Albin Kurti në Facebook "skifter", në Twitter "pulë" - NACIONALE

Albin Kurti në Facebook "skifter", në Twitter "pulë"

3 vjet më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Pse politikanët përzgjedhin ose thënë më saktë, pse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për disa tema përzgjedh rrjetin social, Twitter e për disa të tjera zgjedh Facebook-un për informimi të qytetarëve? Kësaj pyetje do të mundohemi t’i përgjigjemi më poshtë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kohëve të fundit duket shumë më aktiv në rrjetin social Twitter se në atë Facebook.

Përveç kësaj, Kurti përzgjedhë edhe atë se çka dëshiron të publikojë në Facebook dhe atë në Twitter. Në disa raste ai aktivitetet i shpërndan në dy rrjetet sociale.

Tashmë, kur në Kosovë puna e planit franko-gjerman, dialogut dhe Asociacionit, po komentohet me të madhe, ka bërë që edhe Kurti të ndryshojë qasjen e të informuarit për popullin.

Për pranimin e planit franko-gjerman, për vizitën tek dy familje të serbëve në Istog, për disa statistika për komunat veriore, Kurti ka zgjedhur Twitterin që të informojë popullin.

Por, për punën e pagave, për kushtet e reja për Asociacinin, për dërgimin e FSK-së në Turqi, Kurti ka zgjedhur Facebook.

Cili është qëllimi i tij?

Prononcimet e tij (Albin Kurtit) sot janë shumë selektive dhe të filtruara.” – ka thënë për Nacionalen analisti i politikës, Afrim Halilit, në pyetjen pse Kurti po e përdorë më shumë Twitterin për temat e dialogut me Serbinë.

Për shkak të një volumi të madh qëndrimesh dhe prononcimesh kontradiktore deri sa ishte në opozitë, e të cilat po bien ndesh me qëndrimet aktuale të Albin Kurtit, prononcimet e tij sot janë shumë selektive dhe të filtruara. Tashmë është e njohur se ai për të tilla prononcime përdorë dy platformat sociale më të njohura Facebookun dhe Twitterin, dhe në bazë të përmbajtjes së këtyre prononcimeve shihet qartë se ai synon për të arritur audienca të ndryshme.” – ka thënë ai për Nacionalen.

Sipas Halitit, Qeveria Kurti është më jotransparentja në dialogun me Serbinë dhe ai përdor Twitterin pasi aty nuk i ka votuesit e tij dhe se “qëllimisht ka zgjedhur platformen e Twitterit për t’i bërë prononcimet në lidhje me dialogun me Serbinë”.

Për më tepër, platformen e Twitterin ai po e përdorë thuaja se në tërësi në gjuhën angleze. Gjithçka do të ishte në rregull nëse për shembull përmes Twitterit tenton që të arrijë audiencë më të gjërë, njerëz me influencë, gazetarë apo komentues politik. Çka nuk është në rregull është e vërteta që në platformen e Facebookut, aty ku Albin Kurti paradoksalisht ka gjashtë herë më shumë ndjekës, prononcimet e tij janë të llojit sipërfaqësor, me informata irrelevante, shënime të ndonjë date apo ngushëllime të ndryshme. Pjesa dërmuese e ndjekësve të tij në Facebook janë ata që e kanë votuar. Por Albin Kurti qëllimisht ka zgjedhur platformen e Twitterit për t’i bërë prononcimet në lidhje me dialogun me Serbinë, takimet me Lajçakun apo edhe vendinet që po i merr në lidhje me këtë. Albin Kurti qëllimshëm të njejtat nuk po i publikon atje ku ka numrin më të madh të ndjekësve dhe votuesve.” – ka thënë Haliti.

E përzgjedhja e Twitterit para Facebook, ku Kurti ka votuesit e tij, për Halitin nënkupton se “ai rrezikon besimin në institucionet qeveritare dhe dëmtimin e besimit të qytetarëve në përgjithësi” dhe se “ua pamundëson atyre që ta mbajnë Albin Kurtin dhe qeverinë e tij përgjegjëse për vendimet e tij.

Ai nuk po e informon publikun aty ku ka më shumë qasje për shkak se nuk dëshiron transparencë tek ata që e kanë votuar sepse nuk dëshiron që qytetarët të jenë në gjendje të marrin vendime të mirë informuara sepse asisoji i rrezikohet numri i përkrahësve. Me këto veprime ai po e rrezikon procesin demokratik në një periudhë shumë të ndjeshme në të cilen po kalon Kosova.” – ka thënë ai.

Kritikohet Kurti

Për shembull për nënkryetaren e PDK-së, Vlora Çitaku, pranimi i propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovë dhe Serbisë nga Kurti është bërë vetëm në Twitter.

Ajo thotë se Kurti në Facebook, ku i ka “militantët” nuk ka thënë asgjë.

Kryeministri e kish pranu marrëveshjen vetëm në Twitter, dhe në një anglishte tepër të çuditshme. Në Facebook, ku i ka militantët, nuk paska thënë asgjë.” – ka shkruar Çitaku.

Ndërkaq, ish-bashkëpunëtori i Kurtit, Frashër Krasniqi, ka thënë se kryeministri e përdor Twitterin vetëm për temat kur nuk është krenar.

Kur doni me pa që Albin Kurti e ka pranuar një sen të dëmshëm për Kosovën. Këqyreni profilin e tij në Tëitter, jo në Facebook. Se qaty në Tëitter ai i poston vendimet që i ka marrë dhe që nuk është bash krenar që i ka bë. Qashtu qysh dje, përshembull, e postoi një njoftim vetëm në Tëitter që e ka pranuar propozimin franko-gjerman, në takim me Lajcakun. Më nuk përmendi kushte, tha e pranoi, por i ka disa pyetje.” – ka thënë Krasniqi.

Kurti në Twitter ka 95 mijë ndjekës, teksa në Facebook numëron 521 mijë ndjekës.

*Titulli i lajmi është bazuar në deklarimi e Kurtit për një intervistë të ish-presidentit, Hashim Thaçi, ku thoshte: “nuk është në rregull në televizionet lokale e këtu në parlament skifter e para mediave të huaja pulë.”

Lajme të ngjashme