Kurti: E pranojmë planin franko-gjerman
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti është deklaruar pas takimit të sotëm me emisarin e posaçëm të dialogut, Miroslav Lajçak.
Përmes një cicërime në rrjetin social "Twitter", Kurti ka thënë se si qeveri e pranojnë planin franko-gjerman, duke shtuar më pas se ka bazë të mirë për negociata të mëtutjeshme.
“Bashkëbisedim i mirë me përfaqësuesin special të BE-së, Miroslav Lajcak në një drekë pune në Prishtinë. Ne e pranojmë propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe e konsiderojmë si një bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme, si dhe një platoformë solidë për të ecur tutje”, ka shkruar ndër tjerash Kurti.
Good exchange with EU special envoy @MiroslavLajcak over a working lunch in Prishtina. We do accept the EU proposal for normalization of relations between Kosova and Serbia, and consider it a good basis for further discussion and a solid platform for moving forward. pic.twitter.com/gKrymnQAmF
— Albin Kurti (@albinkurti) February 6, 2023
Ç'tha Lajçaku?
Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka folur pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Lajçak e ka konfirmuar se në takim janë diskutuar gjashtë kushtet e Kurtit për Asociacionin.
I pyetur për çështjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe ai tha se tashmë është e ditur se gjithçka që është nënshkruar, duhet të zbatohet.
“Janë përmendur edhe kushtet e Kurtit, për ne e rëndësishme është që të bëhen marrëveshje, për normalizim të raporteve”, tha Lajcak.
Ai shtoi se sonte vizitën e tij do ta vazhdojë edhe në Beograd sonte, dhe se kjo është vizita e 10-të që nga shtatori në Kosovë.
Këto janë gjashtë kushtet e Qeverisë Kurti:
1. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.
2. Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale (kreu 5).
3. Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.
4. Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.
5. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.
6. Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së, dhe tek të tjerat, për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013.

