Habibi, come to Albania! Jo, ju nga lista me non grata - NACIONALE

Habibi, come to Albania! Jo, ju nga lista me non grata

1 orë më parë

nga Col Mehmeti

Shërbimi Informativ i Shtetit (ShISh) di më shumë se kushdo tjetër për secilin shqiptar brenda e jashtë kufijve. Ata që duken si burra të mirë në sytë e familjes, lagjes e fisit, në dosje dalin shejtanë që sa hap e mbyll sytë i vënë zjarrin edhe shtetit. Gjithsesi, ka diçka përtej faktit që filani e fisteku nga Maqedonia e Veriut janë shpallur të padëshiruar për Tiranën. Mickoski me sa duket po e nxit me të madhe procesin e ‘kosovarizimit’ të shqiptarëve në Maqedoni. Ç’domethënë kjo? Kosovarizim quhet ai projekt i mirëmenduar që i pajis shqiptarët e atjeshëm me një nënshtetësi fiktive, pra me atë të Kosovës. Kjo i bën që ata mendërisht të jetojnë në Kosovë, të rekrutohen në lojërat e ndyta të Albin Kurtit, dhe energjinë e tyre ta çojnë dëm gjetkë, në vend se t’i bëjnë presion VMRO-DPMNE-së. Kosovën nuk po e ndan nga Shqipníja vetëm një kufi apo bela mes dy qeverive. Ana perëndimore e Drinit po hyn ngadalë në BE, por ana lindore po hyn në botën e errët të izolimit e provincializmit. Mos qofshim në lëkurën e atyre non grata-ve që nuk kanë vend në Shqipnínë e hireve e begative, dhe të vetmen mundësi do ta kenë për një vizitë për qebapa në Prizren, për një korzo qesharake në Prishtinën e zgjyrtë apo për një ecje disametërshe në urën e Ibrit në Mitrovicë. Vetëm atëherë do ta kuptojnë nga afër peshën e rëndë sesi pas krenarisë e muskujve për ‘sovranitet’ fshihet një vend i pajetueshëm dhe i shkatërruar palcërisht.

Col Mehmeti

Ministria e Brendshme në Tiranë ka në tavolinë ndoshta dosjen më të vëllimshme që nga të rrëmbyerat vite ‘90.

Pas ndalimit të hyrjes së tre eksponentëve të VLEN-it (Bekim Qoku, Adnan Azizi dhe Hasim Murtezani), statusi i të padëshiruarve iu dha edhe imamit vahabist, Bekir Halimi dhe analistit, Valon Belja.

Siç edhe pritet kur shqiptohen dënime për non grata, arsyetimi zyrtar ishte fjalëpakët duke u mjaftuar vetëm me veprimtarinë e tyre armiqësore në kurriz të shtetit shqiptar.

E parë përtej një vendimi burokratik, çështja është më alarmante sesa që duket.

Shteti shqiptar mund të topallojë në dhjetëra fusha, por nuhatja e tij mbi çështje të sigurisë është më e mirë sesa që mund të mendohet.

ShISh-i e krejt pezhishka e tij informative janë të mirëetabluara ashtu siç duhet të jenë në gjithë rrethepërqarkun e banuar me shqiptarë.

Ndryshe nga AKI-ja që u stërkeq si një servis në duart e partisë së Albin Kurtit, inteligjenca në Shqipní është larg më profesionale si dalazotëse e interesave të shqiptarëve.

ShISh-i ruan epërsinë e moçme që e patën të gjitha shërbimet e ish-vendeve të Perdes së Hekurt ashtu sikurse edhe përvojën e besimin e fituar në komunitetin e inteligjencave perëndimore.

ShISh-i di më shumë se ne se kush është kush në Maqedoni

Mediat me frymëzime të forta kundër pushtetit të Ramës tashmë iu kanë dhënë hapësirë të mjaftë dy të padëshiruarve për të mbajtur litani se sa të pafajshëm janë e sa i padrejtë është vendimi i Tiranës (sic!)

Sadoqë rrëfime të tilla krijojnë perceptime keqdrejtuese, inteligjenca shqiptare di shumë më shumë për mikrokozmoset në Maqedoninë e Veriut.

Fakt është se formacioni aktual shqiptar në qeverinë e Maqedonisë së Veriut ekziston më fort për t’iu kundërvënë Tiranës sesa për të vokalizuar nevojat e votuesve të tyre.

Ka dy vjet që ministra e deputetë të VLEN-it mezi presin të tregojnë xhambazllëk si albinkurtistë të çmendur.

Dikur i mbushnin me njerëz mitingjet e rralluara të VV-së, bënin fushatë për kandidatë të kësaj partie, dhe tani edhe mësyjnë në Tiranë me flamingot ngjyra-ngjyra.

Areali shqiptar në Maqedoni u ‘kosovarizua’ në mënyrën më të keqe.

Vëmendja e publikut të atjeshëm shqiptar u kap për kapistre nga gjithçka bënte Kurti në Kosovë.

Këtë e kanë ëndërruar gjatë kohë dy partitë e mëdha maqedone që nga koha e Cërvenkovskit.

Paradoksalisht, kanë qenë vetë kryeministra e presidentë maqedonë që luteshin për më shumë Kosovë në Maqedoni.

Si është e mundur kjo?

Dikur kur Agim Çeku ishte kryeministër, atij i kërkohej të hynte si ndërmjetës midis dy partive shqiptare.

Këtu nuk kishte farë dashamirësie maqedone sa një shestim për t’i dobësuar ndërsjelltazi dy krahët e kampit shqiptar.

Si ta kuptojmë ‘kosovarizimin’ e Maqedonisë

Vit pas viti, Kosova u bë magnet që e përthithte krejt energjinë e shqiptarëve nga Maqedonia.

Në vend që këto fuqi të brendshme të përdoreshin për të vënë themele si hisedarë shtetformues, presioni i madh publik dobësohej sepse përdorej për të bërë tifozllëk në Kosovë.

‘Kosovarizimi’ i shqiptarëve të Maqedonisë u bë një projekt thuajse i përmbushur kur VMRO-DPMNE-ja u kthye më fuqishëm se kurrë në pushtet.

Kurtit i shtrohej tepihu i kuq kurdo që vinte në Maqedoni.

Ai i bëri shqiptarët nga një e treta e popullsisë sa janë aktualisht në një përqindje inekzistente.

Të pavlerë sado që partia quhej ‘VLEN’.

Ky është psehu që Mickoski mbetet kaq shumë i interesuar që shqiptarët e Maqedonisë t’i bëjë me ‘dyshtetësi’, domethënë qytetarë të çinteresuar për çdo gjë rreth vete e të interesuar për teatrin e madh të kafshëve në Kosovë.

Patriotizëm albinkurtist: Shaje Tiranën, shaje Shqipnínë

Në Kosovën e Albin Kurtit, antagonizmi provincial ndaj gjithçkaje të Tiranës u kthye në një patriotizëm në vete.

Sadoqë maskohet pas rivalitetit me Ramën, smira e madhe në Kosovë frymëtohet nga diçka më shumë sesa dallesat politike andej e këndej Drinit.

Smira e madhe ndaj gjithçkaje të shtetit shqiptar filloi në vitet ’80 me filialin lokal të Lidhjes Komuniste Jugosllave dhe vijoi rritën e saj edhe kur erdhën realitetet e reja pluraliste.

Edhe kur ‘shteti paralel’ gjeti strehë veprimi në Tiranë, urrejtja prapë do të gulshonte si përbindësh i fshehur në terrin e një skute.

E priste vetëm çastin e volitshëm që ta nxirrte kryet.

Sidoqoftë, kjo urrejtje provinciale do ta gjente zëdhënësin e vet më të mirë te Albin Kurti i cili nga 2020-a, në rrethanat kur integrimet evropiane relativizonin kufinj, naltoi ledhe e diga ndarëse mes Kosovës e Shqipnís.

Urrejtja e tillë ushqehet nga frustrimet e padurueshme që prodhoi gjendja kur Kosova i largoi një nga një aleatët e saj perëndimorë.

Me të gjitha dritëthijet e saj, Shqipníja hovi përpara, shfaqi stabilitet të brendshëm, u bë brend kulturor e turistik gjithandej botës.

Ajo konsiderohet si aleate e vërtetë e Perëndimit dhe shembull i kësaj janë plot samite e takime burrështetasish të huaj që janë mbajtur e do të mbahen në Tiranë.

Kur Brukseli dha vetëm lajme shpresëdhënëse se integrimi në BE është më afër se kurrë, ishin albinkurtistët brenda e jashtë Kosove që do të pezmatoheshin sikur të kishte ndodhur më e madhja gjëmë.

Meqë i doli boja propagandës dashakeqe se Rama po konspironte me Vuçiqin kundër Kosovës, albinkurtistët më nuk kishin as një flamur kauze që ta ngrinin në duar, sidomos jo atë të nderit e dinjitetit shqiptar.

“Atje sa bukur, këtu sa zi”

Po të këqyret tabloja e Ballkanit perëndimor, është vetëm Shqipníja e Mali i Zi që po hapërojnë drejt BE-së.

Përtej tyre hapet një humbellë depresive e përbërë nga shtete të shpërfytyruara nga toksiciteti antiperëndimor.

Është bota serbe që grumbullon Serbinë e gjysmën e Bosnjës, është Maqedonia e Mickoskit që iu bën vend palëve të treta si Rusia e Kina, dhe fare pranë tyre është edhe Kosova e cila me albinkurtistët në krye u bë vendi më batakçi që sprapsi çdo nismë perëndimore.

Në këtë skëterrë dëshpërimi, është e pritshme që nga Kosova e Maqedonia të niseshin kohorta të marrësh që jetojnë vetëm për të parë ndoca hallakamë në Shqipní.

Dhe destabilizimi gjithnjë gjen vullnetarë mes të majtësh radikalë e islamistësh që duan ta bëjnë kurban atdheun e tyre për të shfryrë mllefe të vjetra e të reja ndaj Amerikës, Izraelit, Perëndimit, kapitalizmit, liberalizimit dhe shekullit njëzet e një.

Provincializmi, oj nanë, na mori në qafë

Kosovën nuk po e ndan më nga shteti amë vetëm një kufi me ndërtesa dogane, laura e ndalesa administrative.

Është diçka më e frikshme në mes që më nuk hiqet as me vendime qeverish, as me vullnete elitash e as me dëshira të fisme për bashkim mes shqiptarësh.

Kosova ndahet nga Shqipníja sepse u robnua nga ideologjia qorre e tribalizmit që fshihet pas mbrojtjes së sovranitetit kallp.

Kosova ndahet nga Shqipníja edhe me një kufi tjetër sepse u vesh me provincalizëm vetëvrasës, gjendja më e mjerueshme mendore e një kolektiviteti.

Provincializëm nuk është as gjeografia dhe as bota përtej urbanes.

Ai është bindja e marrë që beson se disa njerëz ose një vend janë qendra e botës.

Dhe kjo logjikë qaramane foli përmes njërit nga ata që u shpallën non grata nga Tirana.

Në një nga prononcimet e tij të para, ai tha se e kishte për ‘nder’ që po shpallej i padëshiruar nga Rama i cili, sipas tij, është mik i Vuçiqit dhe flijues i Kosovës (sic!).

Pra, ai po e pranonte përcëllimin gjer në lëkurë vetëm e vetëm që ta ‘mbronte’ Kosovën nga Rama. Ç’gomarllëk i trashë po të mos e kishte edhe anën e tragjike!

Kështu shfaqet bota karikaturiale e provincës ku njerëzit kapardisen edhe më shumë kur janë të izoluar.

Për pak vite, Shqipníja do ta prekë për së vërteti atë që dikur ishte ëndrra e vetë projektit frashërian që ajo të bëhej një me Perëndimin.

Në këtë copë Evrope, që do të jetë më e mirë se Serbia, Bosnja, Maqedonia e Kosova, nuk do të mund të hyjnë disa kaçolë që pranuan të konspironin edhe ndaj shtetit shqiptar vetëm e vetëm që të shfrynin mllefe banale ideologjike.

Mos qofshim në lëkurën e atyre që nuk kanë vend në Shqipnínë e hireve dhe begative, dhe të vetmen mundësi do ta kenë një vizitë për qebapa në Prizren, për një korzo qesharake në Prishtinën e zgjyrtë apo për një ecje disametërshe në urën e Ibrit në Mitrovicë.

Vetën atëherë do të kuptohet pesha e rëndë sesi pas krenarisë e muskujve për ‘sovranitet’ fshihet një vend i pajetueshëm.

Lajme të ngjashme