140 ditë seancë për të mos hyrë në 15 ditëshin për qeveri, marifeti i fundit i bllokadës Rashiqi
“Dil matu”.
Plot 140 ditë seancë konstitutive, Albin Kurti, i Vetëvendosjes nuk e do sahatin kushtetues të 15 ditëshit për krijimin e qeverisë: votat për të cilën nuk i ka. Fjalët “dil matu” drejtuar famshëm Kadri Veselit, sot i trokasin në derë shqiptuesit origjinal të vet, Albin Kurtit.
Dy Aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese erdhën gjatë 140 ditëve dhe, me sot, me këmbënguljen që Nënkryetar i Kuvendit nga komuniteti serb të jetë Nenad Rashiq, dhe moszgjedhja konsekuente e tij, mund të çojë në Aktgjykimin e tretë të GjK-së.
Juristë eminentë në vend – prej Enver Hasanit, ish Kryetar i Gjykatës Kushtetuese – e kanë parë pa-një-pa-dy si antikushtetuese krejt mënyrën e luajtur nga Vetëvendosje në rastin e Nënkryatarëve: nisur prej ndarjes së votës nga pako për votimin për Nënkryetarët nga pakicat kombëtare, e deri te vetëpropozimi dhe këmbëngulja për Nenad Rashiqin.
Dimal Basha, Kryetari i Kuvendit, e ka hedhur në ‘short’ – çka, edhe kjo konsiderohet antikushtetuese – hedhjen e kandidatëve nga komuniteti serb dhe deri në tri herë kufizim për kandidaturën e njëjtë, sot shterrohen emrat dhe herët e kandidimit.
Nenad Rashiq, sot del për herë të tretë i propozuar – çka supozohet të shënojë fundin e kandidaturës së tij: ose zgjedhjet, ose rrëzohet. Ndërkaq edhe dy-a-tre të tjerë të Listës Serbe u ka mbetur thirrja e emrit të tyre nga Dimal Basha, për t’u shterruar si mundësi. Dhe, enter: kriza e re.
Çështja pritet të shkojë në një krizë të re kushtetuese, dhe interpretim të ri kushtetues, për çka Lista Serbe veçse ka njoftuar se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës që s’kanë marrë pjesë fare në votim, duke e konsideruar si mënyrë jokushtetuese procesin e votimit për Nënkryetar, thanë për Nacionale se edhe këtë seancë të së shtunës “qëndrimi është i njëjtë”.
Edhe nga Partia Demokratike e Kosovës “asnjëri ndër ne” nuk do ta votojë Nenad Rashiqin, tha një zyrtar i PDK-së për Nacionale: parti kjo e cila ka abstenuar nga votimi, të cilët po ashtu, e konsiderojnë antikushtetuese mënyrën se si Dimal Basha e ka vijuar fazën e votimit për Nënkryetar.
Nenad Rashiq, në anën tjetër, thirret në autoritetitn e vet të leximit kushtetutes se “ju garantoj, se absolutisht nuk është shkelje kushtetuese votimi im”.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ditë më parë se nuk e përjashton mundësinë që Gjykata Kushtetuese të vihet përsëri në dritën e ngërçit politik në vend, si pasojë e dështimeve të deputetëve për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit.
“Zgjidhja ka qenë dhe mbetet politike. I takon politikës të gjejë rrugëzgjidhje brenda normave dhe parimeve kushtetuese, si dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese që interpretojnë këto norma dhe parime.
Nuk e përjashtoj mundësinë që Kuvendi i Kosovës të mos inaugurohet edhe brenda këtyre 30 ditëve të parashikuara, dhe që Gjykata të vihet sërish në lëvizje sipas procedurës së paraparë kushtetuese dhe ligjore.”