Trumpi thotë se do të kërkojë dëmshpërblim nga Irani për të vrarët dhe të plagosurit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të hënën se do të kërkojë që Irani të paguajë dëmshpërblim për “të gjithë njerëzit që ata i kanë vrarë dhe i kanë plagosur rëndë”, si kundërpërgjigje ndaj kërkesës së Iranit për dëmshpërblim për dëmet që i ka pësuar nga sulmet amerikano-izraelite.
Postimi i Trumpit në rrjete sociale erdhi pasi Irani tha në fundjavë se po i afrohej një marrëveshjeje me Omanin për përcaktimin e rrugëve të reja të transportit mes tyre nëpër Ngushticën e Hormuzit, por ritheksoi se ShBA-ja duhet t’i plotësojë kushtet, përfshirë dëmshpërblimin dhe përfundimin e sanksioneve dhe kërcënimeve ushtarake, para se rruga ujore strategjike të rihapet, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Është ide interesante, sepse tani unë po ashtu do të kërkoj dëmshpërblim nga Irani, për të gjithë njerëzit që ata i kanë vrarë dhe i kanë plagosur rëndë me bombat e tyre anash rrugëve dhe me shumë konflikte” – shkroi kreu i Shtëpisë së Bardhë në rrjetin “Truth Social”.
Trumpi gjithashtu kërkoi dëmshpërblim nga Irani për bombardimin vdekjeprurës të luftanijes amerikane “USS Cole” në tetorin e vitit 2000 në një port të Jemenit. FBI-ja e ka fajësuar grupin al-Qaeda për këtë sulm, ku kishin mbetur të vrarë 17 detarë dhe ishin plagosur mbi 30 të tjerë.
Presidenti amerikan shtoi se Teherani duhet t’u paguajë dëmshpërblim edhe familjeve të mijëra njerëzve të vdekur gjatë protestave antiqeveritare në janar, kryengritja më e rëndë në Iran që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.
Grupet për të drejtat e njeriut thonë se qeveria iraniane ka vazhduar t’i shtypë kundërshtarët gjatë luftës me ShBA-në dhe Izraelin.