Qe dy herë periudha të gjata pa ministër: Ku mbeti ministri i ri i shëndetësisë? - NACIONALE

Qe dy herë periudha të gjata pa ministër: Ku mbeti ministri i ri i shëndetësisë?

1 vit më parë

nga Gentiana Hasani

Ka 39 ditë që shëndetësia në Kosovë nuk ka zot shtëpie. Kjo pas dorëheqjes së ish-ministrit të këtij dikasteri, mjekut Rifat Latifi. Qeveria ende nuk ka dhënë ndonjë detaj apo datë se kur pritet ta emërojë ministrin e ri. Opozita e shoqata e pacientëve po e kritikojnë Qeverinë për lënien anash të këtij sektori.

Kushdo që pyet dikë se kush është ministër i shëndetësisë në Kosovë, do të mbes pa përgjigje. Kjo ngase qytetarët as vet s’e dinë se kush është i zoti i shtëpisë së institucionit që është jetik për jetën e tyre në shumë raste, pra Ministrisë së Shëndetësisë.

Që nga data 6 tetor vendi është pa ministër të shëndetësisë, të emëruar zyrtarisht ani pse punën si U.D e ministrit po i vazhdon Dr. Dafina Gexha – Bunjaku.

Por, Qeveria siç duket ende nuk ka reflektuar karshi emërimit të ministrit të ri.

Qeveria Kurti kishte mbetur pa ministër të shëndetësisë edhe në vitin 2021. Më 1 tetor kishte dhënë dorëheqje Arben Vitia, dhe i cili nuk ishte zëvendësuar deri më 15 nëntor.

Opozita kërkon emërimin e shpejtë të ministrit të shëndetësisë

Reflektim më të shpejtë të Qeverisë po kërkojnë nga ana e opozitës kosovare, gjegjësisht anëtarët e komisionit për shëndetësi në Kuvendin e Kosovës.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj në një prononcim për Nacionalen theksoi se sektori i shëndetësisë nuk mund të funksionojë pa prani të ministrit.

“Sinqerisht situata në shëndetësi nuk është e mirë dhe duhet të zgjidhet sa më parë. Ministria të funksionojë pa prani të ministrit nuk është në rregull ndërsa përgjegjësitë ti mbajë mbi vete kryeministri i cili ka mjaft obligime të tjera”, thotë Dreshaj.

Doktor Dreshaj thotë se shëndetësia në Kosovë nuk ka qenë asnjëherë prioritet i kësaj Qeverie.

“Shëndetësia është problematike gjithkund në botë. Shëndetësia në Kosovë nuk ka qenë asnjëherë prioritet i qeverisjes së vendit e as kësaj Qeverie aq më pak kur kjo qeveri vije me 50% të buxhetit të reduktuar në shëndetësi dhe merret me disa infuzione siç është rasti me 4 milionë për barna esenciale. Politikat shëndetësore duhet të ndërrohen komplet me ligjin për sigurinë shëndetësore. Sa më urgjente për shëndetësinë dhe të mos na largohen mjekët është të sillet ligji i pagave”, tha ai.

Për gjendjen në shëndetësi kanë reaguar edhe nga Partia Demokratike e Kosovës.

Sipas deputetit Abelard Tahiri Qeveria ka humbur fokusin sa i përket gjendjes në shëndetësi e emërimit të ministrit.

“Për një periudhë kaq të gjatë siç është shëndetësia të mbetet pa ministër. Fokusi i Qeverisë ka humbur fare. Janë ata që po shpenzojnë nga xhepat e tyre. Ka shumë afera korruptive gjatë kësaj periudhe dhe kërkojmë debat për gjendje në shëndetësi”, ka thënë Tahiri.

“Me largimin e Rifatit nuk janë zgjidhur problemet në shëndetësi”

Për punën e këtij komisioni, emërimin e Kurtit në krye të tij e anashkalimin e ish-ministrit Latifi ka pasur shumë kritika. Disa e kanë parë edhe si presion për dorëheqjen e ish-ministrit Rifat Latifit.

Nga Shoqata për Mbrojtjen dhe të Drejtat e Pacientëve thonë se pas dorëheqjes së Latifit, ky komision ekzekutiv do të duhej t’i shpeshtonte takimet. Besim Kodra nga kjo shoqatë thekson se problemet në shëndetësi vetëm se janë thelluar edhe më shumë.

"Pas dorëheqjes së Latifit, unë besoj që Kurti është dashur që më shpesh ta mbledhë komisionin. E para, që të diskutojë rreth emrit potencial të ministrit të Shëndetësisë. Me largimin e ministrit nuk kanë përfunduar problemet në shëndetësi, ato veç janë rritë”, thotë Kodra.

Ai tha se nga dy ministra të Shëndetësisë, (duke aluduar në Kurtin e Latifin), Kosova mbeti pa asnjë.

“Realisht, ne një herë i patëm dy ministra të Shëndetësisë. Tash s'po e kemi asnjë. Njëherë, nuk e patëm të qartë kush me i kry punët e shëndetësisë, tash s'po i kryen asnjëri. Problemin e ministrit të Shëndetësisë Qeveria duhet ta ketë shumë me urgjencë”, shtoi Kodra.

Ku mbeti Rifati?

Ish-ministri i Shëndetësisë tash siç duket ka marrë një mision tjetër. Ai javën qe e lëmë pas ka mbajtur një takim me deputetët e Parlamentit Evropian. Eurodeputetëve, Latifi është kujdesur që pikë për pikë t’ua tregojë gjendjen e rëndë të shëndetësisë kosovare. Mes tjerash ai ka treguar se në Kosovë siguria dhe cilësia në shërbimet shëndetësore është e ulët dhe se ky sektor është i rrënuar nga korrupsioni dhe i lënë pas dore me dekada.

“Shëndetësia e Kosovës ishte injoruar dhe e lënë pas dore, është keqmenaxhuar, është rrënuar nga korrupsioni madhor në të gjitha shtresat e shërbimeve shëndetësore dhe e segmentuar politikisht në forma të ndryshme për tri dekada. Andaj mund të karakterizohet nga siguria edhe cilësia e ulët e shërbimeve klinike, mungesa e ekspertizës dhe e aftësive klinike, mungesa e infrastrukturës moderne e, mbi të gjitha, mungesa e aftësive menaxheriale, të cilat në masë të madhe e mbisundojnë sistemin shëndetësor të Kosovës”- ka deklaruar ish-ministri Latifi gjatë takimit me eurodeputetët./Nacionale.com/

Lajme të ngjashme