A po provon Kurti të kapë popullin?
Gjatë kohës së gjatë si opozitar, kryeministri aktual Albin Kurti ka qenë i zëshëm kundër kapjes së (sic) shtetit. Por, përtej kapjes së shtetit, vetë Kurti duket goxha i interesuar në një kapje tjetër edhe më interesante, kapjen e organizmave të shoqërisë. Ose, thënë më shkurtimisht, kapjes së popullit. Pse po provon ta bëjë një gjë të tillë?
Me ardhjen e Vetëvendosjes në pushtet, është besuar gjerësisht se do të mbaronte periudha e gjatë e gjuhës së urrejtjes dhe mosdurimit në sferën publike.
Subjekti i kësaj gjuhe ose ishte lënë jashtë pushtetit, ose kishte përfunduar nën akuzë në qelitë e Hagës. Kryeministër ishte Albin Kurti. Ishin fituar 50.2 për qind të votave dhe s’nevojitej kurrfarë negociate e as kurrfarë koalicioni. Kurti mund të ushtronte kontroll të plotë mbi Qeverinë, gati të plotë mbi Kuvendin, Presidencën dhe përmes emërimesh të anëtarëve politikë, edhe në institucione tjera shtetërore.
Megjithatë, gjuha e urrejtjes dhe mosdurimit nuk u ndal. Kjo u dëshmua edhe para disa ditësh, kur partia politike e z. Kurti përgatiti një videospot të çuditshëm në të cilën rikthente ligjërimin për shkatërrimin 20 vjeçar të vendit. Por, në të cilin denondoheshin edhe “organizmat e kapura” të shoqërisë.
“Lufta e tyre ndaj shtetit ka kaluar në një nivel tjetër. Sabotim kudo përmes organizmave të kapur.” - tha Vetëvendosje përmes kësaj videoje.
“Sulmet” ndaj popullit
Qysh në ekspozenë e tij si mandat për formimin e Qeverisë Kurti I më 3 shkurt 2020, Kurti për herë të parë kishte folur për korrupsionin jashtë-institucional.
“Do të luftojmë korrupsionin në shoqëri,” – kishte thënë ai mes tjerash.
Por, ai do të binte në spikamë edhe me anë të një deklarate tjetër për krizën energjetike në të cilën do të shprehej në mënyrë nënçmuese ndaj popullit.
“Është gabim (të pyesim qytetarë të thjeshtë), e kuptoj deputetin si përfaqësues i popullit, por populli nuk është ekspert,” – ishte shprehur z. Kurti në një seancë të Kuvendit të Kosovës.
Qasjen përçmuese ndaj popullit, ai e ka vazhduar edhe përmes mos-raportimit në Kuvend për bisedimet me Aleksandër Vuçiqin në Bruksel. Edhe më tej, nuk ka informacione të mjaftueshme në lidhje me marrëveshjen gojore për dokumentet e udhëtimit që u arrit në fund të muajit gusht. Por, nuk ka informacione as për shumë tema tjera të diskutuara.
Në anën tjetër, një ndër aktivistët më të shquar të Vetëvendosjes me emrin Elvis Hoxha, duke interpretuar rezultatin e zgjedhjeve komunale, kishte deklaruar se regjimi i vjetër kishte kapur familjet e Kosovës.
“Sapo mërgata i largohet votimit, regjimi i vjetër e ngre kokën në Kosovë. Sepse regjimi i Prontove e kap lehtë ekonominë e familjes së Kosovës, sidomos në komunë.” – shkruante ai.
Me rastin e grevës dhe mos-ekzekutimin e pagave për mësimdhënësve, u evidentua qasja agresive e Vetëvendosjes dhe Qeverisë ndaj sindikalistëve (jo vetëm të arsimit) por edhe ndaj vetë mësuesve dhe punëtorëve tjerë.
Pse?
Por, mos ka në këtë mes një dimension emancipues që mësyn transformimin e shoqërisë apo ndoshta thjesht një përpjekje që të vihet nën kontroll populli? Për këtë gjë e pyetëm Sekretarin Organizativ të PSD-së dhe ish bashkëpunëtorin e Kurtit, z. Nol Nushi.
“Sikurse të gjithë populistët, edhe Kurti do ta ndajë shoqërinë në “ne dhe ata”. Ai do të tentojë të shpikë një “popull” që i përshtatet atij. Sikurse që po tentojnë të imponojnë një realitet fiktiv socio-ekonomik, ado të përpiqet të krijojë një popull imagjinar, i cili i përshtatet rrëfimit të tij. Për çdo ditë do të shohim definicione nga pushteti për secilën kategori shoqërore.” - më tha ai.
Kurti përditë do të provojë të krijojë popullin e tij imagjinar?
Për këtë çështje pyetëm edhe Profesorin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, z. Avdi Smajljaj, dhe i cili u mor fillimisht me çështjen e nxehtë të mos-ekzekutimit të pagave.
“Kryeministri me mos-pagesën e mësimdhënësve i ka penalizuar mësimdhënësit. Penalizimi është metodë e përdorur për disiplinim, risocializim. Në këtë rast për disiplinim të sindikatave, sindikalistëve dhe mësimdhënësve, e gjithashtu edhe një mesazh për organizmat tjerë, se “baba” jam unë këtu.” – argumentoi ai.
Çka nënkupton në terme konkrete sipas Nushit kjo përpjekje e përditshme për definicione të reja nga pushteti për secilën kategori shoqërore?
“Arsimtarët që protestojne do të quhen analfabetë, kurse ata që nuk mbajnë grevë do të quhet arsimtarë të ndershëm etj. Mendësia totalitare nuk njeh kundërshtime ose opozitë. Ose je me qeverinë ose je kundër,“ – tha ish aktivisti i VV-së.
Të njëjtit qëndrim i mëshon edhe profesori Smajljaj që nuk e sheh si demokratike gjithë sjelljen e Kurtit dhe pushtetit të tij.
“Transformimi progresist i shoqërisë kërkon dialog, debate, deliberim, me të gjithë akterët. Gjë e cila mungon në qasjen që ka pushteti ndaj të gjithë të tjerëve. Sjellje e qëndrime të tilla të pushtetit (të Kurtit) shtyjnë në drejtim jodemokratik.” - tha ai.
Nëse qëllimi i kësaj përpjekjeje jodemokratike është transformimi pozitiv i shoqërisë ose thjesht kontrollimi i tij, kjo ende nuk është krejtësisht e qartë. Megjithatë, shenjat se kemi të bëjmë me të dytën më shumë se me të parën po shohim vazhdimisht.


