Albin Kurti në kërkim të Republikës së Tretë - NACIONALE

Albin Kurti në kërkim të Republikës së Tretë

1 javë më parë

nga Halim Kafexholli

Ka shumë vite që kreu i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmend nevojën e një republike të tretë për Kosovën, që nënkupton një transformim në sistemin ekonomik e ligjor të vendit. Nevojën për këtë republikë, Kurti vazhdon ta ripotencoj edhe si pushtetar. Sipas tij, një gjë e tillë ka filluar, mirëpo duhet ende punë.

Në shpalosjen e platformës së tij për edhe një mandat katër vjeçar si lider i Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti përsëriti edhe njëherë atë që e thoshte shpesh si opozitar. Ai insiston se Kosovës i duhet një Republikë e Tretë.

Lideri i VV-së mendon se tash Kosova ka nevojë për një Republikë të tillë, pas asaj të 2 korrikut 1990 e pas shpalljes së Pavarësisë më 17 shkurt 2008. Albin Kurti mendon se Republika e Tretë “do ta shpëtojë Republikën”.

“Republika e Kosovës e shpallur me 2 korrik 1990 ishte Republika e parë e Kosovës si Republikë për rezistencë. Pavarësia e Kosovës e shpallur me 17 shkurt 2008 ishte Republika e dytë e Kosovës që shpesh doli të jetë Republikë për shitje. Ne kemi nevojë për Republikën e tretë të Kosovës që ta shpëtojmë Republikën si të tillë e ta avancojmë atë”, tha Kurti në tubimin partiak të kësaj jave.

Sipas tij, kjo republikë do të thotë drejtësi, demokraci e zhvillim, barazi e mirëqenie. Kjo sipas Kurtit ka filluar, por duhet të vazhdohet edhe në mandatin e dytë qeverisës të VV-së, duke lënë të kuptohet se edhe pas këtij mandati, Kurti nuk ka dyshime se ai do të jetë prapë kryeministër.

Kjo nënkupton reforma aq të thella, reforma transformuese, transformim të institucioneve të sistemit, një punë që e kemi filluar tashmë, por që duhet ta vazhdojmë fuqishëm edhe në mandatin e dytë qeverisës. Platforma politike për mandatin e dytë qeverisës do të jetë më precize sepse informuar nga mësimet dhe përvojat që kemi nxjerrë e do të vazhdojmë përgjatë këtij mandati qeverisës. Jemi zotuar që shteti i së drejtës në konceptimin tonë bënë aktualizimin e LVV-së prej kushtetimit modern të shtetit tonë, ku burim sovraniteti duhet të jetë populli dhe vetëm ai si në të gjitha shtetet demokratike”, tha kryeministri gjatë fjalimit të tij para anëtarëve të Vetëvendosjes.

Mirëpo, ky ligjërim i Kurtit nga njohësit e zhvillimeve politike po konsiderohet si retorikë boshe dhe fjalime jo konkrete që ngjasojnë me gjuhën opozitare.

Profesori i Shkencave Politike, Dritoro Arifi, në një prononcim për gazetën Nacionale thotë se formulimi i fjalive të tilla tregon se qeveria e Kurtit nuk ka vizion për të ardhmen.

“Sa i përket kryetarit të Vetëvendosjes apo kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me një fjalim që kinse Kosova prapë ka nevojë për një republikë të tretë, unë po mendoj që pas zgjedhjeve të shkurtit 2021 dhe pas marrjes së mandatit mbi 50 për qind në votë, nëse një kryetar i tillë dhe një kryeministër formulon një fjalim të tillë, kjo tregon se nuk kanë një vizion për të ardhmen sepse askush nuk i ndalë që t’i bëjnë të gjitha reformat e duhura dhe ta bëjnë transformimin e duhur, me të gjithë atë fuqi dhe kapacitet që kanë në qeverisje, tha Arifi.

Sipas tij, kërkesa e Kurtit për Republikë të Tretë është një fjalim pa përmbajtje dhe ngjason me gjuhë opozitare.

“Mendoj që është më shumë një fjalim pa vizion dhe pa përmbajtje veç sa për të thënë dhe mënyra se si ëshët shprehur, është shprehur sikurse me qenë në opozitë, po flet nga këndvështrimi i një opozitari që po kërkon një mandate, për me e bo republikën e tretë dhe transformimin. Për mu është fjalim pa kuptim, pa përmbajtje dhe pa vizion”, tha profesori Arifi.

Profesori tjetër i marrëdhënieve ndërkombëtare, Avdi Smajljal, Republikën e Tretë e quan “fantazi”, ndërkohë që pyet retorikisht dhe me cinizëm se pse mos të bëhet Republika e katërt e me radhë.

“Pse Republikën e tretë, e jo të katërtën e të pestën, të gjashtën?”, pyet Smajlaj.

Sipas tij, nëse një gjë të tillë do ta donte, kryeministri do ta fillonte.

“Nëse do që ta bëj, do të fillonte të bënte, por nuk ka filluar ende. Vendi përballet me probleme më banale, përfshi mbylljen e shkollave, e ne krijojmë fanatzi që nuk i hyjnë në punë njeriu, e lëre më një vendi”, thotë Smajlaj për Nacionalen.

Megjithëkëtë, derisa Kurti është në “kërkim” të Republikës së tretë, Kosova vazhdon të përballet me probleme konkrete. Inflacioni në vend vazhdon të jetë njëri nga problemet që po ballafaqohen qytetarët e Kosovës, e sipas Agjensisë së Statistikave të Kosovës për muajin gusht ka arritur 13 për qind, e përkthyer me rritjen enorme të çmimeve të shumë produkteve.

Më tej, në Kosovë vazhdon bllokada e procesit mësimor për shkolla fillore e të mesme, teksa kryeministri Kurti ende nuk ka gjetur gjuhë të përbashkët me krerët sindikalistë që përfaqësojnë mësimdhënësit të cilët kërkojnë nga qeveria 100 euro shtesë deri në miratimin e Ligjit për Paga.

Lajme të ngjashme