Akuzuan për "anti-amerikanizëm" Kurtin, në tubim folën për "paqe": Serbia po ndryshon apo rriti intensitetin e propagandës?
Erdhi dita që Kosova të denoncohet nga Serbia si “anti-amerikane”. A është kjo luftë e brendshme në Serbi, apo diçka më shumë. Çka është puna?
Ambasadori i Serbisë në Washington D.C., Marko Gjuriq, në mëngjesin e sotëm e bëri një postim në llogarinë e tij në Twitter në të cilin akuzonte Qeverinë e Kosovës si “anti-amerikane”.
“Një Qeveri në thelb anti-amerikane e Kosovës po shkakton kaos dhe po e destabilizon krahun juglindor të Evropës në një moment kritik. Befasuese? Kujtoni se këta janë njerëzit e njëjtë që personalisht orkestruan sulmin fizik ndaj ambasadores së atëhershme amerikane Tracey Ann Jacobson në qendër të Prishtinës,” – ishte shprehur z. Gjuriq.
Nëse kjo përbën ose jo një ndryshim të narracionit të Serbisë mbetet të shihet. Por, ka edhe shenja tjera se një gjë e tillë po ndodh.
Tubimi te Car Llazari
Disa orë pas deklaratave të z. Gjuriq, kishim një tubim mjaft të madh në Mitrovicë të Veriut.
Në sheshin Car Llazari u mblodhën qindra vetë, por fjalimet e para ishin rezervuar për njerëz të cilët nuk ishin pjesë e jetës politike serbe. Folën nja dy akademikë, një mjek e një gjyqtare. Kryefjala e këtij tubimi ishte “paqja”, ndoshta pas lavdërimeve të shumta që iu bënë presidentit serb Aleksandër Vuçiq.
“Paqe, paqe dhe vetëm paqe,” – tha kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.
Kosova në anën tjetër u denoncua se nuk po zbatonte Marrëveshjet e Brukselit dhe se po shkilte të drejtat dhe liritë e komunitetit serb.
Por, gjithë ajo që ndodhi sot në atë tubim duket se ka qenë më shumë e drejtuar kah bashkësia ndërkombëtare dhe jo kah institucionet e Kosovës nga të cilat janë larguar zyrtarët serbë.
Në anën tjetër, aty u përmend edhe mos-zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Ndërkombëtarët
Dhe, bashkësia ndërkombëtare duket se ‘po blen’ këto veprime të dirigjuara nga Serbia.
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, bëri një reagim gjatë ditës së djeshme për të adresuar çështjen e largimit të zyrtarëve serbë nga institucionet e Kosovës.
Dhe, kur të gjithë prisnin që të denoncohej ashpër e me vendosmëri Serbia, ai bëri thirrje që të shtyhej menjëherë vendimi për targat dhe të themelohej Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
“BE-ja përsëri u kërkon autoriteteve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë. Kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të procesit të riregjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM. Çështja e targave mund të zgjidhet nga Palët në kuadër të Dialogut. BE-ja gjithashtu i bën thirrje Kosovës që të fillojë menjëherë hapat për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe. Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që Asociacioni/Bashkësia duhet të krijohet. Prandaj, themelimi i saj është obligim ligjor për Kosovën. Dështimi i vazhdueshëm për të zbatuar këtë obligim cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës,” - thuhej në atë komunikatë mes tjerash.
Në anën tjetër, ditë më parë edhe Departamenti amerikan i Shtetit është shprehur "i shqetësuar dhe i zhgënjyer" me mos-përfilljen e kërkesave të Qeverisë Kurti.
Daçiq vs. Vuçiq?
Kryeministri Kurti në një adresim të djeshëm ka interpretuar disa zhvillime edhe në politikën e Serbisë.
“...Serbia duke mos qenë vend demokratik po bëhet vegël e Kremlinit. Po ashtu, duket që ish zëdhënësi i partisë së Millosheviqit, tash ministër i jashtëm i Serbisë, është më i pushtetshëm se sa ish ministri i informatave të Millosheviqit, tash president i Serbisë. Kjo është betejë personale e tyre për pushtet, as për qytetarë dhe as për shtet.” – shkroi Kurti në llogarinë e tij në Facebook.
Ivica Daçiq është parë vazhdimisht si më i afërt me Rusinë se sa Vuçiq. Ndërkohë, qeveria e re e porsaformuar e Serbisë është thënë se është më pro-perëndimore se qeveria e kaluar – përkundër emërimit të Daçiqit si ministër i Punëve të Jashtme.
Serbia është akuzuar vazhdimisht se ka luajtur me "dy qëndrime" (pro-Perëndimore dhe pro-Ruse) vazhdimisht. Aktualisht, ky shtet është nën trysni të madhe që t'i vendos sanksione Rusisë.
Së fundi, Daçiq foli edhe për planin franko-gjerman duke e cilësuar si "të papranueshëm për Serbinë". Nuk dihet nëse ky qëndrim i kryediplomatit serb përbën qëndrim zyrtar edhe të shtetit serb.


