Nxirret i gjallë tetë ditë pas tërmetit një i mbijetuar në Venezuelë - NACIONALE

Nxirret i gjallë tetë ditë pas tërmetit një i mbijetuar në Venezuelë

1 orë më parë

nga NACIONALE

Një burrë është shpëtuar i gjallë, pasi kishte mbetur i ngujuar për tetë ditë nën rrënojat e një ndërtese që ishte shembur pas dy tërmeteve të fuqishme në Venezuelë.

Punëtorët emergjentë arritën që ta lironin Herman Gil-in më shumë se 100 orë pasi fillimisht e kishin lokalizuar nën 140 tonë rrënoja, raporton televizioni BBC.

Një zjarrfikës nga Kili më herët e kishte përshkruar operacionin e shpëtimit si “pa dyshim më kompleksi dhe teknikisht më i vështiri me të cilin jam marrë”.

Gati 2.300 njerëz janë konfirmuar të vdekur nga tërmetet që e goditën Venezuelën më 24 qershor dhe dhjetëra mijëra të tjerë janë ende të zhdukur.

Allan Madrigal, anëtar i ekipit mjekësor emergjent në Kryqin e Kuq të Kosta-Rikës, tha para gazetarëve në vendin e ngjarjes se shpëtimi i të mbijetuarit ishte “moment emocional”, duke shpjeguar se fillimisht nuk u kishte besuar veshëve dhe kishte kërkuar nga kolegët që t’i konfirmonin se ai “nuk po imagjinonte”.

Nga ai moment, punëtorët e shpëtimit punuan me nxitim për ta nxjerrë rojën nga rrënojat.

Gili kishte qenë në detyrë në bodrumin e një parkingu, kur kishin ndodhur tërmetet.

Lajme të ngjashme