A është Këshilli Nacional i Serbëve alternativë e qeverisë për Asociacionin? - NACIONALE

A është Këshilli Nacional i Serbëve alternativë e qeverisë për Asociacionin?

3 vjet më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në një konferencë për media të mbajtur gjatë ditës së sotme, ka thënë se Qeveria e Kosovës është e gatshme të diskutojë mundësinë e Këshillit Nacional të Serbëve.

“Jemi të gatshëm të dëgjojmë dhe diskutojmë për mundësinë e krijimit të këshillit nacional të serbëve, mirëpo praktika na dëshmon se komunitetet në Kosovë kanë më shumë të drejta se komunitetet në Serbi”, - shkroi fillimisht ai.

Veç kësaj, Krasniqi ka shtuar se komuniteti serb në Kosovë është i privilegjuar, duke pohuar se Kosova është shembull në Rajon e Evropë për të drejtat më të avancuara të komuniteteve.

“Komuniteti serb në nivel lokal, përveç të drejtave kanë edhe kompetenca të fuqishme, gati sa qeveria qendrore. Madje në disa fusha kanë kompetenca të njëjta sa qeveria qendrore. Nuk ka asnjë kompetencë që mund të marrë pushteti lokal nga qeveria qendrore që nuk e kanë komunat me shumicë serbe”.

Nuk dihet se në çfarë formati do të krijohej një këshill i tillë, nacional i serbëve siç e etiketoi ministri, megjithëse duket të jetë një lloj alternative për Asociacionin.

Ani pse në njërën anë pranoi faktin se komunitetet kanë shumë kompetenca, shpeshherë edhe më shumë sesa qeveria qendrore, në parim tregoi gatishmëri se ekzekuviti mund të diskutojë lidhur me këtë këshill, që do të ishte i veçantë për serbët në vendin tonë.

Në fakt, ka qenë premtim i kahmotshëm i Kurtit, qysh në fushatën zgjedhore të vitit 2019 se do të fillojë dialogun me serbët lokalë.

Në Kuvend, ai e pat pranuar se po diskuton me përfaqësues të serbëve, por që nuk po i publikon, shkaku se serbët kanë frikë.

PO

Sa i përket Asociacionit, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pranuar se mund të bëhet, por duke plotësuar gjashtë kushtet e tij.

Këto gjashtë kushte po shihen si problematike nga ana e zyrtarëve të BE-së, gjithmonë nga ajo çfarë ka qarkulluar jozyrtarisht, sepse në letër apo gojarisht nuk kanë pranuar të flasin.

Ata e kanë diskutuar këtë çështje me Kurtin. Të paktën kështu ka pohuar Lajçak pas takimit të fundit që kishte me shefin e ekzekutivit.

Por, cilat janë kushtet e Kurtit. Nacionale i ka publikuar ato me t'i bërë të ditura Kurti.

1. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.

2. Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale (kreu 5).

3. Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.

4. Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.

5. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.

6. Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së, dhe tek të tjerat, për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013.

Kritika e BE-së

Edhe më tutje nuk ka datë të takimit të nivelit të lartë mes Kosovës e Serbisë. Sipas zyrtarëve të Bashkimit Evropian, faj për këtë kanë të dy liderët, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti e i pari i serbëve, Aleksandar Vuçiq.

Ata thonë se me deklaratat nxitëse e kundërshtuese po pengojnë caktimin e datës së negociatave në kryeqendrën evropiane.

Një burim evropian i ka thënë Radios Evropa e Lirë në kushte anonimiteti se "është ky lloj qëndrimi publik, i të dy liderëve, që paraprakisht tregojnë kushtet e tyre, i cili krijon pengesën më të madhe për caktimin e datës së takimit” në Bruksel.

Tutje, sipas këtij burimi, mbajtja e rundit të ardhshëm të bisedimeve varet nëse liderët nga Prishtina dhe Beogradi “pajtohen për datën e agjendës së parë”, pa treguar detaje.

Megjithatë, duhet thënë faktin se Kurti ka shprehur gatishmërinë për të dialoguar, sa herë që ftohet, ndërsa kishte qenë kritik për faktin se nuk po thirret një takim i tillë, ani se në 18 gusht të vitit të kaluar, palët ishin dakorduar që të takohen çdo muaj.

Në anën tjetër, Vuçiq hiç më larg se sot, në një paraqitje televizive ka thënë se nuk do të shkojë në Bruksel pa u themeluar Asociacioni.

Kjo deklaratë erdhi pasi përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tha më 9 shkurt se së shpejti do të ketë një takim të ri mes palëve, për të vazhduar diskutimet për propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve.

Lajme të ngjashme