Kurti në konferencë: S'pranojmë targa të UNMIK-ut, janë në kundërshtim me Kushtetutën
Kryeministri Albin Kurti ka mbajtur një mbledhje të Qeverisë sot, pas rikthimit nga Norvegjia. E pas mbledhjes, Kurti është shfaqur në një konferencë për media.
Aty Kurti ka treguar se çfarë pret nga takimi i sotëm mes tij dhe të dërguarit të posaçëm të SHBA-së, Gabriel Escobar, dhe atë të BE-së, Miroslav Lajçak.
“Duhet ta shohim takimin e sotëm, a kanë opsione të reja. Mirëpo opsionet ku Kosova duhet të prodhojë targa neutrale nuk vijnë në konsiderim. Me mua si kryeministër nuk mund të ketë prodhimtari status neuatrale në Republikëne Kosovës. RKS janë tabelat e Kosovës.”, theksoi Kurti.
Tutje, ai ka treguar edhe çka tjetër nuk pranojnë, krahas tabelave neutrale.
“Opsionet në frymë reciprociteti, vijnë në konsideratë. Targa të UNMIK-ut nuk prodhon Republika e Kosovës, këtu jemi shumë të qartë. S’ka të bëjë kjo me mua personalisht. Unë s’do të mund të bëja asgjë kundër Republikës.”, shtoi kryeministri Kurti.
Por, Kurti ka treguar se të gjitha propozimet duhet të jenë në frymën e reciprocitetit dhe të përputhshme me Kushtetutën.
“Së pari ka pasur opsione, do të ketë takim edhe sot. Por opsionet që janë të pranueshëm për ne, janë ato që përputhen me kushtetutën dhe që janë në frymën e reciprocitetit. Kur thuhet njohje reciproke kjo nënkupton që fryma është reciprociteti.”, përfundoi Kurtin.