A ka 'afat' burri i Presidentes? MPJ s’tregon a ia vazhduan mandatin, thonë veç se munden
Zotëriu i Parë, Prindon Sadriu, tashmë i ka bërë katër vite e afro dy muaj që kur është emëruar si “Ministër në Misionin Diplomatik” (emërtim ky tejet i veçantë, sepse e ka veç ai) në Ambasadën e Kosovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ndërsa ligji parasheh vetëm katër vite shërbim në një mision diplomatik; përveç kur ka një vendim për vazhdimin e mandatit të diplomatit: E një vendim të tillë nuk e kemi parë, e as s’i është treguar kujt.
Nacionale ka pranuar informacione nga burime brenda Ministrisë së Jashtme se të njëjtit “i është gatuar” një opinion ligjor “për t’ia vazhduar mandatin kundërligjshëm”; megjithatë, Nacionalja në mënyrë të pavarur s’ka arritur të konfirmojë këtë; por, në të njëjtën kohë, as edhe ta përgënjeshtrojë të njëjtën.
MPJD, e cila ndonëse në fillim heshti ndaj pyetjes së Nacionales: se Prindon Sadriut, duke qenë se është emëruar më 15.07.2019 në këtë post, dhe rrjedhimisht ka kaluar harku kohor prej katër vitesh kalendarike; a i është vazhduar mandati, nëse po mbi çfarë baze? – tashmë ka dhënë një përgjigje, e cila edhe ashtu s’thotë shumë – sepse nuk i përgjigjet thelbit të pyetjes së shtruar.
MPJD, në përgjigjen për neve, injoron krejtësisht harkun katër vjeçar ligjor, dhe na thotë se “Prindon Sadriu është duke ushtruar aktivitetin e tij si diplomat brenda mandatit të përcaktuar me ligj”.
Në pyetjen se a i është vazhduar mandati dhe nëse po mbi çfarë baze, MPJD na rikujton thjesht se “Ministria ka autoritet që të ndryshojë standardet e kohëzgjatjes së shërbimit të diplomatëve”.
Nuk dihet nëse kjo “të ndryshojë standardet e kohëzgjatjes” është thjesht një eufemizëm për zgjatje të mandatit, apo përdoret në këtë rast për të tjetërsuar domethënien e përgjigjes përmes stër-abstraktimit; sepse, në kuptimin e ngushtë të fjalës “standardet e kohëzgjatjes” janë të përcaktuara me ligj – është katër vite shërbim – ndërsa ajo çfarë është në autoritetin e Ministrisë është që t’ia vazhdojë mandatin një diplomatin.
“Për informacionin tuaj, Ministria ka autoritetin që të ndryshojë standardet e kohëzgjatjes së shërbimit të diplomatëve në misione diplomatike ose konsullore, varësisht nga kushtet e vendit të misionit ose për nevoja të shërbimit”, na tha MPJD.
Si është puna me mandatin e ‘skaduar’ të Prindon Sadriut?
Përveç se mban një pozitë që s’e ka kush për nga emërtimi – Ministër në Mision Diplomatik – Prindon Sadriu vazhdon që edhe afro dy muajsh nga skadimi i mandatit të rregullt ta ushtrojë ende atë.
Prindon Sadriu është emëruar në këtë pozitë me emërtim tejet singullar – Ministër në Misionin Diplomatik – më 15 korrik 2019, e që sipas Sipas Ligjit për shërbimin e jashtëm të Kosovës kohëzgjatja e rregullt e shërbimit është vetëm 4 vite.

“Kohëzgjatja në misionet diplomatike: Përfaqësuesit diplomatikë qëndrojnë në shërbim në të njëjtin mision diplomatik për një periudhe katër (4) vjeçare, ose ndryshe siç kërkohet për të përmbushur nevojat e Ministrisë dhe në diskrecion të Ministrit të Punëve të Jashtme”, thuhet në ligj.
Megjithatë, siç kemi raportuar ditë më parë, zoti Sadriu e mohon qysh në rend të parë se i ka skaduar mandati, duke dhënë një interpretim krejt ndryshe mbi atë se si merret dhe si fillon mandati, siç pretendon ai, “me njoftimin dhe akreditimin tim në Ministrinë e Punëve të Jashtëm të shtetit pritës”.
Nacionalja ia pati rikujtuar zotit Sadriu se “ju vetë e keni të deklaruar në AKK atë datë”, por ai edhe këtu thotë se “ka dallim mes emërimit në një pozitë dhe fillimit të një mandati”.
“Ajo që keni dërguar ju nga AKK tregon për datën e nxjerrjes së Vendimit për dërgim jashtë”, na thotë Prindon Sadriu.
Nacionale ka biseduar me një ish-zyrtar të larë në MPJ që shprehet që assesi fillimi i mandatit s’ka të bëjë me akreditimin nga shteti pritës.
“Mandati vlen prej kur është marrë vendimi i MPJ-së së Kosovës...mandati llogaritet ne datën e vendimit të dërgimit nga ministri/ja”, na thotë një ish-zyrtar i lartë i kësaj ministrie, që s’deshi të citohej me emër. Ndërkaq vendimi për i MPJ-së për emërim të zotit Sadriu është 15.07.2019, e që i ka tejkaluar katër vite të rregullta.
“...shteti dërgon notën verbale për dërgim të X diplomatit ku njofton se diplomati do të jetë i atashuar në X ambasadën dhe pret atë vendim në akreditim”.
Por, bashkëbisedues yni, tregon se si dhe pse do të (mund të) bëhej kjo, përkatësisht vazhdimi i mandatit.
“Nëse MPJ vlerëson se X diplomati duhet me vazhdu qëndrimin edhe pak – sepse s’mund të zëvendësohet, ose sepse mund të ketë qenë i përfshirë në ndonjë proces që s’mund të delegohet (etj.)...ka arsye shumë arsye përse do të mund t’i vazhdohej mandati përtej 4 vjeçar – por, jo të tejkalohen 2,3,4 muaj”, na thotë ish-zyrtari.
Nacionalja ka biseduar edhe me ish-ambasadorin kosovar në Maqedoni të Veriut, Gjergj Dedaj, i cili thotë se assesi “nuk qëndron intepretimi i zotit Sadriu” dhe se fillimi i mandatit llogaritet prej kur ndodh emërimi nga shteti i Kosovës.
“Jo kur akreditohesh nga shteti pritës”, na thotë me bidnje të plotë zoti Dedaj, “por, llogaritet kur të emëron shteti i Kosovës”.
Edhe për kohën sa ka shërbyer si ambasador në Shkup, Dedaj na siguron se kështu ka qenë praktika – mbushen katër vite që nga emërimi, skadon mandati.
“Jo nuk qëndron interpretimi i tij. Sepse mandati të jepet p.sh në atë moment kur dekretohesh nga shteti i Kosovës”.
“Ajo (fillimi i mandatit) s’ka lidhje me shtetin e Maqedonisë së Veriut. Sepse shteti të ka dekretu ambasador me datën kaq, dhe ti je prej asaj date e deri kur të mbushen katër vjet ti je ambasador, ose këshilltar, e ministër, që ai është i vetmi në botë prej shqiptarëve që ka pasë këtë gradë ministër, që zakonisht nuk ka nëpër konsulata e ambasada e misione diplomatike, i vetmi është ai që e ka”.
Dedaj s’e ka asnjë dyshim se “ky është rregulli” ndonëse është skeptik se ky rregull përfillet, ngase beson se “tash këta munden me ba gjithçka”
“Kur të emërohet ashtu është me rregull, tash këta munden me ba gjithëçfarë gjërash. Kur të plotësohen katër vjet ose ta vazhdojnë me vendim ose kthehesh”, përfundoi ai.