“Pika 2” - Përfundon aksioni – mbi 50 policë kufitarë të arrestuar në Kosovë e Shqipëri
E përditësuar - 14:00
26 zyrtarë policorë kufitarë të Kosovës janë arrestuar nën dyshimet për korrupsion e keqpërdorim të detyrës zyrtare. Kurse, Prokuroria e Shqipërisë ka bërë të ditur se janë arrestuar 32 policë kufitarë.
Aksioni siç mëson gazeta Nacionale ka përfunduar, përderisa detaje të tjera pritet të bëhen të ditura ndërkohë.
Prokurori i rastit Haki Gecaj ka konfirmuar për Nacionalen se pritet të arrestohen më shumë se 20 policë.
Në anën tjetër Prokuroria e Shqipërisë ka marrë këto vendime:
Masat e sigurimit personal janë:
‶Arrest në burg‶ për 17 persona (punonjës policie)
‶Arrest në shtëpi‶, për 14 persona (shtetas dhe punonjës policie)
‶Pezullim nga detyra‶, 3 persona (punonjës policie)
...................................
13:20 - E përditësuar
32 policë kufitarë të Shqipërisë janë arrestuar në aksionin që po zhvillohet në pikën kufitare të kalimit në Vërmicë.
Lajmin e ka konfirmuar Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri.
Ndaj tyre janë ndërmarrë këto masa:
Masat e sigurimit personal janë:
‶Arrest në burg‶ për 17 persona (punonjës policie)
‶Arrest në shtëpi‶, për 14 persona (shtetas dhe punonjës policie)
‶Pezullim nga detyra‶, 3 persona (punonjës policie)
Prokuroria e Shqipërisë ka dhënë detaje edhe për veprat penale që kanë kryer këta zyrtarë në Vërmicë.
“Procedimi penal nr. 272/2020, ka filluar mbi bazën e materialit kallëzues të referuar nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, mbi dyshime për përfshirjen e disa prej punonjësve të policisë në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë në veprimtari të paligjshme për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal “Kontrabandës me mallra, për të cilat paguhet akcizë”, si dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, etj, parashikuar nga nenet 172 dhe 298 të Kodit Penal. Prokuroria e Posaçme, në bashkëpunim me Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë kryer hetime proaktive, duke përdorur metoda speciale të hetimit. Gjithashtu hetimet janë kryer në koordinim dhe në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
“Nga hetimi janë dokumentuar 312 episode të veprimeve korruptive të punonjësve të policisë, të cilët favorizonin persona të ndryshëm për futjen e mallrave kontrabandë; persona që trafikonin automjete, sende të tjera të kundraligjshme; ndihmonin për të kaluar kufirin persona të ndryshëm me problematika ligjore për hyrjen dhe daljen e tyre ne vendet e BE-së, sa i përket regjistrimeve fiktive për hyrjen dhe daljen në territorin shqiptar; si dhe ndihmonin persona të tjerë që kishin probleme me ligjin, të cilët nuk regjistroheshin në sistemin TIMS, pasi nuk lejohej udhëtimi i tyre për në Kosovë dhe anasjelltas”, bëhet e ditur në komunikatë.
“Pas një hetimi objektiv dhe të gjithëanshëm, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme janë caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar 34 masa sigurimi personal, nga të cilat 32 punonjës të Policisë Kufitare Kukës, me funksione të ndryshme brenda Drejtorisë të Kufirit dhe Migracionit Kukës, duke përfshirë edhe Drejtorin e kësaj Drejtorie, për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”,“Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”,në bashkëpunim, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 248, 259, 25 dhe 245/1 të Kodit Penal”, përfundon komunikata.
......................
12:28 - E përditësuar
Kanë nisur arrestimet në pikën kufitare të Vërmicës, që lidh Kosovën me Shqipërinë.
Më shumë se 20 policë kufitarë nga Kosova pritet të bien nën pranga, e një numër i madh do të jetë edhe nga pala e Shqipërisë.
Prokurori i rastit, Haki Gecaj, ka konfirmuar për gazetën Nacionale vazhdimësinë e aksionit.
“Aksioni është duke vazhduar. Policia edhe më tutje është në vendin e ngjarjes duke kryer arrestimet, janë mbi 20 policë të cilët pritet të arrestohen nga Kosova. Meqë aksioni po vazhdon detajet tjera mund t’i japim pasdite”, ka thënë Gecaj.
Nacionale ka mësuar se arrestimet kanë nisur edhe të policëve kufitarë të Shqipërisë, ku janë arrestuar udhëheqësit e pikës kufitare. Në total numri i policëve të arrestuar nga Shqipëria, do të shkojë në 25.
...........................................
11:50 - E përditësuar
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka konfirmuar për gazetën Nacionale se pritet të arrestohen mbi 20 policë kufitarë të Kosovës.
Isufaj ka bërë të ditur se aksioni po vazhdon, përderisa pritet të ketë arrestime edhe nga Shqipëria.
“Mund t’ju konfirmoj që ka një akson në Vërmicë, dhe në këto momente që po flasim aksioni është duke vazhduar. Aksioni ishte i përbashkët me autoritetet e Shqipërisë. Ndërkohë mund t’ju konfirmoj që nga pala kosovare do të jenë mbi 20 të arrestuar”, ka thënë Isufaj për Nacionalen.
Ndërkohë IPK-ja ka bërë të ditur se tash e një vit kanë ndërmarrë masa të fshehta për këtë rast.
“Ky hetim është duke u zhvilluar në koordinim të plotë dhe udhëheqjen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) duke përfshirë edhe masa të fshehta të hetimit. Hetimi përfshin edhe bashkëpunim me prokurorë nga SPAK-u (Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e Republikës së Shqipërisë) dhe zyrtarët e AMP-së Agjencisë për Mbikëqyrje Policore (agjencia homologe e IPK-së në Shqipëri)”, bëhet e ditur në komunikatë.
.....................................
Ende pa u bërë një muaj nga arrestimi i gati 50 policëve kufitarë në pikat e Qafë Morinës dhe Qafë Prushit, Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur një tjetër aksion. Tash adresë është pika kufitare në Vërmicë.
Gazeta Nacionale ka mësuar se pritet arrestimi i dhjetëra policëve të tjerë, por në këtë rast, nuk kanë shpëtuar as ata nga Shqipëria. Nacionale ka mësuar se pritet arrestimi edhe i zyrtarëve policorë kufitarë të Shqipërisë, të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar me ata nga Kosova për marrje ryshfeti.
“Aksioni është duke vazhduar. Nuk mund të japim shumë detaje. Janë rreth 30 policë ndoshta, përafërsisht, që pritet të arrestohen. Janë policë kufitarë nga Kosova e Shqipëria”, ka thënë ky burim për Nacionalen.
Inspektorati Policor i Kosovës nëpërmjet një komunikate për media, ka bërë të ditur se i gjithë ky aksion po kryhet në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale dhe me institucione në Shqipëri.
“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht punonjësit nga të gjitha Departamentet operative të saj në koordinim të plotë me Prokurorinë Speciale kanë filluar sot në orët e hershme të mëngjesit një operacion të gjerë në kuadër të autorizimeve dhe fushëveprimit ligjor të IPK-së. Operacionit të sotshëm (i koduar me emrin “Pika 2”) i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në komunikatë.
“Ky hetim është duke u zhvilluar në koordinim të plotë dhe udhëheqjen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) duke përfshirë edhe masa të fshehta të hetimit. Hetimi përfshin edhe bashkëpunim me prokurorë nga SPAK-u (Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e Republikës së Shqipërisë) dhe zyrtarët e AMP-së Agjencisë për Mbikëqyrje Policore (agjencia homologe e IPK-së në Shqipëri)”, bëhet e ditur më tutje.
Një aksion si ky që ishte ndërmarrë gjatë muajit mars, kishte rezultuar me arrestimin e 48 zyrtarëve policorë. Megjithatë, një pjesë e madhe e tyre deri më tash janë liruar nga paraburgimi dhe procedurat ndaj tyre po zhvillohen në liri, mëson Nacionale.
Gazeta asokohe kishte sjellë dosjen e Prokurorisë për policët e arrestuar. Pjesa më e madhe e tyre dyshoheshin për marrje ryshfeti, duke lejuar hyrjen në Kosovë të mallrave pa e paguar taksën doganore.
“Prej muajit gusht deri në muajin dhjetor të vitit 2021 në pikën kufitare Qafë-Morinë, në cilësinë e personave zyrtarë, me dashje dhe në vazhdimësi duke vepruar në mënyrë të organizuar por edhe individualisht, me qëllim të përfitimit material për vete dhe të tjerët, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare. Kjo në atë mënyrë që kanë pranuar ryshfet nga qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë duke u mundësuar të hyjnë në territorin e Kosovës përmes shmangies së pagesave të tarifave doganore dhe vendimet e qeverisë së Kosovës për masat anti-covid, ashtu që kanë pranuar deri në 400 euro ryshfet”, thuhej në dosjen e Prokurorisë.
“I pandehuri F.S. në cilësinë e zyrtarit policor, me qëllim të përfitimit pasuror për të dhe kolegët e tij, disa herë ka pranuar shuma të ndryshme të parave nga qytetarët të cilët dyshohet se transportonin mallra të ndryshme nga Shqipëria në Kosovë, duke lejuar që të njëjtit ta kalojnë kufirin shtetëror duke shmangur pagesën për tarifën doganore të përcaktuar me ligj. Veprimet e tilla i pandehuri i ka kryer në disa raste si i vetëm, e në disa raste duke bashkëvepruar me kolegët e tij", thuhej më tutje.
“I pandehuri L.H. në pozitën e zyrtarit policor me qëllim që vetes dhe kolegëve të tij t’u sigurojë përfitim pasuror, disa herë ka pranuar shuma të ndryshme të parave nga qytetarë të ndryshëm, me qëllim që të njëjtit të lejohen të hyjnë në territorin e Kosovës përmes pikës kufitare Qafë-Morinë, në kundërshtim me kushtet për hyrje në Kosovë, dhe masat e mara nga qeveria e Kosovës për luftimin e pandemisë”, bëhet e ditur tutje në dosje.
Gazeta Nacionale do të sjellë detaje për këtë rast.