CNN shkruan për veriun: Pse një përplasje për targa ka ndezur tensione etnike? - NACIONALE

CNN shkruan për veriun: Pse një përplasje për targa ka ndezur tensione etnike?

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Pas një vendimi të diskutueshëm për t’u kërkuar serbëve që të nisin përdorimin e targave të lëshuara nga qeveria në Prishtinë, muajin e kaluar në veri të Kosovës pati ndezje të tensioneve etnike.

Tensionet etnike mbi vendimin shpërthyen kur serbët etnikë në Kosovën veriore, të cilët mbështeten nga Serbia dhe nuk e njohin autoritetin e Prishtinës, ngritën postblloqe për të protestuar ndaj rregullit të ri.

Kosova dhe Serbia synojnë t'i bashkohen Bashkimit Evropian dhe si pjesë e këtij procesi anëtarësimi, kanë rënë dakord të zgjidhin çështjet e tyre të pazgjidhura dhe të ndërtojnë marrëdhënie të mira fqinjësore.

Këtu janë disa fakte rreth ngecjes.

Pse ka tensione?

Kosova fitoi pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, pothuajse një dekadë pas një kryengritjeje guerile kundër sundimit represiv të Beogradit.

Megjithatë, Serbia ende e konsideron Kosovën si pjesë integrale të territorit të saj dhe refuzon se po rrit tensionet dhe konfliktin brenda kufijve të fqinjit të saj. Beogradi akuzon Prishtinën për shkeljen e të drejtave të minoritetit serb.

Serbët etnikë përbëjnë 5% të 1.8 milionë banorëve të Kosovës, me shqiptarët etnikë që përbëjnë rreth 90%.

Pse u ndezën sërish tensionet?

Si pjesë e dëshirës së qeverisë për të vendosur autoritet mbi territorin e saj, Kosova prej vitesh dëshiron që rreth 50,000 serbët që jetojnë në veri t'i ndërrojnë targat serbe në ato të lëshuara nga Prishtina.

Por, serbët etnikë kanë refuzuar prej kohësh të njohin autoritetin e institucioneve të Kosovës në veri, duke shfryrë armiqësinë e tyre, duke refuzuar t'i paguajnë operatorit energjetik të Kosovës për energjinë elektrike që përdorin dhe duke sulmuar shpesh policinë nëse përpiqet të arrestojë.

Edhe një përpjekje e Kosovës gjatë vitit të kaluar për targat, u ndërpre nga protestat e serbëve etnikë, ndërsa me 31 korrik të këtij viti, Prishtina shpalli edhe një afat dy mujor për ndërrimin e targave duke shkaktuar protesta të reja.

Këto tensione, u zbutën pasi nën presionin e ShBA-së dhe BE-së, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ra dakord të shtynte datën për ndryshimin.

Çfarë duan serbët?

Serbët në Kosovë duan të krijojnë një asociacion të komunave me shumicë serbe që do të funksiononte me autonomi më të madhe. Por, që nga angazhimi në dialogun e sponsorizuar nga BE-ja që nisi në vitin 2013, Serbia dhe Kosova kanë bërë pak përparime në këtë dhe çështje të tjera.

Cili është roli i NATO-s dhe BE-së?

NATO ka rreth 3700 trupa të stacionuara në Kosovë për të ruajtur paqen. Aleanca poashtu ka thënë se nëse stabiliteti në zonë do të rrezikohej, ajo do të ndërhyjë në përputhje me mandatin e saj.

Ndërsa, misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), i cili mbërriti në vitin 2008, ka ende rreth 200 policë specialë në vend.

Lajme të ngjashme