Afati po skadon: Për gati një muaj, veç tre serbë u pajisën me targa RKS, dy vetura u dogjën
Vetëm 3 qytetarë serbë deri më tash, kanë aplikuar t’i marrin tabelat RKS. Kur kanë kaluar 20 ditë nga rrjedhja e afatit, interesimi është tejet i ulët. Kjo pavarësisht thirrjeve nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla. Ata që po aplikojnë për tabelat RKS, po kërcënohen e disave edhe iu janë djegur veturat në veri.
Vlerësohet se në Kosovë, janë rreth 10 mijë tabela me akronime të qyteteve sikur PR, PZ, GL. Deri më tash, nga 10 mijë të tilla, vetëm 3 qytetarë kanë aplikuar t’i kthejnë në RKS!
“Deri më tani tre qytetarë serbë janë pajisur me targa RKS”, thuhet në përgjigjen që Ministria e Brendshme ia ka përcjellur gazetës Nacionale.
Të tre qytetarët, vijnë nga tri komuna të ndryshme të Kosovës.
“Nga komunat; Mitrovicë Veriore, Leposaviç dhe Gjilan”, thuhet më tutje në përgjigjen e MPB-së.
Një oficer serb i Policisë, pak ditë më parë ishte në mesin e personave që aplikuan për të marrë tabelat RKS. Megjithatë, atij pak orë më pas, iu dogj vetura. Njëjtë, edhe një qytetari tjetër i ishte djegur depoja.

Njoftimin e kishte dhënë në rrjete social vet ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla. Ai kishte kërkuar që kërcënimet të ndalen ndaj serbëve të Kosovës.
“Tendencat e Vuçiç për të frikësuar qytetarët serb që jetojnë në Kosovë po vazhdojnë. Sot një tjetër oficer serb i Policisë së Kosovës është sulmuar nga strukturat ilegale të cilët i kanë djegur veturën pasi e regjistroi me targa legale të Republikës së Kosovës”
“Njejtë, sot në orët e hershme të mëngjesit është djegur depo e qytetarit serb në fshatin Grabovc të Komunës së Zveçanit pasi e kishte regjistruar veturën e djalit të tij”, shkruante Sveçla.
Ai e fajësonte edhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
“Të dyja rastet janë ftesë e hapur për të luftuar institucionet e Republikës së Kosovës. I bëjmë thirrje Vuçiç që të ndalojë së mbështeturi strukturat ilegale kriminale me aktet e tyre të dhunshme dhe terroriste ndaj qytetarëve besnikë të Republikës së Kosovës. Të gjtha institucionet janë të angazhuara në zbardhjen e këtyre rasteve. Jemi më të vendosur se kurrë që rendi dhe ligji të shtrihet në çdo cep të Republikës së Kosovës. Kurrfarë veprimi kriminal i fallangave të Vuçiç nuk do të tolerohet dhe do të luftohet me të gjitha mjetet ligjore dhe demokratike”, shkruante ministri i Brendshëm.
Kjo çështje është synuar të zgjidhet në Bruksel, pas marrëveshjes për dokumente identifikuese, por deri më tani nuk ka pasur marrëveshje.
Me këto statistika, ishte ekzaltuar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Pra, jemi shumë mirë. Vlerësimi im është se nuk do të kalojnë mbi 200 në total”, tha Vuçiqi, duke shtuar se kjo vetëm konfirmon se sa i papërgjegjshëm dhe joserioz është vendimi i Prishtinës. Aktualisht, ky është informacioni i mëngjesit të sotëm, dy qytetarë kanë rënë dakord për ndërrimin e targave. Njëri prej tyre punon në institucionet e Prishtinës, tjetri jo. Pra jemi mirë…”, kishte thënë Vuçiq.
Thirrjet e Kurtit
Disa herë me radhë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në gjuhën serbe, i ishte drejtuar serbëve duke i ftuar t’i marrin tabelat RKS. Tabelat PR, PZ etj, i vlerësonte si tabela të kohës së Millosheviqit.
“Nga sot deri më 31 tetor, përgjatë 61 ditëve në 34 qendra të Regjistrimit të Automjeteve po rihapim dritaren e mundësisë për të konvertuar tabelat e regjistrimit të veturave ne ato të Republikës sonë të përbashkët”, ka thënë Kurti në një video të shpërndarë.
“Konvertimi dhe regjistrimi i automjeteve me targa “RKS” i shërben rendit publik, ligjit dhe sigurisë”, u shpreh ai.
“Ftoj qytetarët e Republikës së Kosovës, pronarë të veturave me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” dhe “ĐA” që t’i konvertojnë ato në targa RKS në dy muajt e ardhshëm gjatë të cilëve janë të liruar nga taksa e detyrime që arrijnë vlerën deri në 5.000 euro”, tha Kurti.
Vlerësohet se 10.000 targa me akronime të qyteteve të Kosovës – sikurse PZ, KM, PR, UR e të ngjashme – qarkullojnë në veriun e banuar me shumicë serbe.
Serbia ka propozuar që serbët në veri të pajisen me targa KS – që kanë status neutral ndaj shtetësisë së Kosovës – por, Kurti ka hedhur poshtë këtë propozim.
Kosova për ditë të tëra kishte organizuar edhe kampanja informuese për serbët e Kosovës që t’i kthejnë në tabela RKS, megjithatë duket se kampanjat nuk kanë pasur sukses.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka paralajmëruar se veturat me tabela që nuk konvertohen, nuk do të mund të qarkullojnë në rrugët e Kosovës.
“I gjithë ky proces do të zgjasë deri më 31 tetor. Dhe pas asaj, gjitha ata të cilët nuk e kanë shfrytëzuar këtë shans, këtë benefit, të cilën shteti i Kosovës e ka ofruar, do të jenë pronarë të veturave, të cilat nuk janë të regjistruara. Me këtë pastaj merret Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës, me ç’rast asnjë veturë nuk do të mund të qarkullojë as nëpër rrugët e Kosovës, por as nuk mund të shfrytëzojë pikë-kalimet kufitare të Republikës së Kosovës”, kishte deklaruar Sveçla.
Afati i fundit për kthimin e tabelave në RKS, është 31 tetori.




