4 vizita, 2 takime: A u rritën kërkesat e Vitisë ndaj Kurtit për Shëndetësinë?
Më 26 dhjetor 2022, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vendosi që në krye të sektorit të Shëndetësisë ta rikthejë të preferuarin e tij, Arben Vitinë. Por, çka bëri Vitia për këto javë në pozitën e ministrit të Shëndetësisë?
Pas një kohe të gjatë pa ministër të Shëndetësisë, Albin Kurti me një vendim të datës 26 dhjetor emëroi përsëri Arben Vitinë në pozitën e ministrit të Shëndetësisë.
“Tash do të punojmë edhe më shumë sesa në të kaluarën në shëndetësi. Unë besoj që emërimi i tretë i Arben Vitisë do të jetë një gjë e cila do të dëshmohet se ia ka vlejtur edhe sa i përket mirëqeverisjes, por në të njëjtën kohe edhe sa i përket një dobie të përshpejtuar në këtë sektor. Me këtë rast më lejoni të falënderoj përzemërsisht për kontributin e tij të madh me përpjekje titanike në kushte tejet të vështira të doktor Rifat Latifit.” – kishte thënë Kurti për këtë emërim.
“Qysh të njoh ty Ben ki me na bë shumë kërkesa”, thoshte Kurti për Vitinë gjatë prezantimi të tij si kandidat për kryetar të Prishtinës.
Por të shohim angazhimin e Vitisë për këto javë në krye të Shëndetësisë për të parë nëse i janë shtuar kërkesat ndaj Kurtit.
Që nga ajo ditë Vitia nuk është shfaqur në ndonjë medium apo intervistë për të treguar se cili do të jetë plan-programi i tij për të përparuar shëndetësinë në Kosovë.
Duke parë se pushtetarët mezi presin që të tregojnë për punën e tyre në rrjetet sociale, ne vendosëm të shohim se a është duke punuar ministrit Vitia.
Fillimisht u drejtuam në profilin e tij në Facebook. Aty postimi i fundit ishte bërë në muajin shtator 2022 dhe ky postim ishte për zgjedhjet e brendshme të Vetëvendosjes dhe më poshtë nuk kishte asnjë për punën e tij si ministër i Shëndetësisë.
Ndërkohë në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetëisë që nga data e emërimi të tij, gjetëm se Vitia ka pasur dy takime në zyrën e tij.
Vitia ka zhvilluar një takim me Zeinah Salahi, Drejtoreshë e Misionit të USAID-it në Kosovë, me të cilën thuhet se ka biseduar për bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë.
Vitia ka takuar edhe ambasadorin gjerman, Jörn Rohde.
Ndërkaq, gjatë kësaj periudhe Vitia ka vizituar klinikat e SHSKUS-së. Në vizitë e ka bërë në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK një në Klinikën e Pediatrisë.
Një e kishte bërë edhe gjatë ndërrimit të motmotëve, ku bashkë me Kurtin uruan lindjen e foshnjës së parë në vitin 2023.
Ndërsa Vitia për t’u treguar se e ka kësaj radhe seriozisht përmirësimin e kushteve në Shëndetësisë, dy ditë pas emërimit bashkë me Kurtin kishin përuruar Qendrën Kombëtare të Mjekësisë Sportive dhe atë të Klinikës së Mjekësisë Fizikale me Rehabilitim.
Për të mos harruar, Vitia deri më tani nuk është paraqitur në asnjë medium që nga riemërimi i tij.
Duke i parë këto "angazhime" mund të themi se kërkesat e Vitisë ndaj Kurtit kanë qenë minimale.
Vitia erdhi në krye të shëndetësisë pas tetëdhjetë ditëve që nuk kishte ministër për shkak se ish-ministri, Rifat Latifi dha dorëheqje nga kjo pozitë.
Kujtojmë se Arben Vitia kishte dhënë dorëheqje nga pozicioni i ministrit të Shëndetësisë saktësisht më 1 tetor të vitit 2021 për t’iu bashkuar garës për kryetar të komunës së Prishtinës.
Pas humbjes së garës për Prishtinën, Vitia u raportua se ishte punësuar në një spitalin privat në pozitën menaxherit dhe tashmë rikthimit të tij.
Në anën tjetër, partitë opozitare kritikuan Qeverinë Kurti për emërimin e Vitisë përsëri si ministër.
“Eksperimentim të Kurtit”; “Dështimi dhe degradimi i institucionit të shëndetësisë; “Ditë të mira për shëndetësinë siç duket, nuk do të ketë edhe për një kohë”, ishin veç disa nga kritikat që u bën ndaj riemërimit të Vitisë.




