100 ditë vetmi: Qeveria Kurti i mbush 100 ditë pa ministër të shëndetësisë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka emëruar ende ministrin e ri të shëndetësisë përkundër që ky dikaster duket të jetë në krizën më të thellë ndonjëherë. Kjo mungesë e ministrit të shëndetësisë është bërë aq kronike sa tashmë ka krijuar domethëniet e veta politike, mbi vetë kryeministrin dhe Qeverinë e tij.
Kanë kaluar plot 55 ditë që nga dorëheqja e Rifat Latifit (6 tetor). Por, kjo s’është e para herë që vendi është pa ministër të shëndetësisë nën Qeverinë Kurti II. 45 ditë tjera pa ministër të Shëndetësisë kishin kaluar pas dorëheqjes së Arben Vitisë më 1 tetor 2021, e i cili në atë kohë kishte garuar për kryetar të Prishtinës. Kurti e kishte emëruar ministrin pas 45 ditësh, më 16 nëntor. Kjo bën që numri i plotë i ditëve pa ministër të jetë saktësisht njëqind.
Disa numra
Njëqind ditë konsiderohet se mjaftojnë për të dhënë gjykime të përgjithshme për një qeveri. Dhe njëqind ditë, i mjaftuan Kurtit deri tash (e kjo mund të vazhdojë) që ta lë vendin pa ministër. E numërimi vazhdon...
Ta shohim këtë çështje në perspektivë. E gjithë Qeveria Kurti I kishte zgjatur sa gjysma e kohës sa Qeveria Kurti II nuk ka ministër të Shëndetësisë, pra vetëm 51 ditë.
Vetëm rreth 200 ditë zgjati Qeveria Hoti.
Dhe vetëm rreth 100 ditë kishte zgjatur Qeveria Haradinaj I.
Pra, ky numër ditësh është jashtëzakonisht i madh, marrë parasysh telashet e mëdha e të rritura në shëndetësinë kosovare gjatë dy viteve të fundit. Mes këtyre telasheve është edhe ikja e mjekëve, që potencialisht rrezikon ta çojë drejt kolapsit shëndetësinë publike.
Pse jemi pa ministër?
Çështjet e shëndetësisë ishin vendosur të parat në dy kategoritë e para të Programit të Qeverisë Kurti II, te prioritetet dhe planet.
Në pjesën ku flitet për planin, kërkohet “reformim i sektorit të shëndetësisë” por përmes fjalish të përgjithshme e dëshirore si kjo e mëposhtmja: “Vizioni jonë (duhet shkruar “ynë”) për shëndetësinë është popullata e shëndetshme. Këtë synojmë ta arrijmë nëpërmjet ofrimit të shërbimeve shëndetësore cilësore dhe të sigurta për të gjithë qytetarët e vendit.”
Por, kjo nuk po ndodh dhe kritikat për Qeverinë e Kosovës janë të shumta. Partia në pushtet, madje gjen kohë të merret edhe me videomontazhe ku godet opozitën, por nuk po arrin të gjejë një emër të ri për ministër.
Ish ministri i shëndetësisë, Arben Vitia ka hequr dorë nga shëndetësia publike vetëm pas gjashtë muajsh shërbimi (prill-tetor) duke u bërë pjesë e sektorit privat, në një klinike private.
Ish ministri tjetër, Rifat Latifi, pas dorëheqjes ka qenë kritik i madh i situatës me shëndetësinë e vendit.
“Pjesa e administratës së Ministrisë së Shëndetësisë është një labirint ose rrjet kompleks i një ndërthurjrje rregullash të pakuptueshme të formuara ndër vite, dhe të krijuara për të penguar ecurinë e shërbimeve shëndetësore publike.” – shkruante ai.
Duhet kujtuar se mes premtimeve të Qeverisë Kurti kishte qenë edhe ai për "sigurime shëndetësore publike".
Qeveria Kurti II deri tash ka qenë në pushtet për 628 ditë gjithsejt. Emrat më të përfolur për ministër të ri të shëndetësisë janë Jusuf Ulaj dhe Haxhi Avdyli deri tash.