15 mijë nënshkrime pro tërheqjes së Trustit, nesër dita e fundit e peticionit
Votimi i deputetëve të shumicës kundër nismës për tërheqjen e kursimeve pensionale nga Trusti, kishte shtyrë iniciuesit e tij të fillojnë një peticion për të rikthyer këtë temë përsëri në Kuvend. E kur ka mbetur edhe një ditë deri në mbylljen e peticionit, sipas organizatorëve, janë afër 15 mijë qytetarë që kanë nënshkruar atë.
Megjithatë, Adnan Jashari, organizator i peticionit, i tha gazetës Nacionale se ende nuk e ka shifrën finale të nënshkruesve të peticionit.
“Mbi 15 mijë nënshkrime sipas llogaritjeve të para, nuk mund të kemi një numër total deri nesër kur të na i sjellin të gjithë nënshkrimet”, tha Jashari.
Tutje, ai tregoi se nesër është dita e fundit për të nënshkruar peticionit. Andaj, Jashari ftoi qytetarët për të nënshkruar atë.
“Nesër mbyllim mbledhjen e nënshkrimeve për Projektligjin për Trustin, andaj ju lutem që ata që nuk e kanë nënshkruar Peticionin le ta bëjnë dhe të gjithë ata qe kanë mbledhur nënshkrimet, që ato deri nesër t'i dorëzoni tek ne ose në ndonjërën nga pikat tona në sheshet e Kosovës”, tha Jashari.
Përveç në kryeqytet, organizatorët kanë vendosur stenda edhe në qytete të tjera të Kosovës, duke synuar mbledhjen e sa më shumë nënshkrimeve.
Gjatë ditës, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, që është nismëtar i ndryshim-plotësimit të projektligjit për Kursimet Pensionale, ka thënë se është i fascinuar me përkrahjen e qytetarëve për peticionin.
“I fascinuar me angazhimin e qytetarëve për të riproceduar në Kuvend Projektligjin për Trustin”, shkroi Haxhiu në Facebook.
“Mirënjohje e veçantë për Adnan Jasharin dhe të gjithë aktivistët, qytetarët që anekënd Kosovës u organizuan dhe për 5 ditë kanë siguruar mbi 15 nënshkrime për Nismën Legjislative Qytetare për Projektligjin për Trustin”, shkroi tutje deputeti i PDK-së.
Kujtojmë që në mbledhjen e 23 qershorit, projektligji për tërheqjen e kursimeve nga Trusti.
Me 44 vota për, 57 kundër dhe vetëm 1 abstenim, Kuvendi i Kosovës refuzoi tërheqjen e 30% të Trustit.
“Konstatoj se Ligji nuk ka kaluar”, ishte lajmërimi i Glauk Konjufcës, kryetar i Kuvendit.
Për kanë votuar të gjitha partitë opozitare, minoritetet përfshirë edhe Listën Serbe. Ndërsa kundër kësaj nisme, votuan deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, me përjashtim të Fatmir Humollit, i cili ka abstenuar.
Ndryshe, seanca e 23 qershorit ishte përcjellë me shumë debate, e ku ishte përfshirë edhe vetë kryeministrit Albin Kurti, i cili i reagoi Haxhiut, që ishte iniciuesi i idesë së tërheqjes së 30% të kursimeve.
“Unë nuk kam qenë i njoftuar që nismëtari është doktor shkence, nismëtari ka doktoratë, ka PHD. Nevojitet doktoraturë për një fizioterapistë që ta sjellë një propozim të tillë në Kuvend”, ka thënë ai.
Për më shumë, Kurti e kishte quajtur kërkesën për tërheqjen e Trustit si qasje populiste.
“A din kush flet veç për çmime pa folë për strukturën e ekonomike, Le Peni veç Le Peni flet në fushatë kështu. Halli im nuk është që kalon ky projektligj se e di që nuk kalon, halli është që po diskutohet”, deklaronte shefi i Qeverisë.
Në fjalën e tij, deputeti i PDK-së i kërkoi Kurtit të mos u bënte presion deputetëve, duke kërkuar që të njëjtit të lihen të lirshëm për të votuar.
“Nëse vazhdon kështu me qëndru në zyre edhe mos me i dëgju kërkesat e qytetarëve, do të kesh edhe probleme të dhembjes së shpinës, e do të kesh nevojë për fizioterapi. Jam i gatshëm të trajtoj pa pare sa herë që ke nevojë”, thoshte Haxhiu.
Edhe për këtë, Kurti pati një përgjigje, duke thënë se Haxhiun mund ta marrë seriozisht vetëm “kur e sjell në Kuvend projektligjin për masazh”.

