A u morën vesh Serbia e Kosova? Regjistrohen 10 deputetë të rinj serbë në Kuvend - NACIONALE

A u morën vesh Serbia e Kosova? Regjistrohen 10 deputetë të rinj serbë në Kuvend

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një ngjarje e re, pak e pritshme, duke e marrë parasysh situatën aktuale në veri, ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës. Siç merr vesh gazeta Nacionale nga burimet e saj brenda Kuvendit, 10 deputetë serbë raportohet të jenë regjistruar si deputetë të ardhshëm, pasi vendet mbetën të zbrazëta si pasojë e dorëheqjes së deputetëve serbë.

Sigurisht, siç tregojnë burimet, 9 deputetë janë të Listës Serbe, të cilët raportohet të jenë regjistruar, ndërsa një deputet tjetër vjen nga radhët e subjektit "GI Za Slobodu Pravdu i Opstanak – GI SPO", pasi Lista Serbe nuk kishte ndonjë deputet tjetër në listë për t'i zëvendësuar ish-deputetët që kanë dhënë dorëheqje në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë Kurti për targat. Nuk dihet nëse ata do të betohen, që është edhe një hap i domosdoshëm procedural për t'u bërë deputet.

Një ngjarje e tillë është krejtësisht e re, pasi shumica e shenjave tregonin se Lista Serbe do ta vazhdonte bojkotimin. Nuk dihet ende arsyeja pse ka ndodhur ky regjistrim, i cili vjen pas takimit të fundit në Bruksel, që është realizuar me ftesën e ndërmjetësuesve të BE-së, ku mori pjesë edhe Besnik Bislimi, kryenegociatori i Kosovës, i cili u pa shumë i nervozuar me gazetarët pas takimit.

Pra nuk dihet ende nëse ka ndonjë marrëveshje për këtë çështje, apo për atë të targave, që ishte edhe burimi i gjithë tensionimit në veri, që dërgoi në bojkotimin e institucioneve nga ana e serbëve.

Por, sipas radhës këta janë deputetët që parashiheshin të zëvendësonin kolegët e tyre të dorëhequr disa ditë më parë, listë e publikuar nga Komisioni Qendron Zgjedhor (KQZ).

Ndryshe, Besnik Bislimi, dyshi i Qeverisë Kurti, ka theksuar dje se nuk ka asnjë marrëveshje, ndonëse tha se ka disa elemente për t’u diskutuar.

Nuk ka asnjë marrëveshje. Nuk ka propozim të Bashkimit Evropian. Ka elemente që kemi diskutuar për mundësinë e daljes nga kriza, por nuk ka dakordim. Nuk e di çka ka me ndodhë të hënën se jemi në bisedime”, theksoi ai.

Gazeta Nacionale ka shkruar disa pyetje në adresë të Kuvendit të Kosovës për të marrë një përgjigje zyrtare në lidhje me këtë ngjarje, por deri tani ende nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për këtë temë.

Përveç deputetëve, dorëheqje nga postet e tyre zyrtare dhanë edhe 4 kryetarët e komunave veriore. Pra Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani mbetën pa kryetar, pasi ish-kryetarët e komunave veriore ofruan dorëheqjen e tyre për shkak të fillimit të fazës së qortimit për targat ilegale, që ishte paraparë në planin e Qeverisë Kurti për reciprocitetin për targat ilegale serbe.

Tashmë zgjedhjet e ardhshme për kryetar të komumave në veriun e vendit do të mbahen më 18 dhjetor pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dekretoi datën pas konsultimeve me partitë kosovare.

Udhëzohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kryetar të Komunave: Mitrovica e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, në përputhje me ketë vendim dhe ligjin në fuqi”, theksohej në njoftimin e Presidencës së Kosovës të hënën e kësaj jave.

Lista Serbe e kishte bojkotuar këtë takim me presidenten Osmani, por aty qenë dy parti tjera serbe, që janë kundërshtare të partisë më të madhe serbe në Kosovë.

Aleksandar Jabllanoviq nga Partia Serbe Kosovës dhe Nenad Rashiq nga Partia Demokratike Progresive, qenë dy përfaqësuesit serbë që iu përgjigjën ftesës së zonjës Osmani.

Jabllanoviq, që dikur ishte pjesë e Listës Serbe, e pranoi se do të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 dhjetorit.

Ne duhet që të kemi koordinim të qartë dhe të afërt me Qeverinë e Republikës së Serbisë, këto janë zgjedhjet në një moment specifik, i cili mund të jetë shumë i paparashikueshëm”, deklaroi ai pas takimit me Osmanin.

Ndërsa Rashiq vlerësoi se nuk ka kushte për zgjedhje.

Unë isha pak më i theksuar se kolegu im, duke thënë se kushte për zgjedhje nuk ka. Pra zgjedhjet si të tilla mund që të përdoren për ngritjen eventuale të tensioneve, konflikteve, incidente dhe për përshkallëzim të disa veprimeve të padëshiruara dhe dhunës”, tha ai, duke treguar se ka kërkuar shtyrjen e zbatimit të reciprocitetit për targa.

Përditësuar:

10:18: Ilir Kërqeli, shef i Stafit të Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, nëpërmjet një postimi në Facebook e ka konfirmuar se 9 deputetë të Listës Serbe janë regjistruar.

Lajme të ngjashme