ShBA-ja pritet të ndajë 6 miliardë dollarë ndihmë afatgjatë ushtarake Ukrainës - NACIONALE

ShBA-ja pritet të ndajë 6 miliardë dollarë ndihmë afatgjatë ushtarake Ukrainës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara pritet që të njoftojnë të premten se do të ndajnë rreth gjashtë miliardë dollarë për ndihmë ushtarake afatgjatë për Ukrainën, thanë zyrtarë amerikanë, duke shtuar se në këtë pako do të përfshihen municionet e kërkuara për një kohë të gjatë për sistemet e mbrojtjes ajrore “Patriot”.

Zyrtarët thanë se kjo pako do të financohet përmes Nismës për Asistencë Sigurie për Ukrainën, që ofron fonde për kontrata më afatgjata me industrinë e mbrojtjes dhe nënkupton që mund të nevojiten shumë muaj ose vjet që armët të arrijnë në Ukrainë. Zyrtarët folën në kushte anonimiteti për t’i diskutuar hollësitë që nuk janë ende publike, raporton agjencia “Associated Press”.

Në fondet e reja – grumbulli më i madh nga kjo nismë deri më tani – do të përfshijnë shumë lloje municioni për mbrojtje ajrore, përfshirë sistemet NASAM dhe HIMARS, si dhe municionin për sistemin “Patriot”, dronët “Switchblade” dhe “Puma”, si dhe sisteme kundër dronëve e artileri.

Njoftimi pritet të vijë në kohën kur sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, organizon një takim virtual të premten me zyrtarë të mbrojtjes nga Evropa e bota për të diskutuar rreth ndihmave ndërkombëtare për Ukrainën. Ky tubim – i themeluar nga Austini dhe i njohur si Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës – është takuar pothuajse çdo muaj gjatë dy viteve të fundit dhe është forumi parësor për kontribute me armë për Kievin për luftë.

Kjo ndarje vjen pas vendimit të Shtëpisë së Bardhë më herët këtë javë për miratimin e një miliardi dollarë armë e pajisje për Ukrainën. Në ato armë përfshihen disa lloje municioni, përfshirë municionin e mbrojtjes ajrore dhe sasi të madhe të predhave të artilerisë që po kërkohen shumë nga forcat ukrainase, si dhe automjete të blinduara e armë të tjera.

Kjo ndihmë, megjithatë, do të arrijë në Ukrainë shpejt, sepse do të tërhiqet nga rezervat e Pentagonit, përfshirë disa depo në Evropë.

Lajme të ngjashme