Shëndetësia në alarm, spitalet publike rrezikojnë të mbesin pa anesteziolog - NACIONALE

Shëndetësia në alarm, spitalet publike rrezikojnë të mbesin pa anesteziolog

1 vit më parë

nga Gentiana Hasani

QKUK është në alarm nga ikja e profesionistëve shëndetësor. Mjekë e infermierë kanë zgjedhur që ta braktisin këtë insitucion publik shëndetësor, për ta vazhduar punën në spitalet private apo edhe jashtë shtetit, shkruan Nacionale.com.

Trendit të ikjes së mjekëve ka kohë që u janë bashkuar anesteziologët. Nga Klinika e Anestezilogjisë së QKUK-së pritet të largohen tre anestezilog.

Dafina Matoshi e Burhan Hadri janë dy anestezilogët të cilët së fundmi kanë hequr dorë nga puna Klinikën e Anestezilogjisë së QKUK-së.

Pas tyre punën në këtë klinikë pritet ta lë edhe anesteziologia Myzajene Kryeziu. Kështu po pohon drejtori i Klinikës, Gazmend Spahija.

Kështu po pohon drejtori i Klinikës së Anesteziologjisë, Gazmend Spahija duke cilësuar se aneseziologia e tretë ende nuk e ka bërë zyrtarë vendimin për largimin nga klinika.

Më 26 shtator largohen, por për momentin janë në pushim vjetor. Anesteziologia tjetër ende nuk e ka nënshkruar vendimin zyrtar për dorëheqje, doktoresha Myzejene Kryeziu”, ka thënë Spahija.

Për momentin QKUK ka 48 anesteziologë të cilët duhet të shërbejnë për 40 njësi punuese, 3 njësi intensive dhe emergjencën.

Rreth alarmit për ikjen e këtyre profesionistëve ka folur ditë më parë për Nacionalen vet drejtori Gazmend Spahija. Ai thekson se puna këto kushte në QKUK është shumë e vështirë të realizohet.

“…shumë i vështirë menaxhimi, sepse me punu në 40 njësi punuese me i mbajt 3 njësi intensive, emergjencën e sallat operative po është shumë vështirë. Ne tash i kemi shpeshtua kujdestaritë, jemi në çdo të gjashtën ditë kujdestar. nëse dikush shkon në pushim neve na bjen çdo të tretën ditë në kujdestari.”, thotë ai.

Doktori, ka shpjeguar edhe arsyet që po çojnë në largimin e këtyre anesteziologëve nga QKUK-ja.

“Arsyeja kryesore pse këta të rijnë po ikin nga vendi është rritja e pagës. Kolegët tanë po dalin në sektorin privat se po marrin paga shumë më të mëdha”, thotë ai.

Spahia ka thënë se aktualisht kanë nevojë edhe për 70 anesteziologë, duke e quar numrin në 120, sa është parallogaritja. E ky numër i anesteziologëve sa ka aktualisht QKUK-ja, po konsiderohet i pamjaftueshëm për të kryer të gjitha shërbimet mjekësore që nevojiten.

Mjekët e QKUK-së: Po merren me greva dhe e lanë pas shëndetësinë

Së shëndetësia është lënë pas dore, flasin edhe nga vet QKUK-ja. Alarmin po e ngritë vet urologu i këtij institucioni shëndetësor Liridon Selmani.

“Temat e Dialogut dhe tani greva e mësimdhënësve kanë lënë pas vëmendjes së publikut problemin e madh që ka vendi ynë me shëndetësinë. Nga ShSKUK çdo ditë po ikin kuadro me vlerë, të cilët tashmë kanë lënë zbrazëtirë dhe vështirësi në ofrimin e shërbimeve shëndetësore cilësore. Ministria e Shëndetësisë duhet të draftojë një plan konkret - bazuar në nevojat e terrenit dhe klinikave në mënyrë që të mundohet të sanojë situatën edhe ashtu shumë të brishtë”, thotë Selmani.

Urologu Liridon Selmani thekson se është momenti i fundit që sytë të kthehen nga ky sektor.

“Mjekësia jonë sot ka nevojë për ndërhyrje urgjente, menaxhim të situatës se ikjes së stafit cilësor, mungesës së anesteziologëve dhe stafit të mesëm, mungesës së barërave dhe materialit shpenzues, infrastrukturës shumë të vjetëruar - pastaj në plan të dytë mund të vie robotika (pasi që të jenë sanuar këto të parat).Mendoj që Qeverisë i duhet një formatizim i menjëhershëm në disa sektore, posaçërisht në atë të shëndetësisë”, thotë ai.

Mungesës së anestezilogëve ia shohin sherrin pacientët

Nga mungesa e këtyre specialistëve në klinikat kosovare po krijohen lista të gjata të pritjes së pacientëve. Afro 2 mijë pacientë e presin një anesteziolog në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare.

Aktualisht në këtë klinikë vetëm një sallë është në shfrytëzim për shkak se tash e një muaj klinika ka vetëm një anesteziolog.

Sipas drejtorit, për aq kohë sa klinika kishte dy anesteziologë vëllimi i punës ka qenë më i lartë, mirëpo me vetëm një anesteziolog ai thotë se nuk mund të kryhen më tepër intervenime, duke potencuar edhe mungesën e shtretërve për hospitalizim të pacientëve./Nacionale.com/

Lajme të ngjashme