A kanë më kuptim prognozat e Konjufcës për Asociacionin pas frazës “as kësi as asi”?
Nuk njihet për prognoza të sakta në lidhje me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, e veçanërisht jo që nga janari i 2022’ës kur e pati shqiptuar frazën e famshme se Asociacion s’do të ketë “as kësi e as asi”, frazë kjo tashmë e mbarënjohur që qëndron pezull ndër mend të të gjithëve. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tash ka tjetër premisa. Njëherë njohja “de facto” e vetëm mëpastaj Asociacioni. Kështu e shtron ai krejt çështjen e Marrëveshjes Bazë të arritur në Bruksel dhe Ohër. Por, sa qëndron kjo?
Ta lexojmë atë para dhe pas Marrëveshjes në Ohër. Para takimit të Nivelit të Lartë në qytetin maqedonas, Konjufca ishte shfaqur në një intervistë në ATV. Aty jepte një konstatim që edhe kishte edhe s’kishte të drejtë. “Jah, nuk e nënshkruan Serbia marrëveshjen”, shprehej ai. Kjo ngase, siç besonte ai, kur pala serbe e kundërpeshon se çfarë Asociacioni do të merr – që s’do të jetë pushtet i ndërmjetmë – dhe çka do të jep – njohje faktike të shtetësisë së Kosovës – ajo do të tërhiqet. Këtë e kishte edhe dro edhe dëshirë. Serbia e pranoi marrëveshjen pa nënshkrim.
Por, aty tregonte se si do të merr udhë për në Ohër Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. “Shkojmë kështu...marrëveshja është e konstruktuar kështu”, thoshte ai. “Njëherë njohja ‘de facto’ dhe mëpastaj Kosova ia gjen modusin Asociacionit”, ishte bindja e tij. Është kaq e thjeshtë, i thoshte ai intervistuesit të tij. Madje madje, edhe zotimin për Asociacionin Konjufca me rehati e quante “njëfarë premtimi abstrakt”, thjesht si enitet mendor e jo edhe objektiv-institucional.
“Pra, çka ne po mundohemi me bë dhe se si është e pozicionume Kosova. Përmes një premtimi abstrakt dhe një instruksioni të Gjykatës Kushtetuese, po don me nxjerrë njohjen “de facto” prej Serbisë. Qekaq është e thjeshtë matematikisht”. Kështu siç thoshte ai, “ne jemi në një pozicion komod”. Barra e parë bie mbi Serbinë, e dyta mbi Kosovën. “Ky Asociacioani i ka principet e Kurtit, letrën e Mogherinit, dhe garancitë e ShBA’së”, vazhdonte ai.
Vjen Ohri...
Pas bisedimeve maratonëshe prej 12 orëve në Ohër, doli në konferencë për media Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, ku njoftoi se “kemi ujdi”. Në fjalimin e tij, përkatësisht në pikat e veçanta që po i shpjegonte, ai e nisi me Nenin 7. Kosova, tha ai, “nis menjëherë – dhe kur them menjëherë them menjëherë”, zbatimin e kësaj pike për të siguruar nivel të duhur vetëqeverisje për komunitetin serb të Kosovës në përputhje me marrëveshjet e kaluara të përcaktuara nga Përfaqësuesi Special, e që në rend të parë i binte Asociacioni.
Borrell, nuk thoshte “Serbia nis menjëherë” njohjen de facto, siç vlerësonte Konjufca, por Kosova Nenin 7 dhe Asociacionin.
Shkon Ohri...
Ishte këtë të enjte kur Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, zu në fjalë prap Asociacionin dhe Marrëveshjen Bazë për normalizim të marrëdhënieve. Është e ndërtuar mbi dy binarë, tha ai. “Binari i parë është njohja defacto nga ana e Serbisë, kurse binari i dytë është Asociacioni”, beson ai. Dhe këtu del në ofansivë. “Kosova duhet të tregojë se nuk ka kurrfarë obligimi dhe nuk duhet ta bëjë asnjë hap, pa u realizuar binari i parë e që është njohja de facto [nga Serbia]”, tha Konjufca.
Këtë koment ai e bëri pas pohimit të zëvendës ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, Gabriel Escobar, se në takimin e rradhës të Nivelit të Lartë në Bruksel, ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksnadar Vuçiq, pritet të paraqitet një draft-Statut fillestar për Asociacionin.
“Nuk e përjashtoj se as ky tjetri [versioni i ri i Asociacionit] nuk do të funksionojë duke parë përbërjen e këtij ekipi të menaxhimit, që është i përbërë edhe nga deputetët të Serbisë. Kjo është e papranueshme për Kosovën”, deklaroi Konjufca. Ai shtoi më tej se nëse propozimi është në interes të Serbisë, atëherë ekipi menaxhues, sipas tij, duhet të shkarkohet.
Reagimi i Petkoviqit...
Pikërisht një deklarim i tillë zgjoi reagimin e të ashtuquajturit drejtor të Zyrës për Kosovë, Petar Petkoviqit. Ky i fundit tha se Konjufca nuk ka mandat për të shkarkuar Ekipin serb Menaxhues dhe se Asociacioni do të bëhet në përputhje me marrëveshjen e vitit 2013 dhe 2015.
“Glauk Konjufca...nuk ka mandat për të zhbërë përbërjen e Ekipit Serb Menaxhues për draftimin e Statutit të Asociacionit, pra më e mirë e ka të vazhdojë me punët e tij sepse përbërja e ekipit serb është konfirmuar nga autoritetet e tij ligjore. Për ta përsëritur, Asociacioni duhet të formohet në pajtim me katër marrëveshjet e nënshrkuara më 2013 dhe 2014, dhe për hir të rikujtimit, Marrëveshje e Parë është ratifikuar edhe nga Kuvendi i Kosovës, të cilin e udhëheq Konjufca”, ka thënë Petaer Petkoviq.