Unikkatili duhet të jetë në Big Brother VIP Kosova, e "çon" lojën nga varri - NACIONALE

Unikkatili duhet të jetë në Big Brother VIP Kosova, e "çon" lojën nga varri

1 vit më parë

nga Mirlind Behluli

Ndonëse me çmim të jashtëzakonshëm për fituesin, "Big Brother VIP Kosova" vuan nga mungesa e njerëzve gjërësisht të famshëm. Në shtëpinë aktualisht më të ndjekur kosovare janë vetëm dy persona realisht të njohur: Stresi dhe Getinjo. Të tjerët janë aktorë të teatrove të kthinave, këngëtarë në tentativë e "humoristë" që të vetmën gjë të tregtueshme mediatikisht e kanë prejardhjen biologjike. E kam përshtypjen që Olti Curri, që s'ështe fare banor i shtëpisë, është person më i njohur se shumica absolute e pjesëmarrësve.

Por a mund të zhduket ky hendek i njerëzve të famshëm në BBVK? Po, sigurisht. Ekziston një mundësi reale për ta mbushur këtë mungesë: futja e personazheve të reja të shoubizit, sa më shpejt që të jetë e mundur. Kur jemi te banorët e rinj potencialë të BBVK-së, Viktor Pakola, i njohur përgjithësisht si Unikkatil, është personazhi më interesant për t'iu bashkuar kësaj shtëpie. Në fakt, ai është banori ideal për BBVK-në: i famshëm, enigmatik (nëse jo krejtësisht mister) e mbi të gjitha i dashur për publikun. Pse mendoj që Unikkatili është përzgjedhja e duhur për banor të ri të BBVK-së?

Rebel a.k.a. Unikkatil është, pa fije dyshimi, ikona e muzikës rep. Në fakt, ai është inauguruesi i repit me gjuhë eksplicite në artin shqiptar. Nëpërmjet tekstit, që shpesh përmbante terma "të ndaluar", Unikkatili e tejkaloi idenë e gjuhës "artistikisht korrekte", duke e sjellë repin më afër publikut, gjë që ia dha edhe famën e pakrahasueshme me të tjerët, edhe titullin e merituar të "mbretit" të repit. Ai eklipsoi një gjeneratë reperësh para tij, gjersa aura e tij vazhdon të qëndrojë si hije "prapa" reperëve të rinj, që kryesisht bëjnë rep limonadë.

Unikkatili përfaqëson një gjeneratë reperësh e cila dita-ditës, ndonëse ngadalë, por sigurt, po zhduket nga skena e muzikës rep. Ai është sinonimi i një gjenerate ku teksti kishte rëndësi primare. Pra fjala e thënë, kuptimet shumështresore të tekstit, metafora, rima. Thënë shkurt, përmbajtja para dukjes. Art, jo shoubiz. Përkundër që dëgjohej shumë, ai mbeti enigmatik, duke u mbajtur "gjallë" në skenë me vetëm 2-3 foto, në të cilat realisht nuk shihej qartësisht fytyra e tij. Pa ASNJË videoklip - diçka krejtësisht unike në historinë e muzikës në trojet tona (ndoshta edhe më gjerë).

Ndonëse aktualisht nuk është aq aktiv, së paku në krahasim me vitet 2000, Unikkatili mbetet mjaft i popullarizuar. Reportuari e tij, edhe pse rrallë freskohet me të reja, vazhdon të mbledhë miliona shikime. Megjithatë, kurdo që Unikkatili publikon një këngë, ajo shndërrohet në ngjarje javore, duke u komentuar, dëgjuar e shpërndarë gjerësisht. Sepse muzika e tij mbetet në themel të identitetit të repit shqip dhe ende tërheqëse. Sa për ilustrim: 156.457.773 shikime ka i gjithë kanali i grupi "TBA" në Youtube, shifër marramendëse, duke e pasur parasysh faktin që Unikkatili, por edhe grupi i tij, kanë kënduar vetëm në gjuhën shqipe. Unikkatili është ndër të rrallët reperë aktivë që është dëgjuar në kohën e kasetave, CD-ve, MP3-shit, Youtube-it e TikTok-ut dhe, me shumë gjasë, do të dëgjohet edhe në çfarëdo platforme të re që do të zbulohet në vitet e dekadat e ardhshme.

Meqenëse Unikkatili gjatë karrierës së tij ka qenë një figurë pak e ndriçuar, personaliteti i tij, përfshirë mënyra e të artikuluarit e qëndrimet e tij, mbesin të panjohura përtej këngëve të publikuara. Andaj, kam përshtypjen se hyrja e Unikkatilit në BBVK do ta ngjallte kureshtjen e publikut për ta ndjekur përditshmërinë e një reperi thuajse krejtësisht të panjohur jashtë artit të tij. Edhe unë, si fans i vjetër i Viktorit, do të dëshiroja ta shihja një Unikkatil teksa flet, debaton, ha bukë, ushtron, stresohet, përgatit ushqim e "shpërthen" nga nervoza.

Nëse një ditë, atje lart nga qielli, Fan Noli do hidhte në letër ca vargje për Unikkatilin, ato do të mund të tingëllonin pak a shumë kështu:

A të duhet lojtar,

Gjithë Big Brotherit t’i vësh zjarr?

Që t'ia ndezësh shikueshmërisë fitilin?

Fute n'shpi Unikkatilin!

Epo ndoshta ka ardhur koha që t'ia vëmë zjarrin Big Brother-it me "djalin prej nga Qafa, që të kallë për një fjalë".

Lajme të ngjashme