Ministri erdhi, por programi për shëndetësinë jo: Çka mund të presim prej Arben Vitisë?
Pas gati tre muajve pritje, Kosova më në fund u bë me zot shtëpie të Ministrisë së Shëndetësisë. E për të tretën herë, kjo pozitë nga kryeministri Kurti iu besua Arben Vitisë. Por ministri aktual nuk ka folur asnjë fjalë për mediet pas këtij emërimi. Programin e tij për Ministrinë e Shëndetësisë qytetarët nuk e kanë parë ende. As kryeministri Kurti nuk ka bërë ndonjë njoftim për emërimin e Vitisë.
Ka pesë ditë që është emëruar ministër në sektorin më të ndjeshëm në Kosovë, atë të shëndetësisë. Gjatë këtyre ditëve, Vitia dy herë ka qenë në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.
Të mërkurën e 27 dhjetorit, e përuroi objektin e Qendrës Kombëtare të Mjekësisë Sportive dhe Klinikës së Mjekësisë Fizikale me Rehabilitim Mjekësor.
Një ditë më pas, ministri sërish qëndroi në QKUK. Të enjten i vizitoi Klinikën e Pediatrisë dhe atë të Kirurgjisë së Fëmijëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, duke shpërndarë dhurata për fëmijët e shtrirë për spitalizim në kuadër të Repartit të Hemato-Onkologjisë dhe repartet e Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve.
Por për medie Vitia ende nuk ka thënë asnjë fjalë për programin e tij qeverisës. Në anën tjetër, llogaridhënie po kërkohet prej tij nga gazetarët.
“Lëvizja Vetevendosje, me saktë kryeministri Kurti është përgjegjës për degradimin ne aspektin e menaxhimit te shëndetësisë në muajt e fundit. Ky sektor nuk ka qenë prioritet dhe nuk është trajtuar me seriozitet. Kjo ka ndodhur duke eksperimentuar me njerëz në pozita udhëheqëse. Pritjet e mia nga riemërimi i Arben Vitisë janë larg nga ato qe ka premtuar LVV, kur ka ardhur ne pushtet. Është humbur shumë kohë dhe në dy vjet mandat, sa i kanë mbetur kësaj qeverie, nuk mund të bëhet asgjë më shumë sesa stabilizimi i sektorit në menaxhim dhe furnizime, nisja e reformave dhe ndonjë investim në modernizimin e infrastrukturës dhe pajisjeve”- thotë gazetari i shëndetësisë, Bujar Vitia.
“A ka konferencë të fundvitit Ministria e Shëndetësisë? Kur kanë me i tregu rezultatet?”- pyet gazetarja Saranda Ramaj.
Por si erdhi deri tek emërimi i tretë i Vitisë si ministër i Shëndetësisë?
Ishte Zyra e Kryeministrit ajo e cila njoftoi për riemërimin e Vitisë në krye të shëndetësisë.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot ka emëruar Arben Vitinë, ministër për Shëndetësi, të cilit i ka uruar suksese në plotësimin e detyrave dhe përgjegjësive të tij”- thuhet në komunikatën zyrtare nga Zyra e Kryeministrit.
E shëndetësia në Kosovë gati 80 ditë mbeti pa zot shtëpie pas dorëheqjes së Dr. Rifat Latifi nga kjo pozitë. Tetëdhjetë ditëve pa ministër u shtohen edhe plot 45 ditë të tjera gjatë vitit 2021.
Kurti, që nga ajo kohë, ishte në kërkim të një ministri. Por, siç duket, atë e gjeti veç pas 79 ditëve. E ishte ish-ministri që për të tretën herë Kurti e emëroi në këtë post, pra Arben Vitia.
Por në kohën kur Latifi dha dorëheqje, mediet e pyetën Vitinë nëse do të rikthehej si ministër.
“Jo, nuk kam asnjë interesim. Nuk kam qenë në dijeni më herët, është lajm ky që sapo më thatë,” – na kishte thënë ai.
Ku ishte Arben Vitia?
Nëntori 2021 - VITIA: “Misioni im në Ministrinë e Shëndetësisë ka mbaruar”
Kujtojmë se në nëntor të vitit 2021, ishte vetë Arben Vitia që e braktisi pozitën e ministrit të Shëndetësisë, për t’iu futur kështu garës për kryetar të Prishtinës.
Pati thënë se misioni i tij në Ministrinë e Shëndetësisë kishte përfunduar.
Ai ishte pyetur se a do të rikthehej në Ministrinë e Shëndetësisë, nëse do ta humbte garën për kryetar të Prishtinës.
“Në momentin që kam dhënë dorëheqje, nuk ka plan B më për t’u kthyer në Ministrinë e Shëndetësisë. Ata që më njohin, e besoj se më njohin edhe qytetarët, misioni im në Ministrinë e Shëndetësisë ka mbaruar” – ishte përgjigjur Vitia në emisionin “Context” në ATV më 4 nëntor 2021.
E garën për Prishtinën Vitia nuk e fitoi.
Dhjetor 2022
Kështu, më 26 dhjetor 2022, kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se e ka emëruar Arben Vitinë si ministër të Shëndetësisë pas gati tre muajve pa ministër.
Ish-ministri Rifat Latifi dha dorëheqje më 6 tetor 2022.
Që nga ajo kohë, u.d e ministres së Shëndetësisë ka qenë Dafina Gexha – Bunjaku. Për herë të parë, Arben Vitia ishte emëruar ministër i Shëndetësisë në Qeverinë Kurti I në vitin 2020. Më pas, atij i ishte besuar pozita e të parit të Shëndetësisë edhe në Qeverinë Kurti II.
Nuk dihet se çka saktësisht ia riktheu interesimin Arben Vitisë për t’u bërë sërish ministër i Shëndetësisë, por ajo që dihet është se 80 ditë më 2022 dhe 45 të tjera në vitin 2021 u çuan dëm pikërisht në pritje të tij.

