Lëngimi i popullit për seks në pozicion të 'nënshtruar'
Ishte shtatori i vitit 2019. Unë vendosa të shkoja në protestën e thirrur nga Albin Kurti e që mbante parullën “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu!” Po kundërshtonim, tok së bashku, idenë e shkëmbimit të territoreve që thuhej se po negociohej nga Hashim Thaçi. Ky ishte pra njeriu të cilit s’i nënshtrohej atëherë një popull.
Në mars të këtij viti, 2022-shit, unë e gjej veten pjesë të të njëjtit popull që përditë proteston në Facebook pse “një popull nuk po i nënshtrohet një njeriu!” Pra, pse të gjithë ne, tok së bashku, nuk po i nënshtrohemi qëndrimeve të Albin Kurtit edhe nëse qëndrimet e pasdites i ndeshen me qëndrimet e tij të paradites. Të shara, linçime, tallje ndaj secilit që në një moment të dhënë kundërshton njeriun në fjalë. Mos të harrojmë, po flasim për nënshtrimin ndaj po atij njeriu që e kishte thirrë protestën “një popull s’i nënshtrohet një njeriu!”

Por, asgjë e pazakontë. Ky është thjesht lëngimi i vrazhdë - i një populli që demokracia i erdhi prej qiellit dhe prandaj i tingëllon veç si fjalë boshe e e huaj – për një dramë më të kuptueshme e më familjare, që s’i merr kohë e s’ia lëkund terezinë e dikotomisë mes të mirës dhe të keqes. E një drame me vetëm një orientim seksual, për seksin e kundërt.
Debati që ndodhi më 16 mars për gejët, lezbiket dhe familjen në Kuvend, e që po oshëtin edhe sot në rrjetet sociale, është nënprodukt i kësaj lëngate popullore për nënshtrim.
Është e vështirë për secilin që rrokë diçka prej debateve të ditëve të sotme nëpër botë t’i procesojë fjalët që u thanë në Kuvend dhe që u përhapën të trimëruara në Internet. Nuk mjafton shpjegimi se jemi “të prapambetur”. Ky në fakt, ishte shpjegimi i pushteteve të kaluara, që edhe korrupsionin e shihnin të lidhur për prapambeturinë tonë. Jo! Fjalët homofobe dhe kërkesa për t’u dëgjuar edhe ‘mendimi ndryshe’, pra mendimi ‘homofob’ ndryshe nga deputetët – sidomos ata të Albinit – shprehnin bash atë lëngatë për nënshtrim, për një figurë atërore mbi krye. Për ta ilustruar, ato ishin si sherret e qëllimshme të një fëmije që kërkon ta marrë vëmendjen e prindit, qoftë edhe nëse pëson dajak prej tij. Thaçi s'ishte mjaftueshëm nënshtrues e atëror. Ndoshta edhe se s'dinte.
Çka po them?
Të gjithë ata që më njohin e dinë se dikur i kam besuar këtij njeriu. Në formë kritike, por i kam besuar. Dhe e dinë që i kam besuar jo fjalëve që i ka thënë, por nënteksteve të tij, një diskursi paralel që ma merrte mendja se ishte e vërteta e fshehur. Nuk besoja që Albini mund të bënte pakt me nacionalistë etnikë të Ballit Kombëtar (që i futi në listë për deputetë), e as me homofobë. Fundja, ai thoshte që prokurorët dhe gjyqtarët duhej “t’i internalizonin të drejtat e njeriut” në një emision. A ka një deklaratë më frymëzuese se kjo? Dhe natyrisht, kam pritur që sapo të vinte në pushtet do të merrte masa energjike e të menjëhershme anti-popullore për t’i çliruar - bash nga ajo shtypje që vjen nga populli - grupet e mundësitë tona të ndrydhura.
Ka kaluar një vit që Albini është në pushtet. Bile, një vit e goxha do muaj nëse ia njehim edhe mandatin e parë. E vërteta e tij ishte qëndrimi që mbajti kur u diskutua Projektkodi Civil. E vërteta e tij është postimi pro-LGBTQI+ në Twitter ku rrinte një grup njerëzish më liberalë dhe mungesa e të njëjtit postim pro-LGBTQI+ në Facebook ku qëndronte masa shtypëse.
E vërteta, fatkeqësisht, nuk është aq e thjeshtë dhe e bukur sa fjalët e kryeministrit. Ajo di të jetë e lodhtë, e mërzitshme, e shëmtuar dhe mbi të gjitha e ndërlikuar.
Në diskutimet për Projekt-kodin Civil ajo na u shfaq sërish për kryeministrin. Ai e ka nënshtruar një popull jo duke imponuar qëndrimet e tij dhunshëm mbi të tjerët por duke qenë i parrokshëm në asnjë qëndrim. Duke mos luftuar për asnjë qëndrim. Brenda tij kapërthehen ndasi ekstreme për të cilat njerëzit do të shpërthenin në dhunë. Edhe projekti i nacionalizmit etnik, edhe projekti i internacionalizmit liberal. Edhe vetëvendosja, edhe negociatat. Edhe negociatat me kushte, edhe ato pa kushte. Edhe e majta ekstreme, edhe e djathta ekstreme. Edhe ulja e çmimeve bazë për produktet esenciale, edhe tregu krejt i lirë e abuziv. Edhe homofobia, edhe LGBTQI+.
Ju nuk mund të keni kurrfarë kauze a kurrfarë bindje, sado të djathtë a sado të majtë, e të cilën Albini nuk e përfaqëson. Mu ky është nënshtrimi për të cilin po flasim. Ne mund t’i dalim kundër secilit politikan tjetër bazuar në qëndrimet e tij. Thjesht jemi kundër. Por, çka të bëjmë kur një politikan përfaqëson të gjitha qëndrimet, bile edhe ato të grupeve më antagoniste të shoqërisë.
Hajt, po e luftojmë korrupsionin! Por, a s’shpreh edhe kjo luftë ndaj korrupsionit një qëndrim të caktuar ideologijk? A s’denoncohej dikur sistemi ekonomik si gjenerues i korrupsionit? Çka zbulojmë nëse e shqyrojmë me kujdes diskursin anti-korrupsion të Albinit? Mos pahiri të njëjtin fjalor si të një hoxhe dhe kundërmimin e një morali patriarkal?
Pyetja që secili prej jush duhet t’i shtrojë vetes është: “a kam unë ndonjë qëndrim e të cilin jam në gjendje ta mbrojë?” Nëse përgjigja e sinqertë është "JO", atëherë duhet ta dini që demokracia – nëse ka ndonjë kuptim ende kjo fjalë - po kalbet.