Në 25-vjetorin e bombardimeve të NATO-s, Kurti reflekton në interpretimin e ngjarjeve historike të vendit - NACIONALE

Në 25-vjetorin e bombardimeve të NATO-s, Kurti reflekton në interpretimin e ngjarjeve historike të vendit

1 muaj më parë

nga Flakon Demaku

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, aktualisht – sipas fjalëve të zëvendësndihmës sekretarit amerikan të shtetit – mund të ketë "probleme komunikimi me NATO-n", por qëndrimi i tij ndaj ndërhyrjes së aleancës me të madhe ushtarake në botë ndaj caqeve të policisë ushtarake serbe nuk është më i njëjtë. Duke u distancuar nga retorika e tij e mëparshme, Kurti, tash kryeministër i Kosovës, e cilësoi ndërhyrjen e NATO-s "me karakter humanitar".

Në përkujtim të 25-vjetorit të fillimit të bombardimeve, ndërhyrja e NATO-s, sipas Kurtit, nuk është vetëm një operacion ushtarak, por është gjithashtu një ndërhyrje me karakter humanitar që pati qëllim të parandalonte gjenocidin që po e kryente shteti i Serbisë.

"Bombardimet e NATO-s erdhën si një ndërhyrje ushtarake me karakter humanitar, që kishte për qëllim ta ndalonte gjenocidin që po e kryente shteti i Serbisë okupatore ndaj shqiptarëve vendas në Kosovë. Në mbrëmjen e 24 marsit të vitit 1999, avionë bombardues të NATO-s u ngritën në fluturim dhe nisën një fushatë sulmesh nga ajri mbi Jugosllavi, e cila vazhdoi deri më 10 qershor për mbi dy muaj e gjysmë rresht", shkroi Kurti ndër të tjera.

Albin Kurti si kryeministër duket se ka pësuar një revolucion të mendjes në kontekst të interpretimit të ngjarjeve historike të Kosovës. Duke pranuar rolin e NATO-s si një forcë që ndihmoi në parandalimin e një katastrofe humanitare, Kurti tha se "pa aleatë dhe miq nuk do të çliroheshim asokohe".

Madje, ndryshe nga qëndrimet e tij të mëparshme ku kontestonte humanizmin e kësaj ndërhyrjes së aleancës, kreu i ekzekutivit tha se "fushata bombarduese e NATO-s mbi Jugosllavi, e pamundësoi realizimin e projektit gjenocidal të Serbisë për shfarosjen e shqiptarëve (i cili megjithatë rezultoi me qindra masakra mizore mbi popullsinë civile)”.

Nga deklarimi se “Intervenimi i NATO-s nuk është bërë për ta çliruar Kosovën”, Kurti ka shkruar se “fushata bombarduese e NATO-s mbi Jugosllavi, e pamundësoi realizimin e projektit gjenocidal të Serbisë për shfarosjen e shqiptarëve".

Në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje të publikuar kohë më parë dhe kujtuar së fundmi në Facebook nga gazetari Lirim Mehmetaj, VV-ja kritikonte bombardimet e NATO-s ndaj caqeve ushtarake dhe policore serbe me argumente të sojit: "vërehet se NATO nuk ka qenë aq e shqetësuar për të zmbrapsur sulmin e armatosur të forave serbe mbi popullatën shqiptare".

Kjo vjen në kohën kur zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit Gabriel Escobar tha se bashkësia ndërkombëtare ka “probleme komunikimi” me kryeministrin Kurti, duke përmendur edhe NATO-n.

"“Partneriteti mes ShBA-së dhe Kosovës është mes popujve të Kosovës dhe ShBA-së. Nuk shkon prej një njeriu, ose një pale. Por, duhet të them, aktualisht ne kemi një problem me komunikimin me kryeministrin, nuk është veç ShBA-ja, këtë problem Kosova e ka edhe me BE-në, me NATO-n, me Britaninë e Madhe. Edhe me partnerë të tjerë, Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Kemi pasur një partneritet shumë të afërt me Kosovën në të kaluarën, ne duam ta kemi këtë lidhje edhe tani siç ishte në të kaluarën”, tha Escobar.

Lajme të ngjashme