“30 të lënduar”, çka dihet për aksidentin e rëndë në Vragoli? - NACIONALE

“30 të lënduar”, çka dihet për aksidentin e rëndë në Vragoli?

11 muaj më parë

nga Eriola Cacaj

Një aksident në mes një autobusi dhe një kamioni ka ndodhur në pasditen e së shtunës në fshatin Vragoli, saktësisht në rrugën Prishtinë – Pejë, ku kanë mbetur të lënduar 30 persona. Autobusi i aksidentuar po barte nxënës të një shkolle nga Presheva, të cilët ishin duke u kthyer nga një ekskursion.

Drejtori i Emergjencës në Qendrën Klinike, Universitare të Kosovës, Naser Syla ka njoftuar se të gjithë pacientët nga aksidenti në Vragoli janë në gjendje stabile.

Syla në një prononcim për RTK, ka thënë se në emergjencë kanë pranuar 13 pacientë dhe të gjithë janë mjekuar dhe më pas janë liruar.

13 pacient kanë ardhur në emergjencë nga aksidenti, të gjithë janë trajtu. Pas trajtimi janë liruar. Të gjithë janë në gjendje stabile.” – ka thënë Syla.

Gazeta Nacionale ka kontaktuar edhe me Durim Hysenin, pronar i autobusit “Graniti trans”, i cili ka bërë të ditur se nxënësit kanë qenë duke u kthyer nga ekskursioni.

Po, autobusi është i joni. Jemi nga Presheva. Në autobusë kanë qenë disa nxënës duke u kthyer nga ekskursioni.” – ka bërë të ditur Hyseni.

Ai tutje ka treguar se është duke dal në vendin e ngjarjes.

Numri i të lënduarve nga ky aksident është rreth 30 persona.

Kështu ka bërë të ditur në një prononcim për Gazetën Nacionale, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi.

Krasniqi ka njoftuar se në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe autoambulanca.

“Në ora 15:50, policia është njoftuar për një aksident trafiku të ndodhur në rrugën nacionale Prishtinë-Pejë (fshati Vragoli). Në aksident është përfshirë një autobus me targa të huaja dhe një kamion me targa vendore. Njësitet përkatëse policore kanë dalë në vend-ngjarje. Si pasojë e aksidentit janë lënduar rreth 30 persona që kanë pësuar lëndime. Janë njoftuar edhe ekipet mjekësore. Më pas do t'u ofrojmë të dhëna të përditësuara lidhur me aksidentin.” – ka bërë të ditur Krasniqi.

Ministria i Shëndetësisë, Arben Vitia ka bërë të ditur se njëra nga nxënëse ka marrë vetëm lëndime të lehta dhe ndërsa të tjerët kanë kaluar pa lëndime.

Kështu ka bërë të ditur Ardita Sinani, këshilltare e kryeministrit Albin Kurti.

Sinani ka njoftuar se ka biseduar me ministrin Vitia, pas vizitës së tij në QKUK.

Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, z. Arben Vitia, ishte në vizitë në QKUK ku po trajtohen nxënësit e shkollës së mesme teknike "Presheva". Ai na informoi se përveç njërës nga nxënëset e cila ka lëndime të lehta trupore e cila ka marrë ndihmën e menjëhershme, të gjithë të tjerët kanë kaluar pa lëndime. Poashtu njërës nga nxënëset i është bërë CT skenim për rast sigurie.” – ka shkruar ajo në Facebook.

Rreth aksidentit ka reaguar edhe kryetari i Preshevës, Shqipërim Arifi.

Arifi përmes një video ka kërkuar nga prindërit e nxënësve që të mos shqetësohen, dhe se nga aksidenti ka vetëm dëme materiale.

Ai tutje ka njoftuar se në autobus kanë qenë maturantë që ishin duke u kthyer nga ekskursioni dhe se komuna së bashku me agjencinë kanë siguruar transportin zëvendësues për udhëtare për të vazhduar rrugëtimin.

“Ju lutemi për mos shqetësim, ne do të jemi pranë tyre për çdo nevojë. Sapo u informuam se gjatë kthimit nga ekskursioni i maturantëve, ka ndodhur një aksident trafiku, ku dëmet janë vetëm materiale. Maturantët dhe të gjithë të tjerët janë mirë. Komuna së bashku me agjensionin kanë marrë masa të menjëhershme për sigurimin e transportit. Ne do të jemi pranë tyre për çdo gjë që ata kanë nevojë.” – ka thënë Arifi.

Lajme të ngjashme