kasapi i Ballkanit” në përpjekjen për ta krijuar “Serbinë e Madhe”. Megjithatë, duket se vitet kalojnë, por situata nuk ndryshon. Para disa ditëve, Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë i hyri sërish një ndërmarrjeje të rrezikshme dhe të dyshimtë. Për çka bëhet fjalë?
Në një postim në rrjetin social “X”, Dioqeza e Prizrenit dhe Rashkës e KOS-it shpërndau disa fotografi, më të cilën pretendoi se dikush kishte shkruar disa grafite në një kishë në një fshat të Pejës. Shkrimet në grafite ishin absolutisht të çuditshme dhe me konotacione fetare.
Епархија рашко-призренска изражава дубоку забринутост због најновијег напада на цркву Свете Тројице у Селу Накло код Пећи.https://t.co/DrynCMYSDR
— Рашкопризренска (@EparhijaKIM) May 14, 2024
Në fotografitë e publikuara, në muret e kishës ortodokse serbe janë shkruar disa parulla që lidhen me fenë islame.
“Allahu ekbar”, “Islami është feja e votme e Vertet” – ishin dy nga parullat të publikuara nga KOS-i në Kosovë. “Heke ketet ksihe pi ktuhi veç muslimana ka ktu” – ishte një parulle tjetër, ndërsa në një tjetër ishte shkruar gabimisht “shehadeti”, deklarata e përkatësisë në fenë islame, shkruan Nacionale.

Është interesante që këto parulla të analizohen nga aspekti semantik. E para, në këto parulla ka shumë gabime. Togfjalëshi “Allahu ekbar” është shkruar gabimisht. Gabime drejtshkrimore ka edhe në parullën ku pretendohet për vërtetësinë ekskluzive të islamit si fe e vërtetë.
E dyta, në njërën prej grafiteve është përdorur termi “muslimana”, që lë të dyshohet se personi që ka shkruar këto grafite nuk e ka shqipen gjuhë të parë. Është një gabim që nuk bëhet nga folësit e shqipes.

Përtej analizës së gjuhës, ka edhe një tjetër dimension që meriton analizë. Në një shkrim, KOS-i bëri disa pretendime politike, duke shtuar edhe më shumë dilemat e autorit të këtij shkrimi mbi krejt këtë ngjarje.
Kisha Ortodokse Serbe e lidhi sulmin me ndalimin e vizitës së peshkopit serb Porfirije nga ana e Qeverisë së Kosovës.
“Fakti se ky incident pasoi vendimin e autoriteteve të Kosovës për ndalimin e hyrjes së Patriarkut dhe ipeshkvive të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, gjë që i pengoi ata të kryenin Liturgjinë e Shenjtë dhe fillimin e seancës së rregullt të Sinodit të Shenjtë të Ipeshkvive në manastirin e Patriarkanës së Pejës, është veçanërisht shqetësues.” – shkroi ditë më parë Dioqeza e Prizrenit dhe Rashkës e KOS-it, shkruan Nacionale.

Dioqeza i përmendi edhe trazirat e marsit të vitit 2004, duke pretenduar se kjo kishë atëbotë ishte kallur e demoluar.
“Kisha në fshatin Naklo i kushtohet Trinisë së Shenjtë dhe u dogj në trazirat e marsit të vitit 2004.
Renovimi filloi në vitin 2020, kur u pastruan porta dhe varrezat. Më vonë porta u rrethua së bashku me varrezat, u vendos zdrukthtari dhe u përfundua çatia e kishës. Para vitit 2004 në këtë fshat jetonin 300 serbë ortodoksë, iniciativa e të cilëve filloi restaurimin e kësaj kishe” – ka shtuar Dioqeza.
Në fund, Dioqeza shkoi edhe një hap më tutje, duke shtyrë përpara narrativën zyrtare të KOS-it se në Kosovë po “vazhdojnë të ndodhin” sulmet ndaj kishave ortodokse serbe.
“Sulmet ndaj kishave ortodokse serbe në Kosovë vazhdojnë të ndodhin dhe janë bërë veçanërisht të shpeshta muajt e fundit. Në pjesën më të madhe, këto sulme ndaj kishave dhe pronës private kanë një sfond etnik dhe fetar, sepse ato janë të drejtuara në mënyrë specifike kundër komunitetit serb dhe Kishës Ortodokse Serbe” – përfundoi shkrimi i Dioqezës.

Përndryshe, Dioqeza e ka njoftuar edhe Policinë e Kosovës për gjithë këtë ngjarje, ndërsa prokuroria ka hapur rast për “nxitje të urrejtjes, përçarjes apo mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.
“Me datë 14 maj, rreth orës 14:30, përmes telefonit, nga ankuesi në stacionin policor në Pejë është njoftuar se në objektin fetar kishë, dyshohet se disa persona të panjohur kishin depërtuar brenda përmes dritares dhe kanë shkruar disa mbishkrime. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, e ka bërë shënimin e vendit të ngjarjes. Është njoftuar prokurori i shtetit në lidhje me rastin, i cili ka urdhëruar që të inicohet rasti “nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”” – i thanë Nacionales nga Drejtoria e Policisë në Pejë.