Opozita e përçarë për Trustin, disa deputetë s'morën pjesë në votim - NACIONALE

Opozita e përçarë për Trustin, disa deputetë s'morën pjesë në votim

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Projektligji, përmes të cilit do të mundësohej tërheqja deri në 30 për qind e Trustit nuk ka kaluar dje në Kuvendin e Kosovës. Kjo, pasi, askush prej deputetëve të LVV-së nuk e përkrahur iniciativën e opozitës. Votimi tregoi se 57 deputetë ishin kundër, 44 për dhe një abstenim.

Por, ajo që ra në sy dje ishte mungesa e 12 deputetëve të opozitës në këtë seancës parlamentare.

Ramush Haradinaj, Avdullah Hoti, Bekë Berisha, janë vetëm disa nga deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e opozitës që nuk morën pjesë në seancën ku u votua për nismën e opozitës.

Ndonëse disa prej tyre ishin shumë të zëshëm për Trustin, ata nuk ishin prezent për të votuar.

Përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së mungesën e këtyre deputetëve kanë arsyetuar me shanset e vogla për ta kaluar këtë nismë.

Iniciuesi i këtij projektligji, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë për gazetën Nacionale se pa votat e pushtetit nuk kishte gjasa të kalonte kjo iniciativë ligjore.

Ai ka thënë nuk e di pse 4 deputetë të partisë se tij kanë munguar në këtë seancë.

“Për besë nuk e di kush nuk ka qenë. Por edhe po të kishim qenë krejt opozita, bashkë me minoritete, prapë pa disa vota të pozitës nuk kishim mujtë me e ba”, thotë Haxhiu.

Edhe më shumë deputetë dje i kanë munguar LDK-së.

Shefi i këtij grupi parlamentar, Arben Gashi, i tha Nacionales se disa anëtarë të partisë së tij që janë pjesë e Kuvendit, munguan dje. Përveç Hotit, edhe 5 deputetë tjerë të LDK-së nuk kanë marrë pjesë në seancë.

“Për shkak se pjesa kryesore e tyre kanë qenë jashtë Kosovës. Por edhe sikur të kishin qenë do të ishte e kotë, sepse pushteti e ka shumicën. Do të thotë, ka qenë e pamundur të kalojë. Efekti në rezultat nuk do të ishte domethënës. Nuk është varur asgjë prej tyre, sepse pozita ishin të mobilizuar, kishin 57 vota kundër dhe na e bënë të pamundur që të kalojë, meqë e gjithë opozita jemi 40”, tha Gashi për Nacionalen.

Ndërkohë edhe në AAK munguan ata që ishin shumë të zëshëm për tërheqjen e këtyre parave të trustit.

Lideri i kësaj partie, Ramush Haradinaj nuk u pa dje në seancë ani se më vonë u pa në një dasmë.

“Ka munguar Ramush Haradinaj dhe Bekë Berisha. Përndryshe, ne të gjithë kemi qenë unanim pro tërheqjes së Trustit”, i tha gazetës Time Kadrijaj nga AAK-ja.

E ndërkohë, në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës ky projektligj nuk ka marrë votat e partisë në pushtet Lëvizjes Vetëvendosje, ndërkohë që është votuar nga deputetët e partive opozitare.

Qeveria e Kosovës është shprehur kundër një tërheqjeje të mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pensionale.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës se “nuk munden që një problem të së tashmes ta zgjidhin me rrënim të së ardhmes”.

Deputetët e partive opozitare në pushtet kanë arsyetuar projektligjin që mundëson tërheqjen e kursimeve pensionale për shkak si pasojë e gjendjes së rënduar ekonomike dhe sociale të qytetarëve nga rritja e madhe e çmimeve.

Ata kanë thënë po ashtu se tërheqja e kursimeve pensionale është kërkesë e qytetarëve.

Ky projektligj ishte dorëzuar më 9 mars në Kuvendin e Kosovës nga subjekti opozitar, Partia Demokratike e Kosovës.

Projektligj parashihte që kontributpaguesit që kanë më pak se 10 mijë euro kursime pensionale të kenë të drejtën e tërheqjes së 30 për qind të mjeteve. Ata që kanë deri 20 mijë euro - 25 për qind, nga 20 mijë deri 30 mijë - 20 për qind.

Për kontributpaguesit që kanë kursime pensionale në shumën prej 30 mijë eurosh -15 për qind dhe ata mbi 40 mijë euro - 10 për qind të shumës.

Të gjithë të punësuarit në Kosovë paguajnë 10 për qind kontribute pensionale nga paga e tyre: 5 për qind i paguan punëdhënësi, kurse 5 për qind ndahen nga paga e të punësuarit.

Kursimet pensionale sipas legjislacionit janë të rregulluar në atë formë se mund të përdoren nga kontribuuesi vetëm pasi t’i përmbushë kriteret për pensionim, përkatësisht arritjen e moshës 65-vjeçare./Nacionale.com/

Lajme të ngjashme