Gjashtë kushtet e Kurtit për themelimin e Asociacionit, BE e Escobar nuk i komentojnë - NACIONALE

Gjashtë kushtet e Kurtit për themelimin e Asociacionit, BE e Escobar nuk i komentojnë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Përmes një fjalimi në seancën plenare të Kuvendit më 2 shkurt, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe mund të konsiderohet, por vetëm me disa kushte. Por, për kushtet e Kurtit a dhanë koment i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar dhe nga BE?

Nga Bashkimi Evropian nuk kanë dashur aspak që të merren me paraqitjen e Kurti ku elaboroi gjashtë kushtet për Asociacionin.

BE ka përsëritur kërkesën që Kosova ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

I pyetur nga Radio Evropa e Lirë, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se blloku nuk i komenton “të gjitha prononcimet e të tjerëve”.

Ai tha se përsërit “urgjencën që për BE-në ka lëvizja përpara e dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura, një prej të cilave është edhe ajo për Asociacionin”.

Po Escobari?

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, ka dhënë një intervistë për median “The Pavlovic Today”. Në intervistën e dhënë për mediumin e lartpërmendur përsëriti qendrimin e SHBA-së për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Ai theksoi se nuk ka rrugë për t'i shpëtuar Asociacionit sepse kjo është kërkesë ligjore e Kosovës.

“Prandaj unë them se ajo do të implementohen në një pikë. Pavarësisht nëse Qeveria e Kosovës e pranon këtë obligim ligjor ajo nuk është marrëveshje mes Kurtit dhe Serbisë. Është marrëveshje mes Kosovës dhe Serboisë. Do të jetë baza e marrëveshjes për normalizim. Nuk ka mënyrë se s’i ti shmanget.” – tha ai.

Çka deklaroi Kurti?

Në seancën e fundit të Kuvendit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe mund të konsiderohet me disa kushte - mes tjerash, ai “duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës”.

Një tjetër kusht, sipas tij, është që Asociacioni nuk mund të jetë njëetnik. “Duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave, sipas Kushtetutës dhe Ligjit për vetëqeverisje lokale”, është shprehur Kurti.

Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve, si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane”, ka thënë Kurti.

Kushti i katërt, sipas Kurtit, është që, para themelimit të Asociacionit, “strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale”.

Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet vetëm pas njohjes reciproke”, është kushti i pestë, sipas kryeministrit të Kosovës.

Duke numëruar kushtin e fundit, Kurti ka thënë se “presidenti serb [Aleksandar Vuçiq] duhet t’i tërheqë letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së dhe te të tjerat për mospranimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE”.

Këto gjashtë kushte që i vendosa unë, janë kushte politike dhe kanë bazë në aspektin demokratik, universal dhe evropian të qeverisjes dhe politikëbërjes”, është shprehur Kurti.

E kushtet e Kurtit i ka komentuar menjëherë presidenti i Serbisë, Vuçiq. Ai i ka cilësuar “përrallë” kushtet e kryeministrit të Kosovës për formimin e Asociacionit.

Lajme të ngjashme